
Eugjen Merlika vjen me librin e tij të ri “Mustafa Merlika Kruja – Histori e dokumentuar e një jetë në shërbim të kombit shqiptar”. Ky vëllim i parë, botim i UET PRESS, i dedikuar veprimtarisë intelektuale e politike të një prej figurave më komplekse të historisë sonë, sjell për lexuesin një pasqyrë të thelluar e të dokumentuar mbi jetën dhe kontributin e firmëtarit të Pavarësisë, deputetit të Parlamentit të parë shqiptar, kryeministrit, gjuhëtarit dhe historianit Mustafa Merlika Kruja.
Një jetë e lidhur me fatin e Shqipërisë
Libri ndjek hap pas hapi rrugëtimin e Mustafa Merlika Krujës – nga vitet e hershme të shkollimit dhe veprimtarisë studentore, te kthimi në Atdhe e përfshirja në politikën shqiptare, pjesëmarrja në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, marrëdhëniet me personalitete të kohës si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e Esat Pashë Toptani, si edhe kontributi i tij në ndërtimin e shtetit modern shqiptar.
Ky vëllim i parë ndalet në ngjarje të rëndësishme si pjesëmarrja në Konferencën e Paqes në Paris, veprimtaria si deputet i Parlamentit shqiptar dhe angazhimi për çështjen e Kosovës – e cila, më vonë gjatë kryeministrisë së tij, do të bëhej realitet me bashkimin e trojeve shqiptare. Po ashtu, trajtohen kundërshtitë me Esat Pashën, periudhat e mërgimit, herën e parë pas burgimit në Sicili dhe kthimi i tij në Shqipërinë e Fan Nolit si prefekt i Shkodrës. Vëllimi mbyllet në vitin 1925, me atë që autori e cilëson si “mërgimi i tretë”.
I pasur me dokumente të kohës, libri sjell edhe Bisedimet Parlamentare të viteve 1921–1922, të marra nga Arkivi i Kuvendit të Shqipërisë. Në vëllimin e dytë, Eugjen Merlika paralajmëron se do të trajtojë, përmes dokumenteve të mbledhura nga arkiva të ndryshëm, veprimtarinë qeveritare të Mustafa Krujës gjatë vitit kur ai drejtoi vendin si “Kryeministër i Shqipërisë etnike”, periudhë që përbën edhe boshtin kryesor të jetës së tij politike.
Përmes dokumenteve origjinale, dorëshkrimeve dhe shkrimeve të botuara e të pabotuara, autori sjell një tablo të plotë të figurës së gjyshit të tij, shpesh të përbaltur nga historiografia komuniste. Ky botim synon ta vendosë Mustafa Krujën në panteonin e historisë së shtetit shqiptar.
Rikthimi i figurës së Merlika Krujës
Pas një heshtjeje të gjatë, emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes falë përpjekjeve të familjes dhe botimeve të shumta gjatë dy dekadave të fundit.
Mustafa Kruja u nderua në vitin 2012 me titullin “Nder i Kombit” dhe më 24 nëntor 2024, qyteti i Krujës e nderoi me shtatoren pranë kalasë së qytetit, në prag të 112-vjetorit të Pavarësisë.
Në ndryshim nga 19 vëllimet e tjera të botuar nga viti 2001 e këtej, që përbëjnë krijimtarinë e Mustafa Krujës në fushën gjuhësore, historike, kujtimore e të korrespondencave të ndryshme, ky vëllim- zbulon Eugjen Merlika- i kushtohet vetëm veprimtarisë politike. “Kjo ndodh sepse në këtë fushë figura e tij është paraqitur me ngjyrat më të errëta nga historiografia komuniste e zotëruar jo nga objektivizmi, por paragjykimet enveriste. Shpresoj që ky libër, mbasi të jetë plotësuar edhe me pjesën e dytë të tij, nëse Zoti do të më japë jetë e mundësi, do të frymëzojë të tjerë studiues, për të thënë fjalën e tyre mbi figurën atdhetare të tij”, shkruan autori.
Një vepër me vlera të shumëfishta
Ky botim i UET Press është pjesë e një cikli që pritet të pasurohet me vëllime të tjera, duke plotësuar mozaikun e plotë të jetës dhe veprimtarisë së Mustafa Merlika Krujës. Në të, lexuesi gjen dokumente dhe dorëshkrime origjinale të kohës; analizë të rolit të tij në krijimin e institucioneve të para shqiptare; debatet politike të viteve 1920-1940; kontributin e tij në themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare si edhe përpjekjet për bashkimin kombëtar dhe vizionin e tij europian.
Zëri i një figure të ringjallur
Përtej kufijve të një biografie, libri është një dëshmi për mënyrën se si brezat e sotëm mund të përballen me të kaluarën, duke e parë me objektivitet e dinjitet. Me këtë vëllim, Mustafa Merlika Kruja rikthehet siç ishte: një bir i Krujës dhe i Shqipërisë, i përkushtuar deri në fund për një vend të lirë, të pavarur dhe të bashkuar.
Pjesë nga LIBRI
I kthyer në Durrës, në cilësinë e zv.ministrit të punëve të Brendshme, Kruja e gjeti politikën shqiptare në një gjendje amullie, edhe si pasojë e veprimtarisë së shtuar esadiste në Shqipërinë e Mesme. Ai u bind se, krahas shuarjes së asaj lëvizjeje të dëmshme, duhej organizuar një tjetër mbledhje e gjerë kombëtare, për t’i u përgjigjur kërkesave të reja që dilnin për Shtetin shqiptar mbas rifillimit të jetës institucionale, mbas vendimeve të Parisit mbi Shqipërinë që, për çastin ishin ende të pasigurta, sa i përkiste tërësisë territoriale, në dëm të së cilës punonin me zell të madh diplomacitë e vendeve fqinjë, duke përfshirë edhe qarqe të caktuara të politikës italiane që, zyrtarisht ishte shprehur në dobi të pavarësisë shqiptare në vitin 1917, nëpërmjet komandantit të përgjithshëm të ushtrisë së saj në Gjirokastër, gjeneralit Ferrero.
Koplik, Shkodër 1920
Ja si e përimton atë periudhë të historisë shqiptare studiuesi i jetës së Mustafa Krujës dhe intelektuali i shquar katolik At Donat Kurti:
“Kjo gjêndje e mjerueshme kishte shkaktue pakënaqësi e anarkí në të gjithë Vêndin. Esat Toptani vepronte me anën e agjenturave të tij në Shqipní për veten e vet kundra Italjanvet. Nacjonalistat punojshin nën përshtypjen e humbjes së pavarsís e të tânsís së Shqipnís, për të cilën të gjithë fajin i a hudhshin gabimisht Italís dhe mâ gabimisht qeverís s’atëhershme qi bashkëpunonte me Italín, Shumë prej sish idealit patrijotik i shtojshin edhe ambicjet personale. E të shtŷmë verbnishht prej këtyne dy faktorve të fortë, kishin mbërrîmë në nji lidhje të ngushtë me të tanë elementat e pakënaqun, të këshilluem e të nxitun edhe prej disa Shteteve të hueja, për me rrëzuem qeverín italofile të Durrsit Nga ky lâmsh heterogjen të përbâmë prej nacjonalistash të pastër, nacjonalistash ambicjozë, esadistash e disa bejlerësh fatndjekës leu Kuvêndi i Lushnjes.
Mustafa Kruja pat qênë themelisht i bashkuem e i marrë vesht me organizatorët e nji kuvêndi si për ndërrimin e Qeverís ashtu edhe për shpalljen dhe zbatimin e nji programe kombtare. Por bashkpunimi i tij kishte për bazë, të pranueme në fillim edhe prej të tjervet, pastrimin e Vêndit nga esadizma e nga influencat personale të dêmshme. Edhe i a kishte hŷmë vetë këtij pastrimi tue filluem prej Kruje. Kjo nisjativë e Mustafa Krujës dha fryte të shpejta e të paprituna. Aqë sa disa nga shokët nacjonalista qi i a kishin me të pabesë, me shkak se gjoja do t’arrinte të ngrihte nji diktaturë personale italofile, e tradhtuen, dhe Kuvêndi qi do të mblidhej në Krujë me tê e ftuen m’u mbledhun në Lushnje, me esadistat e bejlerët, tipit të Ahmet Zogut. Ky i fundit, tue e çmue e e drashun personalitetin e Krutanit, u përpoq shumë t’i a mbushte mênden me letra qi të merrte pjesë edhe ai n’atë Kuvênd. Por Mustafa Kruja, i fyem nga tradhtija qi i u bâ e i pabindun për rezultatet e pasojat e mira të nji pune të nisun n’atë mënyrë desh të mbesë dorjashtë, por pa i shkue kundra, sado qi n’atë kohë, po të kishte dashun, ndoshta edhe mund t’a kishte bâmë me dështue.
Prej Kuvêndit të Lushnjes leu nji qeverí e re. Ahmët Zogu si Ministër i Mrêndshëm, ishte burri mâ i fortë i ksaj qeverije. Mustafa Kruja u tërhoq në qytetin e tij. Qeverija donte t’a ndiqte si kundërshtar, por s’guxonte. Bâni nji udhtim deri në Lumë e në Dibër me qëllim qi të lidhte ndër vete krenët e atyne viseve qi gjindeshin nën pushtimin sërb për t’i përgatitun mâ së pari për nji qëndresë kombtare, qi të mos i thente me pare anmiku pushtues siç kishte fillue me bâmë; dhe mâ në fund për nji kundërveprim me armë po t’a donte e kur t’a donte nevoja. Në këtë veprim propagande Mustafa Kruja asnji gjysmë fjale s’e foli kundër qeverís së Tiranës.
Mâ se nji herë i u shkruen letra prej Tirane e iu çuen lajmës për t’i mbushun mênden qi të pranonte nji ministrí në qeverín Sulejman Delvina – Ahmet Zogu. I prapsi të gjitha proponimet qi iu bânë.
Koplik, Shkodër 1920
Por kur Tirana qe në rrezik me râmë në duer t’esadistavet me Osman Balin, Halit Lleshin e Tafë Kazín në krye, ai i dha dorën Bajram Currit për të shtypun e dërmue këta. E kur i u kërcënue rreziku i Sërbit Shkodrës, vrapoi mbrênda 24 orve me 200 vullnetarë krutanë atje dhe ndêjti katër muej në ballin e Koplikut. Ahmet Zogu i dërgoi në Shkodër dy sikarë për t’a vramë kur të vinte për ndonji ditë pushimi. E shpëtoi prej atij rreziku nji mik i tij, Ibrahim Hamzai (Kumanova), qi, i lajmuem vetë gand me të tâna hollsít për sa po përgatitej, lajmoi edhe atê. U kthye mbandej në shtëpí të vet. Nga pushimi e qetija e ksaj kohe kanë dalë prej pêndës së tij disa artikuj politikë e shoqnorë të botuem në “Mbrojtjen Kombëtare” të Vlonës. Më 1921 u zgjodh deputet në të parin parlament shqiptar.
Edhe këtu mbajti gjith’atê qëndrim, gjith’ata parime qi kishin frymzue të tanë jetën e tij: anmik i çdo vepre antikombtare e antipopullore. Prandej anmik i papajtueshëm i Ahmet Zogut e prandej kundërshtar edhe i atyne nacionalistave qi bashkpunojshin me tê. U përpoq fort për nji bashkim të shênjtë ndërmjet gjithë deputetve patrijotë me qëllim qi të vetmohej Zogu e t’u pritej hovi intrigave e ambicjeve të tij, por mjerisht s’u ndigjue.”
***
Kur Mustafa Kruja ishte ende në qeverinë e Durrësit, e cila në shumicën dërmuese punonte në Paris, në Shqipëri kishin lindur rryma të reja politike që përgatiteshin të zëvendësonin qeverinë e përkohshme. Kohët politike në Shqipëri lëviznin më me shpejtësi se sa ato të Konferencës së Paqes të Versajës, së cilës i u deshën dy vite për të përcaktuar fizionominë politike të Evropës së mbas luftës së Parë botërore. E parë në këndvështrimin e përfundimeve të saj e të pasojave të tyre, ajo Konferencë nuk qe një sukses i diplomacisë botërore e nuk pati largpamësinë e duhur për të shmangur, nëpërmjet vendimeve të saj, një luftë të Dytë, që nuk priti më shumë se dy dhjetëvjeçarë për të shpërthyer.
I pështjelluar në jetën politike e ndryshimet e saj, mori pjesë në vetë të parë, në biseda me aktorë të ndryshëm që po përgatisnin një fazë të re të zhvillimeve politike. Si përfundim i atyre përsiatjeve, në bisedat e tij, sidomos me përfaqësues të Kosovës, u arrit një ujdi për një platformë veprimesh të cilët do të çonin Vendin në një kongres kombëtar, që do të nxirrte një qeveri të re, e cila duhej t’ishte e shkëputur nga ndikimi italian. Nga bisedimet u pranua Kruja si qytet i kongresit dhe u përcaktua detyra e përfaqësuesit të
saj, që qëndronte në mposhtjen e lëvizjes esadiste, e cila ishte veçanërisht e fuqishme në atë rreth. Nga letër-këmbimi i Mustafa Krujës me historianin Atë Paulin Margjokaj, zbulohet ecuria e atyre bisedimeve dhe e vendimeve të marra dy muaj para se të mblidhej Kongresi i Lushnjës:
“Tash pra marrëveshja qi u nënshkrue përfshinte këto pika: 1) Do të mblidhej nji kongres, para të cilit qeverij’e përkohshme do të paraqitej me spjegue veprimtarín e saj të deriatëherëshme; 2) Kjo qeveri, tue pasë humbun çdo kredit si para popullit ashtu edhe ndër qarqet e hueja, do të zvëndesohej prej nji tjetre; 3) Për kryetár i qeverís së re do t’i paraqitej kongresit kandidatura e Nexhip Dragës; 4) Mustafa Kruja do të rrinte në qeveri të përkohëshme sa kohë qi shërbimi i tij në tê do të shihej i nevojshëm për çâshtjen kombtare, do të përpiqej me mjetet e qeverís qi t’a shrranjoste veprimtarín esadiste në Shqipní të Mesme dhe t’i bindte pushtetet italiane, kur do t’i vinte koha, për moskundërshtimin e mbledhjes së kongresit; 5) Mustafa Kruja, kur të jetë koha e pjekun për mbledhjen e kongresit, do të përpiqet me i bindun shokët e qeverís së përkohshme qi t’a proponojnë vetë mbledhjen e kongresit e të dorzojnë mandatin e saj para tij, po s’e ndëgjuen, ka për të dhânë dorhjekjen.”
Zhvillimet nuk respektuan marrëveshjen që duhej t’ishte në bazën e ngjarjes, e cila do të përcaktonte ndryshimin n’atë periudhë të ecurisë së Shtetit shqiptar. U ndryshua vendi i mbledhjes së kongresit dhe ai që kishte dhënë ndihmesën e tij ndershmërisht në organizimin e tij, u mënjanua si “i rrezikshëm për prirje autoritare e në shërbim të Italisë”. Ky ishte vendimi i inxh. Eshref Frashërit dhe i “Krahut kombëtar” mbasi Mustafa Kruja kishte plotësuar zotimin e tij për të shkulur esadizmën nga rrethi i Krujës. Ai u befasua nga ky ndryshim dhe u vu para një gjendjeje të ndërlikuar shpirtërore e morale, mbasi shpejtimi i veprimeve i hiqte mundësinë të bisedonte me anëtarët e tjerë të qeverisë së Turhan Pashës mbi zhvillimin e ngjarjeve, pra për t’i bindur edhe ata se ai kongres shkonte në dobi të interesave të
Shqipërisë, për të cilat duhet të zotoheshin të gjithë, duke filluar nga ata që ishin aktualisht ende në pushtet. U ftua dy herë në ditët para kongresit, nga Ahmet Zogu, “ylli i ri” i politikës shqiptare, të merrte pjesë në të. Një pjesëmarrje e tillë dhe ndonjë rol drejtues i dalë prej tij, pa miratimin e kolegëve të qeverisë, do të quhej një “akt tradhtie”, i cili për vetë formimin e Mustafa Krujës ishte krejtësisht i papranueshëm, mbas më shumë se dhjetë vite shërbimi të ndershëm kundrejt atdheut.
“Refuzova me i a vûmë vetes këtë njollë morale. Si politikan, historija ndoshta mund të më dënojë për këtë skrupull, por mue më mjafton qi të më dënojë për këtë faj qi kam, për në qoftë faj, e jo për tjetër, jo qi desha të bâhem diktator e aqë mâ pak vegël t’Italís. Se sa kam qênë un vegël e Italís gjatë gjithë jetës s’eme politike, e tregojnë mâ së miri vetë shkrimet e shtetistëve italianë: Ciano e Umiltà, qi kam pamë deri tash”.
Kështu do të shprehej ai mbas më shumë se tridhjetë vitesh, që dukej se ende nuk kishin mundur t’i tresnin plotësisht helmin që kishte gëlltitur nga trauma e pësuar. Në kujtimet e tij Mustafa Kruja e ka quajtur këtë periudhë të jetës së tij si një nga më të vështirat në të cilat ishte gjëndur. Vendosi të mos shkojë në Lushnjë e si pasojë u quajt “tradhtar” prej Zogut e atyre me të cilët kishte nënshkruar marrëveshjen e mëparshme.
Normal. Eshte koha e perkujtimit te qelbesirave te fashizmit.
Pordhe e madhe per Mustafa Krujen. Mund te kete qene shume burre I mire por e dhjeu fare kur u be kryeminister I italianeve.Edhe Peteni u shpall hero kombetar I Frances gjate luftes se pare boterore por e dhjeu gjate luftes se dyte kur u be vegel e Hitlerit dhe u denua e vdiq ne burg.
Asnje lume shurre nuk e lan dot mutin e bashkepunimit me nazizmin, me pushtuesin, me anen e gabuar te historise!
Të birit i takon të mbrojë babanë, po ky akt nuk e ndryshon historinë. Kolaboracionisti mbetet i tillë, dhe nuk justifikohet dot në çdo rrethanë.