Shkruar nga Avni Alcani
Disa ditë më parë (18 dhjetor 2025), në Bibliotekën publike të qytetit të Librazhdit, u zhvillua konkursi letrar “Sami Leka”. Ky çmim mban emrin Sami L. Leka, një prej përkthyesve më të njohur shqiptarë, i cili është konsideruar si “mjeshtër i madh i përkthimit shqip” dhe “themelues i traditës së përkthimit të letërsisë filozofike në Shqipëri”. Prej tij janë përkthyer mbi 100 libra, kryesisht vepra të letërsisë filozofike, të cilat e kanë pasuruar këtë lloj literature në Shqipëri.
Dihet se leximi është një mjeti më efektiv për të zhvilluar dhe zgjeruar horizontet intelektuale, si dhe për të pasuruar kulturën individuale te çdo individ. Fatkeqsisht, sot, në kushtet e zhvillimit të teknologjisë digitale, leximi është bërë një proces tepër i vështirë dhe në rrethana aspak favorizuese e komode për të. Para një viti (2024), zoti Luan S. Leka, biznesmen i njohur nga Tirana, projektoi idenë e një konkursi letrar, me qëllim nxitjen te të rinjtë leximi i librave në bibliotekën publike të qytetit të Librazhdit.
Këtë vit, Edicioni i dytë i Çmimit Letrar “Sami Leka” 2025, i ishte dedikuar tërësisht lexuesve dhe krijuesve të rinj, veçanërisht nxënësve të shkollave të mesme të Bashkisë së Librazhdit. Qëllimi kryesor i organizatorëve të këtij Konkursi letrar ka qenë nxitja dhe masivizimi i leximit të librave, si dhe për të rritur numrin e lexuesve në Biliotekën “Sami Leka” të qytetit të Librazhdit. Për këtë qëllim, pjesmarrësve në konkurs u ishte vënë si kusht që librat nga do të nxirreshin materialet letrare që do të përgatiteshin për konkurim, si recensionet, analizat letrare, esetë dhe materialet e tjera letrare, duhet të ishin të tërhequra në Bibliotekën e qytetit të Librazhdit dhe të kishin si autor lexuesin, apo antarin e kësaj biblioteke.
Në këtë Edicion të Dytë morën pjesë gjithsej 23 konkurentë, të cilët i dorëzuan krijimet e tyre në Bibliotekën e qytetit të Librazhdit. Sipas kritereve të vendosura, konkuruesit iu nënshtruan verifikimit të antarësisë në bibliotekën “S. Leka”, si dhe u zëvendësuan emrat me numra, me qëllim ruajtjen e anonimatit. Pas përfundimit të konkursit, në prani të punonjësve të bibliotekës, materialet u morën në dorëzim me proces-verbal nga përfaqësuesi i grupit organizator, të cilat u dërguan në Tiranë për gjykim nga juria e ngritur enkas.
Të 23 konkurentët iu nënshtruan një gjykimi të paanshëm nga juria, e cila u përqëndrua kryesisht te serioziteti, origjinaliteti dhe llogjika krijuese. Juria i përzgjodhi materialet në mënyrë objektive, i siti ato me kujdes në çdo detaj dhe në çdo frazë. U vlerësuan punimet që kishin arritjet më të mira krijuese, që do të thotë se juria vlerësoi ato punime, të cilat, jo vetëm ishin cilësisht të arrira, por që u përmbaheshin rreguallave të përcaktuara dhe mënyrës së ekzekutimit të punës.
Duhet theksuar se ky Edicion pati një konkurencë të madhe, gjë e cila e vështirësoi punën e jurisë. Fatkeqsisht, jo të gjithë u vlerësuan me çmime, pasi ato ishin të kufizuara, vetëm 6 (gjashtë) dhe ishte e pamundur që t’u jepeshin çmime gjithë pjesmarrësve, që seriozisht e meritonin. Konkurentët që nuk fituan nuk janë dekurajuar dhe nuk i kanë humbur shpresat, pasi Çmimi letrar “Sami Leka” do të zhvillohet çdo vit.
Në përfundim të seleksionimit Juria shpalli 6 (gjashtë) fitues të Konkursit letrar “Sami Leka” për vitin 2025. Çmimi i Parë, me vlerë 1000 euro, u fitua nga nxënësja e gjimnazit “Ibrahim Muça”, znjsh. Greta Hila. Çmimi i Dytë, me vlerë nga 500 euro u fituan nga dy nxënëset e kësaj shkolle, zonjushat Adelajde Kryemadhi dhe Ajla Alija. Kurse Çmimi i Tretë, me vlerë nga 300 euro, u fituan përsëri nga nxënëset e gjimnazit “I. Muça”, zonjushat Katlin Çerri, Nertila Belba dhe Bora Hila.
Për vitin e ardhshëm janë të ftuar sërish nxënësit e të gjitha shkollave të mesme të Bashkisë së Librazhdit, që, masivisht, të marrin pjesë në Edicionin e Tretë të Konkursit letrar “Sami Leka” për vitin 2026.
Lini një Përgjigje