Botuesi i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Bujar Hudhri, ka ndarë kujtime dhe reflektime personale mbi marrëdhënien shumëvjeçare me autorin e madh të letrave shqipe.
Me një ndjeshmëri të veçantë, Hudhri ka vënë në pah rolin e pazëvendësueshëm të bashkëshortes së Kadaresë, Helena Kadare, në jetën dhe krijimtarinë e tij.
“Njeriu që ka qëndruar më pranë tij ka qenë bashkëshortja e tij, Helena Kadare. Shtëpia e shkrimtarit është shtëpia botuese, është shtëpia e dytë ose shtëpia e vërtetë”, tha Hudhri në “Kjo Javë” në News24.
Ai foli për afërsinë personale dhe profesionale me Kadarenë gjatë tre dekadave të fundit, që nga takimi i parë në vitin 1995. Një takim që, siç kujton vetë ai, nuk nisi në mënyrën më ideale, për shkak të një keqkuptimi me orarin.
“Takimi ishte lënë në orën 14:00 dhe në këtë orë zakonisht hahet dreka. Nuk shkova. Kadare ishte një njeri që e kishte problem korrektësinë, disiplina e tij ishte e hekurt. Ai kishte marrë informacion për mua para takimit, patjetër.”
Hudhri përshkroi Kadarenë si një njeri që mbante një përzierje të misterit dhe ndjeshmërisë, një figurë që mund të perceptohej si e ftohtë, por që mbartte një zemër të ngrohtë dhe një ndershmëri të thellë në marrëdhëniet njerëzore.
“Ai kishte heshtje, arrogancë, mister, vetminë. Ky njeri që të duket kaq shpërfillës, ka një zemër të ngrohtë, është shumë i dashur dhe korrekt në gjithçka.”
Një nga momentet më të thella të përshkruara prej tij ishte botimi i veprës së plotë të Kadaresë. Sipas Hudhrit, shkrimtari e rishikoi çdo detaj për të përsosur tekstin, në një proces që ai e përshkroi si “formimin e një diamanti”.
“Ismail Kadare e ka riparë veprën, për ta sjellë si diamant. Ishte shumë i ndjeshëm ndaj vërejtjeve dhe e vlerësonte shumë lexuesin.”
Botuesi përmendi edhe veprën e preferuar të Kadaresë “Pallati i Ëndrrave”, një roman që jo vetëm tronditi regjimin komunist në kohën e botimit, por që mbetet një nga veprat më të fuqishme të letërsisë shqiptare moderne.
“Një studiues ka thënë se Kadare e meritonte Nobelin vetëm pse ka shkruar këtë vepër. Për këtë libër iu bë një Plenium në vitin 1982, dhe po të mos ishte ambasada franceze, mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe.”
Hudhri theksoi se, ndonëse dhimbja për ndarjen e Kadaresë do të zbutet për opinionin e gjerë, për ata që kanë qenë afër tij, ajo do të mbetet e pashuar.