Fjalët e Herman Hesse, për leximin dhe librin, një kambanë zgjimi

2 Gusht 2025, 13:36Kulturë TEMA
Fjalët e Herman Hesse, për leximin dhe librin, një kambanë

Në kohët që po jetojmë, fjala është shpesh zhurmë, ndërsa leximi është bërë një akt gjithnjë e më i rrallë dhe më i rrezikuar. Jemi në epokën e përmbajtjes së shpejtë, të konsumit të informacionit me sy të lodhur dhe mendje të shpërqendruar. Librat, këta thesare të shpirtit dhe dijes, rrezikojnë të trajtohen si sende të tepërta, të panevojshme në një botë që kërkon gjithnjë e më shumë shpejtësi dhe gjithnjë e më pak përhumbje. Leximi është kthyer nga një përvojë jetësore, në një përjashtim; nga një formë ndërgjegjësimi, në një zakon të harruar. Dhe pikërisht në këtë terren, fjala e Herman Hesse-s ngrihet si një kambanë zgjimi, si një thirrje për të rikthyer dinjitetin e librit dhe për të rizgjuar brenda nesh lexuesin e vërtetë, jo atë që përtyp fjalë, por atë që ushqehet prej tyre; jo atë që kërkon argëtim të lehtë, por miqësi të thellë me mendimin dhe ndjenjën. Në një shoqëri ku marrëdhënia me librin po bëhet gjithnjë e më sipërfaqësore, Hesse na kujton se leximi nuk është luks, por nevojë për shpëtim të brendshëm. Në këtë frymë duhet rilexuar dhe medituar fjala e tij, me pasion, me ndjeshmëri dhe me vetëdijen se libri nuk është thjesht objekt, por mik që të qëndron pranë në vetminë tënde më të thellë.

Ky pohim i Herman Hesse-s është më shumë se një reflektim mbi aktin e leximit; ai është një shpallje dashurie ndaj librit, një elegji për miqësinë shpirtërore që lind mes lexuesit dhe autorit, një traktat për të vërtetën intime të marrëdhënies që njeriu kultivon me mendimin e mishëruar në fjalë.

Në rreshtat e tij, Hesse dallon lexuesin si një krijesë të ndarë në dy lloje thelbësisht të ndryshme: konsumatorin që e sheh librin si një zbavitje kalimtare, dhe mikun e vërtetë të librit, që e ndjen në palcë nevojën për ta përqafuar, për ta pasur pranë, për ta përvetësuar në thellësi. Ai i sheh librat jo si objekte që jepen hua, por si trupëza shpirtërore që banojnë në shtëpitë dhe jetët tona, që bëhen pjesë e frymëmarrjes sonë të përditshme. Leximi, për Hesse-n, është akt i marrëdhënies, jo konsumit; është dialog, jo zbrazje e kohës.

Kjo fjali ngërthen një ide me një forcë që të lë pa fjalë: “ai që di ta mirëpresë dhe ta dojë një libër me zemër, dëshiron që, nëse është e mundur, ta bëjë atë të vetin.” Nuk është fjala për pronësi materiale, por për një akt dashurie të thellë. Libri bëhet pasqyrë dhe shtëpi, mik dhe kujtim, një copëz e përhershme e identitetit tonë. Dëshira për ta zotëruar librin nuk vjen nga egoizmi, por nga një nevojë e brendshme për intimitet me dijen, me ndjesinë, me përfytyrimin e një tjetri që është bërë yni përmes fjalës.

Përmes një kundërvënieje të hollë, Hesse na ndan nga “lexuesi mekanik”, ai që “përpin një libër në ditë”, që konsumon pa ndalur, por pa u thelluar kurrë. Është një kritikë e heshtur ndaj epokës së sipërfaqes, një qortim për leximin si sport, si sprovë numrash, si kënaqësi pa rrënjë. Hesse është i paepur në bindjen e tij se leximi i vërtetë është një përvojë transformuese, që të detyron të ndalosh, të mendosh, të ndjesh. Ai kërkon nga lexuesi ndjeshmëri dhe përkushtim, të njëjtën dashuri që një mik i vërtetë do të tregonte për një mik tjetër: dëshirën për ta njohur në thelb, për ta kuptuar në thellësi, për ta pranuar në tërësinë e tij.

Në thelb të kësaj shprehjeje qëndron ideja e leximit si akt empatie. Lexuesi i mirë, për Hesse-n, është një njeri që i jep kohë një tjetri për të treguar botën e tij; një njeri që nuk kënaqet vetëm me subjektin, por kërkon të shohë përtej tij, të ndjejë frymën, ritmin, drithërimën që përshkon fjalën e autorit. Ai e përshkruan këtë lidhje si një fitore: “Kur lexojmë poetët... sidomos vetë shkrimtarin”, e që më pas vazhdon: “ai që arrin të krijojë një lidhje me të, për të ky libër fillon vërtet të bëjë efekt.” Është në këtë pikë që leximi bëhet një akt transformues, jo më një kalim kohe, por një takim që lë gjurmë të pashlyeshme në qenien tonë.

Fjalët e Hesse-s mbartin një përkushtim të lartë etik e estetik ndaj leximit: libri nuk është për t’u konsumuar, por për t’u ndjerë dhe për t’u jetuar. Ai nuk është një objeksion që vjen e ikën, por një pranësi e dashur që duhet mbajtur afër, në tryezë, në raft, në zemër. Ky është lexuesi që Hesse dëshiron të promovojë: jo thjesht ai që lexon shumë, por ai që lexon mirë; jo ai që ka lexuar gjithçka, por ai që ka kuptuar thellë një libër, një autor, një botë.

Kjo thënie është një himn për dashurinë ndaj fjalës së shkruar, një thirrje për të ndalur vrullin e sipërfaqes dhe për të zbritur në thellësi, aty ku libri nuk është më një objekt i huaj, por një mik i ngushtë, një tjetër që e kemi bërë tanin, sepse kemi ditur ta duam pa kushte.

Në fund të fundit, kjo nuk është thjesht një sentencë për librin. Është një sentencë për marrëdhëniet më të thella që mund të krijojë njeriu me vetveten dhe me tjetrin. Sepse, siç thotë Hesse, libri nuk është vetëm një histori. Është një njeri. Dhe vetëm ai që di të dojë një libër, di të dojë vërtet edhe një shpirt.

Përgatiti: Albert Vataj

Lini një Përgjigje