I nderuar profesor Olav Hackstein,
I nderuar profesor Paul Heggarty,
Të nderuar akademikë dhe profesorë, miq e kolegë,
Kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë t'ju uroj mirëseardhjen dhe t'ju falënderoj që patët mirësinë t'i përgjigjeni pozitivisht ftesës sonë për të marrë pjesë në tryezën shkencore "Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj", për të cilën përgatitjet kanë nisur që prej afro dy vjetësh.
Falënderojmë në mënyrë të veçantë Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane, si dhe të Albanologjisë pranë Universitetit "Ludwig Maximilian" të Mynihut, që jo vetëm mbështeti nismën për këtë tryezë, por, me dashamirësinë dhe përgjegjësinë e mirënjohur të tij, si një institucion bashkorganizues, fuqizoi ndërveprimin pjesëmarrës me qendrat më të rëndësishme të albanologjisë europiane.
Kjo tryezë është një hap i mëtejshëm përparues në vazhdën e arritjeve të Kuvendit të Dytë të Studimeve Albanologjike, që u organizua në Tiranë tre
vjet më parë. Jemi shumë të gëzuar që një pjesë e madhe e referuesve të saj kanë riardhur për të kontribuuar me mendimet e rezultatet më të reja të tyre.
Akademia jonë e Shkencave, albanologjinë, shkencat e identitetit, i ka pasur dhe i ka prioritet konstant. Zhvillimi e promovimi i tyre përbëjnë rolin e misionin kryesor të ASH-së sipas ligjit të saj. Ajo është e vëmendshme dhe gjithnjë vlerësuese ndaj vendit të stabilizuar të saj në kuadër të gjuhësisë krahasimtare, të indoeuropeistikës e të interesimeve të tjera shkencore, veçanërisht për gjuhën dhe trashëgiminë materiale e jomateriale të truallit shqiptar e për këtë i është mirënjohëse të gjithë atyre që kontribuojnë në këtë drejtim.
Studimi që kanë realizuar profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorët e nderuar në revistën "Science", duke i njohur shqipes si origjinë të përbashkët e pikënisje të identifikimit të saj, një hershmëri relative prej 6-8 mijë vjetësh zgjoi vëmendjen jo vetëm ndër dijetarët albanologë, duke nxitur interesin te ne që ta ftonim e organizonim këtë dëgjesë me profesorin e këtë diskutim shkencor së bashku me ju që jeni këtu të pranishëm e që na nderoni aq shumë.
Në Shqipëri e ndër shqiptarët ka pasur një interes të jashtëzakonshëm në lidhje me perceptimin e të rejave që sollën rindërtuesit e pemës gjenealogjike indoeuropiane.
Si e tillë, kjo tryezë është një risi në zhvillimin e aktiviteteve tona, pasi një drejtim krejt i ri i kërkimit shkencor të gjuhësisë historike, me ndihmën e inteligjencës artificiale, bëhet strumbullari i këtij aktiviteti. Temat që i bashkërenditen referatit kryesor synojnë nxitjen e diskutimeve dhe debatit dhe përforcimin multidisiplinor të kërkimit shkencor.
Popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës së tyre e të gjuhës së tyre. Interesin e rrit fakti se, çfarë po konfirmohet me studimet e reja jo vetëm që nuk shkon kundër arritjeve të indoeuropeistikës, por vjen në përforcim, saktësim e pasurim të tyre.
E vërteta shkencore ka nevojë të njihet e të pohohet. Shkenca, në dallim nga të tjerët, nuk rend të deklarojë, a ca më keq, të deformojë e vulgarizojë një hipotezë, por punon fort ta provojë atë. Fatkeqësisht, teknologjitë e reja ashtu siç kanë mundësuar e mundësojnë shkencëtarët të studiojnë evoluimin e universit, të njeriut, specieve e të gjuhëve që në zanafillë, ashtu dhe kanë bërë që shpesh faktet e rreme të besohen më shumë se e vërteta; që deklarimet abuzive e amatoreske të prevalojnë ndaj mendimit e provave shkencore; që edhe teza e hipoteza me bazë shkencore të kthehen në vulgare e qesharake.
Gjysmë shekulli më parë shkencëtarët shqiptarë dhe kolegët e tyre albanologë, të mbledhur në Tiranë, vleresonin si suksesin më të rëndësishëm konfirmimin e tezave të gjuhësisë për burimin, origjinalitetin dhe hershmërinë e shqipes si një gjuhë indoeuropiane me lidhje e prejardhje nga ilirishtja për ta lënë të hapur lidhjen e saj e të ilirishtes me protoilirishten a pellazgjishten, studimin e rrugëtimit të saj që nga origjina si dhe krahasimet me gjuhët e tjera, të bindur se gjetjet e teknologjitë e reja do të ndihmonin në të ardhmen në këtë aspekt.
Kërkimet arkeologjike të dekadave të fundme, thuajse në të gjitha rastet shqiptaro-europiane, na bënë të njohur se kultura materiale e qytetërimeve në territorin tonë flet për një vijueshmëri mijëravjeçare të saj; ajo flet më shqip se rugëtimi i shqipes, duke pasur avantazhin të flasë me artefakte të ruajtura nga nëntoka.
Ekspedita shqiptaro-zvicerane e Linit (Pogradec), e bashkëkryesuar nga profesor Ilir Gjipali dhe profesor Alfred Hafner, zbuloi një vendbanim palafit prehistorik të lashtë me një vjetërsi po tetë mijë vjeçare. Kultura e Linit si një vendbanim kaq i lashtë në Europë, së bashku me të ngjashëm në atë zonë, mund të vendoset në sinkroni me kohën e domestikimit të popullsisë banuese dhe të lindjes së bujqësisë dhe degëve të para të ekonomisë neolitike.
Të dhënat krejtësisht të reja, të shërbyera nga profesor Paul Heggarty dhe kolegët e tij, duke ndjekur rrugë tjetër e lëndë tjetër, të çojnë tek e njëjta kronologji. Me siguri këto studime do të thellohen e pasohen nga të tjerë dhe kështu drita që vjen nga mijëvjeçarët do të bëhet më e qartë.
Duke ju rishprehur edhe një herë falënderimet tona dhe duke i uruar sukses të plotë tryezës, tani le t'ua lëmë fjalën të ftuarve tanë, profesorëve të nderuar.
Ju faleminderit për vëmendjen.
Ok, dhe pershendetja ka rendesi , por me e rendesishme jane konkkuzionet.
Pse egziston Akademia e Shkencave ne Shqiperi? Skenderin kisha kohe qe nuk e kisha pare, por ate zevendesin e tij tradhetarin e Shqiperise dhe folklorit shqiptar qe punon nen rrogose per historine e genjeshter greke, Vasil Tole, e degjova diku. Si nuk u hyne nje rremboç ketyre tradhetareve te Shqiperise por marrin postet me te larta te shkences qe e vene ne dispozicion te te huajve? I tille si Beqir Meta e kompani. Sa keq Shqiperia jone qe te ç'nderojne çdo dite keta barbare dhe s'po te del i zoti !