Ka progres në rinovimin e Muzeut Kombëtar (VIDEO)

25 Dhjetor 2025, 12:50Kulturë TEMA
Ka progres në rinovimin e Muzeut Kombëtar (VIDEO)

Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për transformimin e tij në një institucion modern dhe të denjë për ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë historike të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së Muzeut Historik Kombëtar, duke e cilësuar atë si një thesar i rëndësishëm i turizmit kulturor.

Pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-të, Muzeu Historik Kombëtar është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi.

Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme që po realizohet në këtë institucion simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, faza e dytë e punimeve vijon me transformimin rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.

Muzeu Historik Kombëtar është një ndër muzeumet më të vizituara në Shqipëri. Projekti për restaurimin e tij është një operacion i jashtëzakonshëm, i udhëhequr nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike. A.K./TemA

1 Komente

  1. s
    sali

    Instaloni air conditioner,sepse ne vere aty te meret fryma

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje