Gjashtë dekada për ‘Djallin’, jeta që Goethe i fali Faustit! Një jetë në shërbim të artit dhe shpirtit njerëzor, rrëfimi i një vepre që nuk u shkrua, por u jetua

2 Gusht 2025, 21:30Kulturë TEMA
Gjashtë dekada për ‘Djallin’, jeta që Goethe i fali

Pak emra në histori arrijnë të përmbledhin brenda vetes një epokë të tërë. Johann Wolfgang von Goethe është një nga këta.

Ai nuk është vetëm krenaria më e madhe e Gjermanisë letrare, por edhe një nga monumentet më madhështore të mendimit europian modern. Poet, dramaturg, romancier, filozof, shkencëtar, politikan Goethe ishte gjithçka që një njeri i Rilindjes vonë mund të përfytyrohej të ishte. Një dritë që ndriçoi shekullin XVIII dhe la pas një jehonë që nuk shuhet dot. Lindi më 28 gusht 1749 në Frankfurt am Main, në një familje të pasur borgjeze, ku edukimi klasik ishte thelbësor. Qysh i vogël ishte një fëmijë i përthithjes së shpejtë lexonte, shkruante, pikturonte, recitonte. Në moshën 25-vjeçare botoi “Vuajtjet e djaloshit Werther”, një roman që për pak vite do të kthente Evropën në një stuhi ndjenjash, shkruan panorama.

“Efekti Werther” do të bëhej fenomen social, të rinj që visheshin si Werther, flisnin si ai, madje edhe vdisnin si ai. Por jeta e Goethes nuk ishte thjesht rrëfim ndjenjash. Ai hyri në shërbim të Dukës së Weimarit, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Si ministër, diplomat dhe reformatar, ai u bë një figurë e pazëvendësueshme për kulturën gjermane. Ndërkohë, në prapaskenë, ai shkruante një nga veprat më të mëdha të letërsisë botërore “Fausti”. Një dramë që i mori më shumë se 60 vite jetë dhe që mbetet simbol i përplasjes mes shpirtit dhe dijes, dritës dhe errësirës, Zotit dhe Djallit. Goethe ishte, gjithashtu, një mendimtar i thellë. Ai nuk e shihte letërsinë si qëllim më vete, por si mjet për të kuptuar botën. Studimet e tij mbi ngjyrat (ku sfidonte Newtonin), udhëtimet në Itali, interesat për botanikën dhe anatominë, dëshmojnë për një frymë universaliste. Njeriu i arsyes dhe i ndjenjës, i matjes dhe i pashpjegueshmes. Ai krijoi dhe termat “Letërsi botërore” (Weltliteratur), duke parashikuar globalizimin kulturor shumë kohë përpara se ai të ndodhte. Në kohën kur nacionalizmat po rriteshin në Evropë, Goethe mbetej një kozmopolit, që shihte unitet në diversitet.

“Kush e njeh vetëm vendin e vet, nuk njeh as vendin e vet”, shkruante ai. Jetoi 82 vite dhe ndërroi jetë në vitin 1832, me fjalët “Mehr Licht!” (“Më shumë dritë!”). Këto dy fjalë, të fundit në buzët e tij, janë bërë një testament i gjithë jetës dhe veprës së tij kërkimi i dritës, i dijes, i shpirtit të njeriut. Goethe nuk është thjesht një shkrimtar që duhet lexuar, por një mendje që duhet njohur, për të kuptuar më mirë vetveten, Evropën dhe humanizmin. Në një kohë kur mendimi shpesh degradohet në slogane, kthimi te Goethe është një kthim te thellësia. Në kohën e vrazhdësisë së menjëhershme, ai na mëson durimin e formës. Në kohën e rrjeteve sociale, ai kujton që njeriu është më shumë sesa opinioni i radhës.

Lini një Përgjigje