“Gjurmët e fjalës’’/ Akademia e Shkencave zhvilloi konferencën shkencore në nder të Martin Camaj

16 Dhjetor 2025, 08:44Kulturë TEMA
“Gjurmët e fjalës’’/ Akademia e Shkencave zhvilloi

Akademia e Shkencave të Shqipërisë zhvilloi konferencën shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes”, një veprimtari kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe albanologjisë shqiptare.

Konferenca u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Studiues, akademikë dhe pedagogë nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe sollën kumtesa dhe diskutime mbi veprën letrare, kontributin shkencor dhe trashëgiminë kulturore të Martin Camajt, duke theksuar rolin e tij në formësimin e mendimit modern letrar dhe gjuhësor shqiptar.

“Martin Camaj i përket asaj gjenerate dijetarësh që e shohin strukturën gjuhësore si proces dhe jo si një sistem të pandryshueshëm. Një tjetër element është mënyra se si Camaj e shikon lidhjen midis gjuhës dhe estetikës”

Veprimtaria shërbeu jo vetëm si një homazh për 100-vjetorin e lindjes së Camajt, por edhe si një hapësirë reflektimi mbi aktualitetin e veprës së tij dhe ndikimin e vazhdueshëm në studimet albanologjike dhe letërsinë bashkëkohore. A.K./TemA

Lini një Përgjigje