Kisha më e vjetër e Durrësit mikpret festivalin e Muzikës së Dhomës

4 Korrik 2025, 16:02Kulturë TEMA
Kisha më e vjetër e Durrësit mikpret festivalin e Muzikës

Kur katër artistë të rinj me kutitë e instrumenteve në dorë, hynë në kon katedralen “Shën Luçia” të Durrësit të martën pasdite askush nga të pranishmit nuk u habit.

Kisha më e vjetër katolike e qytetit antik që prej disa vitesh ka hapur dyert për koncertet muzikore të artistëve vendas dhe të huaj, shkruan shqiptarja.

Edoardo Zosi, bashkë me kolegët e tij të Kuartetit “Adorno” kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë së Veriut, dhe janë adoptuar menjëherë me mjediset e Kon katedrales:

“Ka një akustikë të shkëlqyer – thotë ai, duke shtuar se “edhe muzika perëndimore, shekuj më parë monofonike, ka lindur falë akustikës së kupolave në kisha”.

Bankot e kishës mbushen shumë shpejt dhe tingujt e instrumenteve krijojnë një mrekulli të vogël me partiturat e Franz Shubertit dhe Antonin Dvorzhakut.

“Është mbrëmja e dytë e edicionit të 20-të të Festivalit ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës –tha Nevila Kalaja, themeluese e këtij Festivali, i cili deri në përfundimin e tij më 21 korrik do ti mbledhë artdashësit në Kishë edhe 7 herë të tjera.

Nevila tha se në mjediset e kultit për të tretin vit radhazi kanë gjetur mikpritje dhe mbështetje. Pa harruar se deri tani edhe shpenzimet për energjinë elektrike dhe kondicionerët i ka përballuar Don Mariani, famullitari – shton ajo.

A ka ndonjë të metë për koncertet muzikore, Kisha “Shën Luçia”?

“Vetëm numrin e kufizuar të spektatorëve. Artdashësit e pasionuar janë shumë më tepër  – shprehet instrumentistja Nevila Kalaja, e cila i ka ngjitur vitet e kaluar artistët e Festivalit në hapësirat e Muzeut Arkeologjik, teatrit “Aleksandër Moisiu”, etj.

Por institucionet e artit në qytet kanë shënuar vonesa në rikonstruksione, dhe alternativa e “Shën Lucias” u gjet si zgjidhje shumë e mirë.

Vetë kon katedralja është restauruar 7 vjet më parë me rastin e 150-vjetorit të ndërtimit kishës më të vjetër e qytetit.

Famullitari, Don Marian Lumçi konsiderohet një idhull në mjediset e kishës “Shën Luçia”.

Besimtarët dhe artistët e respektojnë, pasi kisha ka krijuar kushte për të rinjtë që interpretojnë në violinë e kitarrë, apo edhe kur paraqesin poezitë e sapobotuara..

“Sipas meje kisha “Shën Luçia” mbi të gjitha është një pikë referimi shpirtërore, që drejton praktikën e jetesës sonë të përditshme – tha Carlo Cherson, një pensionist italian që jeton prej dy vjetësh në Durrës.

“Kur bëhet edhe një vend i qetë përballjesh kulturore, aq më mirë – shton Carlo, i cili drejton një grup komunitar bashkëatdhetarësh, që kanë gjetur mbështetje në Kishë.

“Në “Shën Lucia”, të gjithë muzikantët që kanë luajtur aty, e kane ndjerë veten “në familje”  kryesisht nga dashuria dhe mirësia e njerëzve që mbajnë dyert e asaj vatre hapur, duke ofruar çdo gjë, pa kërkuar asgjë”.

Kështu e vlerëson përvojën e tij muzikore në institucionin e kultit violinisti Florian Vlashi, i cili që prej 33 vitesh drejton një Ansambël muzikor në Spanjë.

Vlashi kujton “marrëdhëniet me Kishën Katolike të Durrësit që kur ishte fëmijë.  

“Më kujtohet koncerti i parë aty me “Formacionin e Harqeve Jan Kukuzeli” të shkollës së muzikës në dhjetorin e vitit 1989 -  vepra nga Vivaldi, Kukuzeli  e Bach-Gounot. Duhet të ketë qenë koncerti i parë i muzikës klasike aty.   

Në Edicionin II të Bienales muzikore luajtëm aty për herë të parë në Shqipëri veprën madhore “Arti i Fugës” nga J.S.Bach; e kështu me rradhë, koncertet dedikuar Familjes Durazzo, Kori i Filharmonise së Kosovës me Koralet e Kukuzelit dhe Gjergj Danush Lapacajes (sh. XVI) e deri tek Mesazhet e Nënë Terezës me muzikën e Haydn-it “Shtatë Fjalët e Fundit të Krishtit në Kryq”. 

Tonini dhe e shoqja Eni nuk mungojnë asnjëherë në koncertet që organizohen në Kishën “Shën Luëia”. “Marrim edhe vajzën violiniste, dhe ndjehemi shumë mirë, pasi bisedojmë me artistët në fund të shfaqjes – shprehen bashkëshortët Cefa”.

“Edhe këtë vit shumica e instrumentistëve vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit e të Europës, nddërsa në sallë bashkë me ne ka dhjetra turistë dhe qytetarë të huaj – thotë  Tonini.

Instrumentistët e kuartetit “Adorno” rikthehen në podium për përshëndetjen, dhe Edoardo, drejtuesi i grupit ia dedikon pjesën e fundit Don Marianit, si shenjë vlerësimi për mikpritjen.

 “Muzika është universale. Ajo mund të luhet në çdo qendër kulti, i çfarëdo besimi qoftë. Këto vende, veç arkitekturës, akustikës e respektit për traditën, ofrojnë atë që është kryesore: paqen dhe heshtjen për meditim me veten dhe Hyjnoren, si qëllim i të gjithë besimeve dhe arteve – përfundon violinisti durrsak Florian Vlashi.

1 Komente

  1. K
    KOZMA PAPA ,,DHE OSMAN HOXHA

    TE LEJOHEN VETEM TE KRISHTERET TE JAPIN KOCERT NE KISHE ,,,MYSLYMANET SUNIT DHE SHIIT TE JAPIN KONCET NE XHAMI OSE TEQE ,,,

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje