Luljeta Lleshanaku është një nga zërat më origjinalë dhe të fuqishëm të poezisë bashkëkohore shqiptare.
Me një stil të qartë, introspektiv dhe tejet të personalizuar, ajo ka arritur të krijojë një identitet poetik, që e dallon jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në letërsinë botërore, duke u përkthyer dhe botuar në disa gjuhë dhe duke u vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Luljeta Lleshanaku lindi më 1968 në Elbasan, një qytet me tradita të pasura kulturore. Ajo u rrit në një familje në internim për shkak të oponencës ndaj regjimit të imponuar nga diktatura komuniste shqiptare. Lleshanaku u formua gjatë një periudhe të vështirë për Shqipërinë gjatë diktaturës komuniste kur liria e shprehjes ishte e kufizuar dhe letërsia ishte shpesh nën diktatin ideologjik. Kjo periudhë ndikoi thellësisht në mënyrën se si ajo e percepton botën dhe artin.
Lleshanaku përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës në degën e Letërsisë dhe më vonë vijoi studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi një perspektivë më të gjerë mbi letërsinë dhe kulturën perëndimore. Poezia e Luljeta Lleshanakut karakterizohet nga një zë intim, i heshtur por i thellë, shpesh meditativ dhe larg patetikës. Ajo shmang stilin klasik apo pompoz dhe i qëndron besnike një gjuhe të thjeshtë, por të pasur me nëntekste dhe simbole. Ajo shpesh fokusohet në përditshmërinë, jetën e brendshme, kujtimet, raportet ndërnjerëzore dhe trashëgiminë historike e kulturore të vendit të saj. Në vargjet e saj nuk gjejmë shabllone apo klishe; përkundrazi, ajo ka krijuar një formë poetike që është njëkohësisht personale dhe universale. Lleshanaku nuk shkruan për të bërë moralizime, por për të reflektuar mbi jetën me një ndjeshmëri të veçantë. Poezia e saj shpesh është një kundërshtim i heshtur ndaj totalitarizmit, një rrëfim intim për njeriun e thjeshtë që ka jetuar në errësirë, në harresë, apo në pritje të një ndryshimi.
Luljeta Lleshanaku është një figurë që ka kontribuar në emancipimin e letërsisë shqiptare nga izolimi dhe provincializmi. Ajo ka treguar se një poet nga një vend i vogël si Shqipëria mund të ketë një zë të madh në letërsinë botërore, nëse ai zë është i vërtetë dhe autentik. Ajo është gjithashtu një nga zërat më përfaqësues të poetes shqiptare femër, duke sfiduar paragjykimet gjinore dhe duke sjellë një vizion të veçantë dhe të ndjerë mbi rolin e gruas në shoqëri, në histori dhe në art. Luljeta Lleshanaku është një shembull i rrallë i poetit që arrin të jetë thellësisht personal dhe njëkohësisht universal. Ajo nuk i shpëton dhimbjes, kujtesës apo traumës kolektive, por i përpunon këto elemente në mënyrë të tillë që ato të bëhen poezi, jo thjesht rrëfim, por art. Në një kohë kur shumë zëra kërkojnë të dëgjohen, poezia e saj flet me qetësi, por me forcë të jashtëzakonshme. Temat që trajton Luljeta Lleshanaku janë të shumta dhe të shumëllojshme, por gjithmonë të përqendruara rreth përvojës njerëzore, sidomos përvojës së njeriut në një kontekst të caktuar historik e shoqëror – shpesh nën trysninë e sistemit totalitar. Një temë shumë e pranishme është kujtesa, si një proces i dhembshëm dhe i pashmangshëm. Në shumë poezi ajo sjell imazhe nga fëmijëria, nga jeta në Shqipërinë e izoluar, por gjithmonë me një qasje reflektuese, jo thjesht nostalgjike. Kujtimet nuk janë thjesht rikujtime, por metafora të njeriut që kërkon identitetin dhe lirinë e tij.
Pa qenë kurrë e drejtpërdrejtë ose politike në kuptimin klasik, poezia e Lleshanakut është shpesh një dëshmi e heshtur e jetës në diktaturë, e kufizimeve, e frikës, e absurditetit të përditshëm dhe e mungesës së individualitetit. Ajo nuk akuzon, por përshkruan me një ndjeshmëri të rrallë efektet e kësaj kohe në shpirtin e njeriut. Si një nga zërat më të rëndësishëm femërorë në poezinë shqipe, Lleshanaku trajton edhe përvojën e gruas, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë feministe, por përmes portretizimit të jetës së përditshme, pritjes, sakrificës, marrëdhënieve, heshtjes. Gruaja në poezinë e saj është shpesh simbol i qëndrueshmërisë, i përballjes me realitetin, por edhe i ndjeshmërisë së thellë. Një tjetër temë është hapësira, qoftë ajo fizike apo shpirtërore. Shpesh ajo përshkruan vende të mbyllura, dhoma, qytete të vogla, ambiente që sjellin ndjenjën e izolimit, të pritjes, të mërzisë ekzistenciale. Por brenda kësaj mbylljeje ajo arrin të gjejë një botë të tërë, plot poezi dhe ndjeshmëri. Në disa prej librave të saj më të vonshëm, ajo trajton edhe raportin me historinë dhe harresën kolektive, sidomos në kontekstin e post-komunizmit. Poezitë e saj nganjëherë shfaqen si përpjekje për të rikuperuar të kaluarën, por jo në mënyrë nostalgjike, përkundrazi, me një lloj qetësie dhe reflektimi që të bën të mendosh mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare ka përballuar tranzicionin.
Luljeta Lleshanaku ka botuar disa përmbledhje poetike që kanë pasur jehonë të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Disa nga veprat e saj më të njohura janë “Antologji e erës dhe e mjegullës”, “Ishujt e Helenws”, “Libri i natës”, “Haywire: New and Selected Poems” (një përmbledhje në anglisht, përkthyer nga Henry Israeli dhe Shpresa Qatipi). “Negative Space”, një nga librat e saj më të suksesshëm ndërkombëtarisht, i përzgjedhur si finalist për çmimin Griffin Poetry Prize. Poezitë e saj janë përkthyer në shumë gjuhë dhe janë botuar në revista të njohura ndërkombëtare si “The New Yorker”, “Poetry Magazine”, “World Literature Today” dhe të tjera. Luljeta Lleshanaku është një ndër poetet shqiptare më të vlerësuara në arenën ndërkombëtare. Ajo ka fituar çmime prestigjioze si: Çmimi “Crystal Vilenica” në Slloveni (2009). Çmimi PEN për poezinë në përkthim në SHBA. Finaliste e Çmimit Griffin për Poezi, një nga më të rëndësishmit në botë për poezinë në gjuhën angleze. Këto vlerësime nuk janë vetëm meritë e përmbajtjes së poezisë së saj, por edhe e ndikimit që ajo ka pasur në mënyrën sesi poezia shqiptare prezantohet në botë. Në vitin 1996, merr çmimin për librin më të mirë të vitit nga shtëpia botuese “Eurorilindja”.
Në vitin 1999 merr pjesë në “International Writers Program” në Universitetin e Iowas. Është autore e katër koleksioneve me poezi; një prej librave është përkthyer në anglisht nga Henry Israeli, me titullin “Fresco” botuar në Nju Jork, nga shtëpia botuese “New Directions 2002”. Jo vetëm gjuha angleze ka ndërmjetësuar njohjen e poezisë së saj dhe jetës shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, por edhe përkthimi në gjuhën italiane, kroate, polake të disa prej veprave të saj. Krijimtaria e Luljeta Lleshanakut është një pasuri e jashtëzakonshme për letërsinë shqipe moderne. Ajo arrin të sjellë një përvojë të thellë njerëzore, përmes një poezie që është e përmbajtur, filozofike, por gjithmonë prekëse. Në një botë ku shpesh dominon zhurma dhe fjalët e shumta, Lleshanaku zgjedh heshtjen që flet më shumë se çdo fjalë, metaforat e thjeshta që përçojnë mendime të mëdha, dhe një gjuhë që të qëndron gjatë në mendje dhe në zemër.
MISTERI I LUTJEVE
Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas,
me një hundë të skuqur nën jorgan, me zë të ulët,
gati mërmëritje,
me një psherëtimë në fillim dhe në fund,
të hollë e të pastër si një garzë.
Përreth shtëpisë
kishte vetëm një palë shkallë për t’u ngjitur,
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjëjve
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.
Ata luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotash,
duke kërkuar një shtyrje afati.
“Zot, më jep forcë!” e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit
– shpatën.
Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri.
Dhe njësoj
si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.
BERLIN, HOTEL CITADINE
Është mbrëmje. Jashtë dy-tri taksi të vëna në pritje
të ndonjë kalimtari që ka humbur rrugën.
Dhoma është ashtu siç e lashë në mëngjes,
përveç çarçafëve të ndërruar
dhe zhurmës së lehtë të shiut që mbi xhama kërcet
si një tufë lulesh të thara
kur u ndërrojmë vendin.
Dhe i njëjti mesazh në sekretarinë telefonike:
një zë burri, i regjistruar muaj më parë, për një tjetër grua,
për dikë që është fshirë me të njëjtët peshqirë
të larë dhe të parfumuar.
E kthej mesazhin mbrapsht, e dëgjoj disa herë…
Kryqëzohem si direku me një erë të panjohur
duke shmangur pyetjen: “Çfarë mund të ketë ndodhur më pas?”
Më në fund, mund të shtrihem në atë shtrat
të rregulluar nga duar anonime,
do të tendosem midis gjërave të mia të humbura
(pyetjeve që u ngutën të merrnin përgjigje)
si një fill tregues prej mëndafshi
midis fletëve të sapolexuara të librit.
VONESA E TURPIT
Thuhet,
se qenë pikërisht parfumet,
ngurrim për të lënë Versajën pa aromat e saj të preferuara trupore
(kur kuajt hingëllinin rrezikun në oborr),
shkaku që i mori jetën Maria Antuanetës.
Një herë bagazhi im
Mbërriti dy ditë pas meje në Dublin.
Të brendshmet, këpucët numër 37, takëmi i higjienës
tharësja e flokëve, këmisha e natës, valiumet,
novela e përthyer në faqen me gërma korsive
dhe fustanet medium-petite,
vërtiteshin të hutuara, analfabete
në transportierët e boshatisur të aeroporteve transit.
Trupi është i ngathët; vështirë se të befason
me kontinente dhe njerëz
të cilët imagjinata jonë i kish zbuluar me kohë.
Dhe gabimisht mund të mendosh
se kur je i ri, i bukur e gjithë shëndet,
është trupi që paraprin.
Kujto sa herë ai është lënë i vetëm në qilimin e kuq
si aktor episodik, nën zhgënjimin e kamerave.
I ngathët, por dinak,
ai gjuan rastin për të të mbërritur.
Ja kështu, në momentet e mia të hezitimit
erdhën në jetë fëmijët. Dhe kopshti mu zgjerua me të
tjera stinë, tabela,
dhe të tjera mëdyshje
DËBORA E PËRVITSHME
Në këtë qytezë
dëbora e përvitshme,
e mbështetur mbi drurët e rrallë e të vetmuar,
nuk sjell asgjë të re.
Ajo nuk është as më pak e as më shumë
se ecejaket e zakonshme të veteranit
mbështetur mbi patericën e tij të drunjtë.
E njëjta histori lufte
e treguar me qindra herë,
e njëjta markë cigaresh që i zgjatet miqësisht
dhe po të njëjtët sy që e përcjellin,
të errët e dembelë,
atë dhe goditjen e thatë ritmike
derisa silueta e tij të zhduket
midis hijeve të nënshtruara të çative
dhe pikëllimit të tyre
tmerrësisht të ngadaltë…
RRËFIM NË VETEN E TRETË
Ajo zë fill
kur fillon të kërkosh një errësirë të ngjashme
me veten, si rimën në vargun pasues,
për pak muzikë, apo shkëmbim karboni si lulet në mbrëmje,
ajo – ndjesia e të qënit dyzet vjeç.
Dhe është vetëm çështje stili,
mënyra se si ato vendosen mbi
njëra-tjetrën. Sepse nuk pritet më përplasje, dhe as zhurmë,
goditja më e fortë tashmë është marrë,
si statujat, së pari, e marrim atë në hundë.
Një grua afër të dyzetave
është një hije në kërkim të objektit
një e folur në vetën e tretë;
varg mësimesh, me shënime të vockla të kuqe djathtas,
dhe nënvizimesh. Zbrazëtitë midis rreshtave janë mishi, si trupi
-vendpushime të shkurtra, pas derës së dentistit
nga ku hyn edhe del
duhma e arsenikut.
Përvojë…, përvojë…, përvojë,
Zigzage të vogla, dhe sensi i së plotës
me të cilin, krimbi i mëndafshit bren gjethet e manit
duke u nisur nga maja.
Ajo bën paqe me gjithçka: mban sirtarët në rregull,
dhe bën joga,
duke praktikuar shpirtin si një start
ngjitjesh dhe zbritjesh.
…kur i afrohesh të dyzetave,
Ose më mirë: nëse i afrohesh të dyzetave,
sepse të jesh dyzet nuk është një ligj nganjëherë,
por, një zgjedhje
siç zgjedhim në park atë stolin me shpinë nga rruga
nëse nuk presim dikë.
FËMIJËRIA
…apo çajniku
që fishkëllente
përjetësisht me hundë të zëna.
Kur jashtë binte borë
e në oborr
trëndafilat bënin gjumë fëmije nën mjegull,
me thonj të ngulur në fytyrë.
GRUAJA DHE GJIRAFAT
Gruaja kujton
se dikur bënte pjesë
në një familje gjirafash.
Lëkura e tyre e ngrohtë
e piqte ajrin si tjegull.
Fuqia e gjirafave qëndronte te qafa,
qafa e gjatë dhe muskuloze.
Vuajtja e tyre ishte po qafa,
përkulja mbi drurët tropikalë, të shkurtër.
Peizazhi u fshi një ditë,
u fshinë kokat, gjunjët delikatë, kurrizet pullalie,
mbetën vetëm qafat, qafa e pjerrët e gjirafës
e hutuar midis fletës së bardhë
si shkallë lëvizëse aeroportesh
që tërhiqet ngathët mbi pistën e lagësht
pas ikjes së avionit.
KOHË SHIRASH
Edhe pak
dhe shirat do të kapen me kthetra pas dritareve
si shpendë të uritur.
Vijnë nga errësira,
shfaqen vetëm një çast të shkurtër asteroidik
dhe pastaj kridhen prapë në errësirë.
Paqja zbret mbi enët dekorative të bakrit
ekspozuar mbi muret e bardha të kuzhinës,
në enët e fërkuara deri në të shkuarën e tyre
të largët.
Shira,
as të ëmbla e as të njelmëta,
filozofia asnjanëse e jetës
që s’ndalet e as nxiton.
Nga goja e dragoit në një emblemë vikinge
del frikshëm një flakë transparente
e bardhë…
Zjarri i përjetshëm i shirave.
LIBRA TË VERDHË
Një kohë që s’ka shumë të vërteta,
nuk ka as tabu.
Ndoshta ky libër i verdhë është një nga të paktat,
ndonëse gjithçka që mbetet prej tij në mendje
është akti i fshehjes.
Është vapë. Darka shërbehet me ngathtësi dhe
si çdo natë
në orën e caktuar. Ora kur ne mbulojmë njëritjetrin në ekuinoks.
Diçka e gatuar shpejt, një kokë viçi. Hisja ime
është gjuha.
Thonë se, po të hash gjuhë, gjuha të rritet;
po të hash syrin, do të kesh shenjë të mirë.
E nëse ha libra, do të hash veten,
pak e nga pak, nga qoshet në qendër,
si makinat korrëse në fermat kolektive.
Nga kreu i tavolinës vijnë leksione mbi evolucionin,
“Të fortët vdesin; më të dobëtit mbijetojnë!”
në një mënyrë krejt origjinale,
duke mëshiruar lythat me dorë.
Dhe asgjë nuk e dallon nga një darkë e shenjtë
ku në porcione të barabarta ndahet buka dhe shpirti,
të vërtetat e vetme – të lexuara fshehtas
e të mistifikuara gjatë shkëmbimit
njëlloj si librat e verdhë.
SHAH
Është vjeshtë. Venat në mermer
Bymehen nga shirat.
Varret e të afërmve të mi,
Me vetëm katër gisht kohë midis,
Të vënë në radhë
Si një varg makinash të bllokuara
Në kryqëzim me hekurudhën.
Lufta ka marrë fund. Ajo dorëzë farkëtari
Që i mbante dikur, si gishtat, të gjithë bashkë
Është hedhur, e panevojshme, tej.
Jashtë saj, jashtë thjesht ca të njohur
Që presin vetëm trenin të kalojë
Në krahun tjetër të rrugës…
Aroma e dheut
Të kujton shtëpinë
Ku mungon një orë e varur në mur.
Ua pastroj emrat me kujdes në pllaka
Vitet…, si plagë të vogla në gjunjë
Dashurinë.., që tashmë djeg më pak
Se një gjemb trëndafili.
Në të hyrë të varrezës
Roja që luan shah me veten në kabinë.
/Gazeta Panorama
Aman moj Luli, nje poezi per heroine e demokracise Alush Lleshanakun.