
Një homazh të veçantë për ndarjen e parakohshme nga jeta e gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit Artur Zheji, ka dhënë edhe albanologu Gjovalin Shkurtaj, pedagog i Artur Zhejit.
Dedikimi i Gjovalin Shkurtaj
Sa kumt të trishtueshëm morëm sot: qenka ndarë nga jeta Artur Zheji, intelektuali i ditur, gazetari dhe analisti pak të thuash i veçantë, fjala e të cilit kishte gjithmonë “vulën” e dijetarit me rrezatim të gjerë e që e trashëgonte nga i ati, i madhi Petro Zheji, përkthyesi në zë e dijetari i thellësive të historisë së Shqipërisë e të gjuhës shqipe, i zotërimit të intonacioneve e hijeshisë ligjërimore që e trashëgonte nga e ëma, e madhërishmja aktore Besa Zheji, por kishte dhe vetjakësinë e personalitetin e vet të një shkalle të epërme si rrallëkush në ditët tona.
Artur Zhejin e kam njohur qysh kur ishte student në Institutin e Lartë të Artve,ka ndjekur lëndët “Kultura e Gjuhës në skenë dhe në ekran” dhe “Teori drame”, ishte nga më të veçantët në aftësinë për t’u thelluar në konceptet e nocionet. Ishte koha kur edhe kishte nisur të shkruante dhe drama e kishte dhunti e talent.
Kur u bë i madh e i atillë si e njohu mbarë shqiptaria, duke qenë gjithmonë të zënë me punë e detyra,jemi parë rrallë, por gjithmonë me respekt të pamungueshëm.
Na le shpejt, shumë shpejt e papritur ish-studenti im i mirë! Sa trishtim.
Të qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut për të cilin kontribuove aq shumë me fjalët e dituritë tua e në drejtime të shumënduershme.
Lini një Përgjigje