
Nga Dritan Haxhia
Nuk është aspak e lehtë të shkruash apo ti drejtohesh një njeriu me kuptimin e plotë të fjalës, një gjeniu të folklorit dhe muzikes Shqiptare siç është profesor Tish Daija Artist i Popullit. Ai është kaq modest dhe kaq popullor saqë menjëherë të thotë se “ Një pjesë e mirë e artistëve lindin dhe vdesin pa e kuptuar se kanë talent”. Ishte vetë koha dhe fati i madh që ne kishim një mësues si Prek Jakova që na edukoi dashninë për muzikën thotë ai ndër të tjera. Nuk mund të harrohen Simon Gjoni, Çesk Zadeja, Tonin Harapi apo Tonin Rrota të gjithë këta shokë fëminije, dhe më vonë brezi i famshëm i muzikës Shqiptare.
Artisti i Popullit Serafin Fanko (aktor-regjizor) para disa vitesh tregonte “Në Shkodër në lagjen Badër është një rrugicë e vogël, rruga Marvukaj një rrugicë që është e mbyllur në fund, e mendo se kjo rrugë e vogël ka lind e rrit Artist të Popullit si Çesk Zadeja, Tano Banushi, Tish Daija dhe Serafin Fanko”. Kur pyetën Feim Ibrahimi një nga nxënësit e Tishit se çfarë mundi me të dhënë Tishi ty, ai u përgjigj “Mjafton se më dha kurajon për tu ba kompozitor”. Tish Daija ka mbyllur 76-vjet dhe nuk është aspak e çuditëshme kur e sheh dhe rri përballë tij, të të japë përshtypjen e një 50-veçari që fluturon kur ecën në rrugë me mëdje e zemër të pastër si uji i bjeshkëve tona, me një kujtesë e kulturë të mahnitshme. Duket se vitet nuk e mplakun artistin e madh për të cilin të gjithë kanë veç një fjalë të mirë dhe frymëzohen nga ai.
Profesor në radhë të parë ju faleminderit që pranuat të na flisni Do të dëshironja ta fillonim bisedën tonë nga familja dhe fëmijrija juaj. Ma merr mëndja se lidhja juaj me muzikën diku atje e ka dhe zanafillën e saj.
E vërteta është se unë duhet të jem krenarë për familjen time. Mund të ju them se është hera e parë që gazetar më pyet për familjen time...ju faleminderit (i mbushen sytë). Në 75 vjetorin tim kur u mblodhën shokët në Lidhjen e Shkrimtarëve për të më festuar ditëlindjen, i madhi profesor Hamit Beqja foli shumë për familjen time e mu gëzu shumë zemra, juve sot doni të mësoni për ta. Ne kemi qënë një familje prej dymbëdhjetë vetësh. Babai im Cini dhe xhaxhai Nushi të lindur në Potgoricë sepse në atë kohë në Shkodër xhaxhi i tyre kishte vrarë një oficer turk se i kishte sharë flamurin, ishin shpërngulun atje. Ata kanë qënë marangozë, ndofta nga më të mirët në Shkodër sepse prej tyre dolën shumë mjeshtra të drurit. Ata ishin ndër krijuesit e shoqërisë artistike “Rozafat” që në atë periudhë njihej për aktivitetet e saja kulturore e artistike si koncerte, pjesë teatrale etj. Unë në këtë ambjent u rrita. Duhet bërë e njohur se në atë kohe “ahengun” në Shkodër e bënin marangozat si Karlo Pali. Këta përveç dasmave që bënin, të shtunën mrama mlilleshin në oborrin tonë. Unë isha i vogël e këndoja me ta e mësoja këngë të vjetra dasmash. Karlo Pali është autori i kangës “Knon bilbili poshtë zallit” një nga perlat e ahengut Shkodran, “Kur më shkon si zog n’hava”.
Përveç sofrës Shkodrane ku ju mësonit “sekretet” burimore për kulturën dhe muzikën popullore, a egzistonte mundësia për të studiuar më me bazë për muzikën në përgjithësi megjithëse jetonit në një periudhë të vështirë.?
Ne u futëm në korin e kishës, kur thëm ne nënkuptoj unë, Qesk Zadeja, Tonin Harapi, Tonin Rrota, Zef Gruda, Simon Gjoni etj, Aty korin e drejtonte i madhi Prek Jakova. Aty ishte një prift pater Filip Mazreku i cili mund të them se ishte mësuesi ynë i parë. Ai kishte shumë vegla muzikore të cilat nuk i mbyllte kurrë e ne si çapkënë që ishim uleshim e luanim me orë të tana. Aty mësum solfexh që në moshën gjashtë vjeçare. Ne vërtetë këndonim muzikë kishtare por kjo muzike ishte e Bahut e Mozart, Bethoven dhe ishte shansi më i madh që na u dha të edukoheshim me klasikët që fëmij. Mbaj mend që profesor P.Jakovës sëbashku me patër Filipin ju pëlqente alpnizmi dhe skitë e kështu që më merrnin me vete. Prifti na ndihmonte sepse në ç’do fshat që kalonim flinim nëpër “qela” (kisha të vogla). Këtu mu dha mundësia të njihem nga afër me të gjithë muzikën malsore që në moshën pësëmbëdhjetë vjeçare.
Ma merr mëndja se dhe krijimet e para tuaja u ndikuan nga gjithë ky bagazh folklorik që vilnit nëpër malsi. Çfarë ju vjen ndërmend. Po krijimi i parë cili ka qënë?
Krijimet e para i kam ba që në moshën 13-14-vjeçare. Kanga “Çikë o mori çikë”,”Kanga e krushqëve”,”Me lule të bukura”. Kangën “Çikë o mori çikë” unë e cilësoj si kangën më të bukura të repertorit tim e cila vazhdon të këndohet dhe sot e kësaj dite. Aso kohe i këndonin kangëtar si Pjetër Gjergji apo Luçie Miloti. Shumë kush e di se këto kangë janë ba të njohura edhe në diasporën shqiptare që në vitet ‘45 kur ndërtohej rruga Kukës-Peshkopi, shkak për këtë që bërë një grup aksjonistësh Kosovarë të cilët i mësuan e transmetuan në treven e Kosovës e Dukagjinit. Këto kangë janë nji kombinim mes ahengut që vjen nga muzika orientale dhe muzika malsore ose muzika e valleve Shkodrane siç ishte ajo Zadrimore. Të gjitha këto kanë ndikuar në kompozimet e mija. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare shkova në Vlore. Atje fillova të hulmëtoj e të njihem me muzikën e jugut, polofoninë e cila më ndikoj më vonë në punën time profesionale. Nuk duhet të harrojmë se jemi ndofta nga vëndet më të pasura në botë për folkor, jemi një popull me larmi kangësh, vallesh e kostumesh. Kemi rreth 150 llojë kostumesh. Veç Shkodra sa ka... Kur flas për Shkodrën kemi parasyshë Merditën, Pukën, Dukagjinin, Malcinë e Madhe, Lezhën kanë qënë të gjitha këto nën/prefekturë e Shkodres, këto e kanë ba atë.
Profesor një kompozitor dhe njeri si ju, me një bagazh kaq të gjërë dhe jo veç muzikor, duke studiuar dhe jashtë? Si qëndron e vërteta e hershme? Po veprat e mëdha muzikore që kompozuat më vonë si erdhën në mëndjen dhe shpirtin tuaj..?
E vërteta është se unë që të njihem me muzikën në veçanti më ka ndihmuar banda “Françeskane” nën drejtimin e Prek Jakovës që i detyrohem shumë. Nuk është aspak rastësi që një pjesë e mirë e artistëve lindin e vdesin pa e kuptuar se kanë talent. Se si ndodhi që nga kjo bandë nga ky grup shokësh dolën figura të medha është më se e qartë. Ju krijuan kushtet bazë, u edukuan dhe formuan që në fëmijni. Shumë nga ne më vonë kishin talentin, armën më të fuqishme dhe fatin natyrisht që të studionin dhe jashtë vendit, por nuk mund të harroj bisedat e të moshuarve që dëgjonim me vëmëndje kur bisedonin për probleme të ndryshme apo për gëzim. Ne ishim njohur fillimisht me kulturën muzikore shqiptare dhe më pas studiuam anën teknike. Me 1951 unë sëbashku me disa nga moshatarët e mijë kreva studimet në Konservatorin e famshëm të Moskës “Çajkovski” më profesor si Shostakovi apo Prokofi që dhe sot janë nga kompozitorët që egzekutohen më shumë në gjithë botën. Nuk e them për modesti por atë që fituam nga shkolla bashkë me Çesk Zadejën fituam dhe nga jeta artistike. Në ato ambjente u njohëm dhe dëgjuam artistë nga më të mëdhenj të botës dhe ishte e natyrshme të përfitonim shumë.
Veprat e mëdha kompozicionale erdhën dalëngadal si p.sh opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptarë “Halili dhe Hajria”, etj.
A ka shanse muzika e sotme Shqiptare që ta gjej rrugën e saj sepse, siç e dini shumica e muzikantëve dhe brezit më të mirë janë larguar jashtë vendit. A shohim ndonjë yll në horizont që akoma e mban flakën ndezur si pishtarë të brezit tuaj të mrekullueshëm!
Thotë një fjalë të urtë populli ynë “mos rrjedhtë, pikon”. E verteta është së ç’do njeri mat me kutin e vet, unë jamë prej atyre që janë optimist por mos të harrojmë se jemi një popull jashtëzakonisht i talentuar. Nga nisem. Shumë kohë përpara këta njerz nuk kanë patur mundësi të merren me shkenca si fizika apo kimia por me folklorin janë marrë. Me një kallam shqiptari bënte fyellin apo, me një copë dru bënte çiftelinë. Të gjitha këto ky popull i ka ba sepse ka qënë i talentuar, e këtë talen po e tregon sot në biznes, ndertime apo diku tjetër dhe po vazhdon. Po të flasim për krijuesit e rinjë dhe ata nuk ngelën mbrapa sepse janë shumë të talentuar si p.sh Ylli Leka që organizoi për herë të parë në vënd një orkestër prej 150 muzikantësh dhe 150 veta si kor duke interpretuar simfoninë e nëntë të Bethoven. Inisiativa ishte e mrekullueshme.....
Në kohën kur shqipëria ishte e mbyllur juve keni patur fatin të shihni shumë vende të tjera si një nga drejtuesit e Ansamblit të Shtetit. Jeni ngjitur në skenat e tre kontinenteve. Na keni sjellë dhe “Gjerdanin e Artë” nga takimi folklorik ndërkombëtar që u zhvillua në Dizhon të Francës në fillim të vitit 1970 i cili pati bërë aq famë në botë saqë nuk është harruar deri më sot.
Ato janë momente të pashlyeshme nga zemra e mëndja biles atyre turneve të famshme i kam kushtuar dhe një libër që ka dalë në qarkullim në shqipëri. Çfarë të ju them. Kishim artistet më të mirë, valltarë që “fluturonin” e këngëtarë që “cicëronin” që sot pothuajse kanë ngelur të harruar. Nuk ka nevojë të jua përsëris për kostumet dhe folklorin burimor shqiptarë që ka lënë gjurmë aty ku kaloi.
Më fal profesor por dua të ju kujtoj se çfarë shkruanin gazetat Franceze përpara konkurimit tuaj në Dizhon;
“Shqiptarët janë të lehtë si era, por nën këmbët e tyre dridhet toka...vallet shqiptare janë kaq dinamike dhe virtuoze, sa ti mendon se valltarët do bien për tokë. Por ata, jo vetëm qëndrojnë si në fluturim por, megjithë ngarkesën fizike, për asnjë çast nga fytyra e tyre nuk zhduket buzëqeshja”.
Është mëse e vërtetë biles shtonin mes të tjerash për virtuozin tonë në çifteli; “Sukses të mahnitshëm pati orkestra simfonike prej dy telash e Ndue Shytit.” Artist i Popullit.
Të nesërmen pasi kishim marrë “Gjerdanin” shkruanin me shkronja të mëdha e kryeradhë “E le Delirue”, që do të thotë; njerz në kulmin e gëzimit, gati jashtë vetes”. Poshtë fotos diçitura; “Shqiptarët marrin Gjerdanin e Artë e do ta çojnë në Shqipëri”. Ishin momente të paharruara me të vërtetë për të gjithë ne në veçanti, për atdheun tonë.
Në vitin 1978 mbas turneut të këngëtarës së famshme Greke, Marinela në Shqipëri, Ansambli i shtetit i ktheu vizitën Greqisë.
Ashtu ndodhi biles në programin që përgatitëm me kërkesën e palës Greke përfshimë dhe disa kangë të muzikës së lehtë dhe asaj qytetare, kënduar nga Gaqo Qako dhe Ema Qazimi, ndërsa në repertorin e saj madhështorja Vaçe Zela kishte përgatitur një nga këngët më të vështira të repertorit të Marinelës e them këtë sepse më vonë u ndodhëm përpara një surprize të paharruar: Turneun e filluam në Janinë ku ishte planifikuar një koncert, por ishte e pamundur të largohej pa një të dytë sepse biletat ishin shitur në moment. Kur po dilnim nga Teatri në sheshin përballë ishin grumbulluar shumë njerëz për të na përgëzuar e uruar për kënaqësinë që ju dhamë. Dhamë koncerte në disa qytete të tjera e mbaj mbresa të mrekullueshme sepse na u bë një pritje e veçantë. Gjatë turneut në Greqi nuk humbëm rastin për të vizituar qëndrat monumentale të antikitetit, me të cilat Greqia është mbushur plot.
Koncertin e parë në Athinë e dhamë në Amfiteatrin e famshëm të Akropolit, Irodhio në të cilin kanë dhënë shfaqje veç “kokat” e grupet më të mira nga e gjithë bota. Kjo tregonte seriozitetin e vizitës dhe të grupit tonë. Publiku grek është shumë artëdashës dhe entuziazmi i tij nuk ka fund. Në vëndet e para mbi të gjithë dallohej grupi i Marinelës. Isha kurioz se si do ta priste Marinela këngën e saj të interpretuar nga Vaçe Zela. Unë në një qoshe vështroja veç atë gjatë gjithë këngës. Marinela dëgjonte e duartrokiste të gjitha kangët e Vaçes. Kur në fund filloi kanga Greke, Marinela u kthye në statujë. S’po kuptoja asgjë. Ambicje të ishtë apo gjelozi, çmirë apo përqëndrim, kënaqësi! Kanga mbaroi. Atëherë më panë sytë që Marinela u zgjua nga ai hipnotizim si një ëndërr dhe me brohoritje të fuqishme e me një tufë lulesh në duar u ngjit drejt skenës së lashtë për të befasuar Vaçen tonë me bravo dhe thirrje të fuqishme nga publiku në sallë. Ato s’kishin të mbaruar: Të nesërmen pasi e falenderova për pritjen i shpreha gjithashtu mendimin se artisti i vërtetë është i madh në të gjitha aspektet e jetës së tij...”Mëndjemadhësia, më tha ajo, është shënjë e mungesës së kulturës, kurse artistët e vërtetë janë njerz me kulturë”. Pas gjithë turneut dhe me kthimin tonë nga Florina, pas gjithë asaj pritje dhe mendoni se ne kishim ardhur në një kohë që në pushtet ishin kolonelët mendova se “Popujt janë popuj, dhe dëshirat e tyre kanë qënë të jetojnë në miqësi, paqë dhe harmoni”.
Më vonë juve e kini vizituar disa herë Greqinë shtetin fqinj !
E kam vizituar atë dhe kam shumë miq atje sikur dhe në gjith botën. Njoh mjaft mirë kulturën dhe muzikën Grekë. Një nga gjigantët e muzikës Greke ngelet Ksenakis i cili vdiq para një viti në Francë. Jam njohur me veprat e tij që më kohë. Ne biles patëm fatin dhe nderin e madh që ta na vizitonte në Shqipëri para katër vitesh dhe të largohej me mbresat më të mira. Kam mik Theodhorakin që e keni mik dhe ju. Jam njohur me Haxhidhakin kompozitorin më të vlerësuar të muzikës Greke, në kohë kur krijoji orkestrën e ngjyrave në të cilën pjesa bazë e saj përbëhej nga muzikantë shqiptarë të cilët vazhdojnë akoma të punojnë atje. Miku im më i veçantë është Jorgos Leocakos një nga muzikantët më të mëdhenj të Greqisë. Ai është dhe hulmëtues i muzikës Greke dhe i muzikës Shqiptare për të cilën po përgatit për botim një vepër prej tetëqind faqesh. Është me të vërtetë fat i madh për ne.
Ju keni një djalë në emigracion, a do të donit të ju transmetonit disa fjalë zemre të mërguarve!
Djalin e kam muzikant dhe sot ndodhet në Nju-Jork si pedagog në një konservator, por ngelet i mërguar si gjithë të tjerët, Greqi, Itali, Kanada apo Gjermani. Për tim bir më vjen keq se nuk ka kushte për të kompozuar e kjo më dhëmb.
Unë jam krenarë që një pjesë e mirë e muzikantëve shqiptarë si Inva Mula, Renato Ripo apo Tedi Papavrami, e shumë të tjerë na nderojnë dhe vlerësohen nga të huajit. Muzika zbut zemrat e njerzve dhe këta artistë luajnë një rol madhor në ndihmë të shqiptarve jashtë atdheut. Do të dëshiroja që të gjithë emigrantë të luajnë një rol kaq pozitiv. Jam i bindur se pjesa më e madhe e tyre janë bijtë të sjellshë e punëtorë dhe nuk harrojnë në asnjë moment vendin e tyre kulturën, traditat dhe zakonet tona të vyera.. Ju faleminderit:
Lini një Përgjigje