Korçë/ Ekspozita "Kodi i jetës" e Maria Shukullit tërheq qindra vizitorë

13 Prill 2026, 13:50Kulturë TEMA
Korçë/ Ekspozita "Kodi i jetës" e Maria Shukullit

Për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, qyteti i Korçës  mikpriti ekspozitën e parë ndërkombëtare të vezëve të Pashkës.

Ekspozita “Kodi i jetës” nga Maria Shukulli, e çelur më 4 prill në galerinë “Guri Madhi” tërhoqi gjatë këtyre ditëve qindra vizitorë si nga Korça, por edhe turistë të huaj që ndodhen këto ditë në qytet për të festuar Pashkën.

Vizitorët patën mundësinë të shikojnë modele unike, të punuara me dorë, ku spikasin ngjyrat tradicionale si e kuqja simbolike e Pashkës, por edhe dizajne bashkëkohore që sjellin një frymë të re në këtë traditë të hershme.

Ky koleksion i rrallë, i kuruar me përkushtim për më shumë se një vit, solli në Korçë veprat e artistëve të rinj nga vende të ndryshme të Evropës Lindore, si Ukraina, Polonia dhe Rumania, duke i dhënë ekspozitës një dimension të gjerë ndërkombëtar.

Ekspozita dallon për faktin se nuk paraqet thjesht vezë të dekoruara, por vepra arti që mbartin simbolikë të thellë.

Vezët janë realizuar me dyllë dhe bojëra organike, duke ruajtur autenticitetin dhe traditën.  Kjo është hera e parë që një ekspozitë e tillë organizohet në këtë formë.

Ekspozita “Kodi i jetës”  qëndron e hapur edhe sot, teksa synohet që të kthehet në një traditë të përvitshme. A.K./TemA

Lini një Përgjigje