Kameleon

3 Gusht 2025, 11:13Kulturë Ardian Vehbiu

Ka qenë një tregim humoristik – me gjasë i Qamil Buxhelit, por mos më lini të gaboj – për dikë që u ndie i prekur në nder, sepse një koleg e kish quajtur “kameleon”; doli se ky ishte fyer sepse nuk e dinte kuptimin e kësaj fjale, kameleon, dhe e kish kujtuar shumë më të rëndë cilësimin se ç’ishte vërtet; tani, mbase jam edhe unë që po imagjinoj, por do të më pëlqente shumë sikur, në tregim, edhe ai që e përdori fjalën, fyesi, të mos ia dinte kuptimin. Morali këtu është se nuk ka fare nevojë t’ua dimë kuptimin fjalëve që na vijnë në gojë, sa kohë që kemi bindje se do ta bëjnë efektin e tyre kur i përdorim; dhe se fjalët vetë, njëlloj si ai kameleoni i sharjes, mund të ndërrojnë ngjyrën e lëkurës në përshtatje me ngjyrën e mjedisit.

E përdorur me kuptim përbuzës, kjo fjalë, kameleon, shënjon në shqipe një “Njeri të lëkundshëm e me shumë faqe, që ndërron shpesh qëndrimin a sjelljen për të mbrojtur interesat e veta” – sipas Fjalorit të 1980-ës. Nëse i fyeri, në tregimin më lart, do ta kish paditur fyesin, avokati i këtij të fundit mund të ish mbrojtur me argumentin se ndryshimi i ngjyrës (i faqes) dëshmon edhe aftësi për t'iu përshtatur rrethanave të reja, prandaj kjo kameleon mund të jetë, sipas rastit, edhe kompliment; dhe se, nëse kushdo ka të drejtë të fyhet nga epitete që nuk janë, në vetvete, fyese, kjo nuk e bën vetvetiu me faj përdoruesin e fjalës.

Kush ka parë ndonjë kameleon për së gjalli, mbase do të ma mbështetë argumentin. Kafshë tejet e çuditshme, vërtet; aq e shëmtuar, sa të jetë në kufi me të bukurën. Unë e kam parë nga afër në një dyqan kafshëzash (pet store) këtu në NYC, dhe më kot shpresova që ta ndryshonte ngjyrën, në pajtim me rrethanat e reja – me mua që i isha afruar kafazit. Si i gjuhës që isha (dhe jam), pata menduar atëbotë se kjo kameleon ishte një kompozitë e dy emrave latinë: camel (gamile) + leon (luan), sado absurde të tingëllonte kjo pranëvënie. Në fakt kameleoni nuk të kujton as gamilen, as luanin – por as kali i qyqes, për atë punë, nuk të kujton kalin; por emërtimet zoologjike kanë logjikën e tyre. Ashtu edhe e kisha vrarë pastaj mendjen pse nuk kish dalë ende ndonjë zelltar, që të propozonte shqipërimin e emrit në gamiluan.

E kisha pasur të gabuar etimologjinë time – meqë më pas mësova që të dijshmit fjalën kameleon e kanë shpjeguar si vazhdim të greqishtes khamailéōn (χαμαιλέων), me kuptimin “luan dheu”, ose “luan toke”; se ç’lidhje ka i shkreti kameleon me luanin dhe aq më pak me dheun, këtë vetëm të vjetrit do ta kenë ditur; më shumë për etimologjinë mund të lexoni këtu. Çfarë më kish ngatërruar, në interpretimin tim, ishte etimologjia e emrit tjetët latin, të një lloji gjirafe, camelopardalis, që vjen nga "κάμηλος" (kamēlos), "gamile" + "πάρδαλις" (pardalis), “leopard”; pra, një kafshë që e paskëshin parë si kryqëzim, vizual, të një deveje – për shkak të qafës së gjatë – me një leopard – për shkak të njollave. Këtë fjalë shumë do ta kenë dëgjuar ngaqë ka një konstelacion të quajtur kështu, camelopardalis, që e përkthejnë si “gjirafa”.

Duke qenë punët kaq të ngatërruara në etimologji, dhe duke qenë kameleoni kafshëz disi e pangjashme me luanin që jeton “me këmbë në tokë”, nuk është për t’u habitur që emri kameleon t’i ketë tërhequr folësit, përfshi këtu edhe folësit e shqipes, me strukturën shumërrokëshe, e cila i jep ngjyrim jo vetëm ekzotik, por edhe hijerëndë, duke e vendosur diku midis krokodilit dhe rinocerontit në përfytyrimin kolektiv, të paktën të atyre që nuk kanë kontakt të përditshëm me këtë lloj reptili. Dhe ashtu, personi që u fye ngaqë e quajtën kameleon, mbase njëlloj do të fyhej edhe po ta quanin, bie fjala, hipopotam.

Kokëçarja juridike mbetet; sepse një gjykatësi do t’i duhet të vendosë jo aq nëse fjala kameleon është apo jo fyese, kur përdoret si sharje a si epitet për dikë; por nëse një fjalë mund të fyejë e të çnderojë edhe kur përdoruesit e saj, sharësi dhe i shari për ta thënë me terma saussureanë, nuk ia dinë kuptimin që ka zakonisht në gjuhë (të kodifikuar në fjalorin e Akademisë). Aq më tepër kur ka arsye të supozohet se shumica e shqipfolësve nuk e kanë (pasur) të qartë se çfarë është tamam kameleoni, dhe mund t’ia barazojnë konotacionin “fyes” me atë të fjalëve të tilla si gjarpër, mi (halesh), krimb, vemje, dosë, zhabë, dhi, bushtër ose lopë. T’ia quash sot dikujt të fejuarën “lopë”, në publik, mund të jetë edhe një formë vetëvrasjeje, kur nuk është shprehje sublime e mazokizmit.

Nga ana tjetër, ai që e ka përdorur epitetin kameleon, në tregim, për të cilësuar kolegun, do ta ketë bërë edhe për t’i treguar – vetes, kolegut dhe botës – se nuk i mungon një farë sofistikimi kulturor, një farë rafinimi leksikor, që e ndihmon të shmangë fjalë të tilla si shk*rdhatë duke e dalluar kështu nga kallaballëku; nuk e kam të vështirë të përfytyroj atë situatë, kur sharësi kërkon që, me fjalën që ka zgjedhur, të ketë merak si do të duket, në sytë e të tretëve; duke synuar figurën e dikujt që e ruan stilin “intelektual” edhe në ato situata kur të tjerë, më pak të rafinuar, do të kishin shkarë në vulgaritet. Sot nuk mendoj dot një politikan a businessman që do t’i drejtohej tjetrit kështu, duke e quajtur kameleon; por në vitet kur u pat botuar tregimi, kish një shtresë njerëzish që donin të shquheshin, ngaqë përdornin fjalë të tilla. Dritero Agolli i ka përjetuar këta snobë te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, si njerëz që i zgjedhin epitetet gjykuese edhe për të treguar se gjykimin po e bëjnë nga pozita intelektuale.

Dhe këtu ka rëndësi, besoj, që përdoruesit dhe viktimat e epiteteve të tilla të mos ua kenë ditur mirë kuptimet; sepse një fjalë që ti e sjell në ligjërim, pa ia ditur kuptimin, është si një shishe bosh, që ti mund ta mbushësh me ç’të do e bardha zemër – duke ia lënë viktimës në dorë të zgjedhë nëse do ta konsiderojë këtë si shaka mes kolegësh, apo si fyerje nga ato që i lan vetëm gjaku. Dhe sa më pak t’ia dish kuptimin fjalës, aq më shpejt mbushet ajo me kuptim që rrjedh nga konteksti, duke u sjellë – siç e përmenda – si të ishte edhe ajo vetë kameleon. Natyrisht, siç e shembëllzojnë shumë figura televizive dhe komentues të portaleve, jo të gjithë e kanë talentin dhe guximin për të përdorur fjalë që nuk ua dinë kuptimin; njëlloj sikurse jo të gjithë e kanë sigurinë që fjalës që kanë zgjedhur të përdorin nuk do t’ia dinë kuptimin as ata që kanë përballë, publiku i tyre, miqtë e dashamirësit. Duket ndonjëherë sikur sot madje nuk bëhesh dot figurë publike, pa e zotëruar artin e zorshëm për të përdorur fjalë që nuk i njeh.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

1 Komente

  1. Q
    Que D'or

    Fjala bie , " dekante " , - si e pini kafenë ? Kulloik ? Nxevze ? E tëra duhanet si fjal . Piqet në prush . Të tymët - nxevze ; pa ca hua . " Tamam " ? S'pralet . Ja unë ; duhan kulloik .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje