Java Kulturore Kineze, udhëtim mes traditave, artit dhe shijeve

23 Shtator 2025, 10:14Kulturë TEMA
Java Kulturore Kineze, udhëtim mes traditave, artit dhe shijeve

Në zemër të Tiranës, Java Kulturore Kineze, sjell artin, muzikën, traditat dhe shijet e këtij vendi të largët.

Mozaiku i pasur kulturor do të bashkojë shekuj historie me krijimtarinë bashkëkohore, shkruan atsh.

Aktiviteti që çel këtë javë është ekspozita “Close as Distant Horizons”.  Ekspozita prezanton punimet e piktorëve të njohur Wu Jun dhe Lin Zhaoyang, duke ofruar një udhëtim vizual mes ndjeshmërisë artistike kineze.

Aktivitetet e Javës Kineze do të zhvillohen edhe jashtë kryeqytetit.

Koncerti “Melodies Along the Silk Road” do të zhvillohet nesër, në teatrin “Skampa” të Elbasanit, duke sjellë thelbin e kulturës kineze përmes muzikës, traditën mijëravjeçare dhe shprehjet moderne vokale e instrumentale.

“Graceful Rhythms in Motion” do të ofrojë një panoramë të kulturës kineze përmes muzikës, operës, vallëzimit dhe përvojave interaktive dhe do të zhvillohet në Hollin e Universitetit të Arteve.

Publiku do të mund të shijojë edhe shijet autentike të kuzhinës kineze, përmes një udhëtimi gastronomik të ofruar nga “The Taste of China”. Aktiviteti do të zhvillohet në shëtitoren “Murat Toptani”, Tiranë dhe ashtu sikurse aktivitetet e tjera, do të jetë i hapur për gjithkënd.

Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 do të sjellin një atmosferë të veçantë në çdo cep të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje