Sheshi “Italia” u mbush për të dytën ditë radhazi me zëra të gëzueshëm dhe energji të jashtëzakonshme nga fëmijët, falë Panairit të Fëmijëve, “Fun Fair”.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau sot pamje të aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të këtij panairi, teksa theksoi se ai ofron eksperienca të ndryshme për të vegjëlit, të pasura me kreativitet dhe emocione, çka e kanë kthyer eventin në një festë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
“Një atmosferë magjike ku argëtimi, lojërat dhe buzëqeshjet e fëmijëve mbushën sheshin ‘Italia’ me gëzim dhe energji të jashtëzakonshme”, tha ai.
Gjatë panairit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor organizoi aktivitete mbi sigurinë rrugore, duke edukuar fëmijët përmes lojërave e ndërveprimeve, por dhe dhuratave surprizë, shkruan atsh.
Aktivitetet që do të vijojnë edhe ditën e nesërme përfshijnë shfaqje me animatorë, prestidigjitatorë, performanca artistike nga fëmijët, shfaqje të Cirkut Kombëtar, filma, punëtori me poçeri, face painting, ekspozita etj.
Lini një Përgjigje