Shqipja e drunjtë (VII)

11 Prill 2026, 19:30Kulturë Ardian Vehbiu

Shpesh shqipen e drunjtë e ndiejmë para edhe se të mund të tregojmë me gisht se çfarë pikërisht në thënie na e ka shkaktuar ndjesinë.

Natyrisht, këtu nuk kemi të bëjmë aq me një faktor të vetëm për t’u identifikuar dhe mënjanuar nëpërmjet një formule të lehtë, sesa me një mendësi shprehëse e cila trupëzohet në mënyra të ndryshme.

Tiparet kryesore gjuhësore të shqipes së drunjtë janë ndoshta emërzimi i foljeve dhe i mbiemrave, togfjalëzimi i ndajfoljeve, pleonazma, togjet e parafabrikuara dhe fjalët parazitare; por megjithatë mekanizmat përftuese të këtyre tipareve ndryshojnë sipas kontekstit.

Të marrim një fjali të rëndomtë nga një tekst i rëndomtë, i hartuar ndoshta pa shumë pasion, e njëlloj i ndjekur me indiferencë nga lexuesit:

Burimet potenciale për të mbështetur këtë siguri të ekonomisë shqiptare duhet të vijnë nga shkurtimet e shpenzimeve operative dhe rritj[a] e shpenzimeve për investime.

Çfarë vihet re në këtë fjali? Para së gjithash, moria e emrave prejfoljorë të veprimit: burimet, shkurtimet, shpenzimet, rritja, investime.

Po ashtu, foljet e dobëta ose me lidhje të dobëta logjike me kryefjalën: burimet mbështetin sigurinë e ekonomisë, burimet vijnë nga shkurtimet

Këto folje të dobëta shfaqen në thënie ngaqë veprimet e mirëfillta që ka folësi në mendje shprehen me anë të emrave prejfoljorë. Në fakt, konceptet kryesore të fjalisë janë:

shpenzimet operative duhet të shkurtohen

shpenzimet për investime duhet të rriten

Po ashtu, togfjalëshat shkurtimet e shpenzimeve dhe rritja e shpenzimeve nuk janë veçse emërzime të togfjalëshave foljorë shpenzoj më pak dhe shpenzoj më shumë.

Shembulli dëshmon se thënia drunjëzohet duke i shndërruar foljet e forta, si shpenzoj, shkurtoj, rrit, investoj në emra prejfoljorë të veprimit, dhe duke i shtuar fjalisë folje të dobëta: mbështetin, vijnë nga

Për të garantuar një mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi, është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disa vjeçar duke arritur deri edhe në përcaktimin e një niveli financiar si një përqindje e caktuar e PPB.

Edhe këtu emrat prejfoljorë mbizotërojnë: mirëfunksionim, mbështetje, veprimi, përcaktimi

Megjithatë, ndeshim edhe një dukuri të re – folja zbërthehet në një strukturë të tipit FOLJE E DOBËT + EMËR VEPRIMI:

mbështet sistemin financiarisht – realizoj një mbështetje financiare të sistemit

Folësi në këtë rast duket se ka vendosur ta ruajë togfjalëshin mbështetja financiare të paprekur; që këtej, ndihet i detyruar ta përdorë foljen e dobët realizoj mbështetjen financiare.

arrij përcaktimin e nivelit financiar

Meqë edhe këtu, përcaktimi i nivelit financiar funksionon si togfjalësh i ngrirë, për t’u ruajtur i pandryshuar.

Më në fund, gjatësia përbën problem më vete:

është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disa vjeçar

shteti duhet ta mbështetë financiarisht sistemin sipas një plani veprimi disavjeçar

Shqetësimi qytetar dhe reagimet e ashpra institucionale për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ushtrimin e dhunës në mjediset e Policisë së Shtetit dhe prej policëve të shtetit, janë shqetësimi serioz që Partia Socialiste paraqet sot para publikut.

Kjo fjali është tautologjike:

Shqetësimi… dhe reagimet… janë shqetësimi…

Si ndodh që një folës me inteligjencë normale të prodhojë thënie të tilla absurde? Faji këtu i mbetet, besoj unë, emërzimit; sepse emërzimi u heq fjalive zemrën, ose motorin që i mban në lëvizje: foljen. Folje me kuptim të fortë, si shqetësohem, shkel (të drejtat), reagoj dhe dhunoj, zëvendësohen me emrat përkatës shqetësimi, reagimet, ushtrimi i dhunës, shkelja e të drejtave, të cilat lidhen pastaj mes tyre me një pseudo-folje, ose këpujën janë.

Megjithatë, thënia më lart duket se përmbledh, në një fjali të vetme, thëniet e mëposhtme:

Policia ka shkelur të drejtat e njeriut

Policia ka ushtruar dhunë në mjediset e veta

Qytetarët janë shqetësuar (për këtë)

Institucionet kanë reaguar ashpër (për këtë)

Partia Socialiste është shqetësuar (për këtë)

Partia Socialiste njofton publikun (për këtë)

Dhe dihet se emërzimi ndihmon për t’i paketuar fjalitë në togfjalësha kompaktë. Mirëpo vetë mekanizmi i emërzimit nuk mund të ndriçohet deri në fund, po të mos mbajmë parasysh se togje të tilla si shqetësimi qytetar, reagimet institucionale, shkelja e të drejtave të njeriut, ushtrimi i dhunës etj. janë klishe, ose togje të parafabrikuara, të cilat vetëm sa përdoren për të ndërtuar thënie më të ndërlikuara, por nuk përftohen gjatë të folurit.

Më në fund, unë fjalinë do ta kisha rishkruar kështu:

Partia Socialiste njofton publikun se solidarizohet me institucionet dhe qytetarët, që janë shqetësuar me dhunën që ka ushtruar policia e shtetit në mjediset e veta.

Qeveria shqiptare duhet të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit të dixhitalizuar të gjendjes civile, të pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta me të dhëna biometrike të qytetarëve shqiptarë.

Edhe kjo thënie është e përmbytur nga emra prejfoljorë të veprimit: përfundimi, krijimi, pajisja… së bashku me një varg prej tri gjinoresh të njëpasnjëshme:

përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit

Këtu fjala proces mund të mënjanohet, si pleonastike (me shumë gjasë krijimi i regjistrit është proces); ndërsa pjesa duhet të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit mund të thjeshtohet në duhet të nxitohet për ta përfunduar krijimin e regjistrit. Njëlloj mund të vërehet se folja e dobët veproj shfaqet në fjali ngaqë folja e fortë përfundoj ka përfunduar në emër.

Ka rënie të ritmeve ekonomike, pranuar nga gjithë institucionet financiare ndërkombëtare.

Thënia nis me foljen e dobët ka; e cila përligjet vetëm ngaqë ligjëruesi ka vendosur të përdorë me çdo kusht parafabrikatin rënie e ritmeve ekonomike.

Përndryshe thënia mund të rishkruhej:

Që ritmet [e rritjes] ekonomike kanë rënë, këtë e pranojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.

Ritmet [e rritjes] ekonomike kanë rënë, çka e pranojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.

Të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare e pranojnë se ritmet [e rritjes] ekonomike kanë rënë.

Nevojitet adoptimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për reformën në drejtësi, për përmbushjen e kuadrit ligjor dhe sigurimi i burimeve njerëzore dhe financiare për implementimin e saj.

Ku emrat prejfoljorë përsëri bëjnë ligjin: adoptimi, përmbushja, sigurimi, implementimi.

Këtu nevojitet adoptimi s’është veçse emërzim i togfjalëshit foljor duhet adoptuar dhe e tërë thënia mund të rishkruhej kështu:

Duhet të adoptojmë një strategji gjithëpërfshirëse për të reformuar drejtësinë dhe për të përmbushur kuadrin ligjor, si dhe të sigurojmë burimet njerëzore dhe financiare për ta vënë në jetë atë strategji.

Përsëri, duhet vërejtur se emrat prejfoljorë në thënie nuk janë rezultat i ndonjë emërzimi që ndodh gjatë prodhimit të vetë thënies; por vijnë të parafabrikuara, ose duke mishëruar koncepte të drunjëzuara që në mendjen e folësve: adoptimi i një strategjie gjithëpërfshirëse, përmbushja e kuadrit ligjor, sigurimi i burimeve njerëzore dhe financiare… kur i dëgjon këta togfjalësha të renditur kështu, pothuajse të dalin parasysh faqet e një parashtrimi në PowerPoint.

E kotë të shtoj që kalimi nga foljet në emra nuk është pa pasoja edhe në mënyrën si do të kalohet më pas nga fjalët në vepra; sepse folje të tilla si përmbush, adoptoj, siguroj u përgjigjen veprimeve konkrete, për të cilat mban përgjegjësi veta; ndërsa emrat shkëputen nga lidhja me vetën e foljes. Kur dikush thotë do të përmbushim, njëkohësisht edhe e merr përsipër veprimin – jemi ne që do të përmbushim; ndërsa përmbushja nuk e sjell me vete një specifikim të tillë.

Edhe një shembull i fundit si emrat prejfoljorë i çankorojnë foljet nga vetat përkatëse:

Përmirësimi i infrastrukturës duhet të synojë shtimin e sipërfaqeve ndërtimore të godinave ekzistuese të institucioneve të drejtësisë ku në mënyrë më specifike godinat e gjykatave duhet të sigurojnë ambientet e nevojshme për zhvillimin e të gjitha gjykimeve në mënyrë publike, duke i dhënë fund zhvillimit të gjykimeve në zyrat e mbyllura të gjyqtarëve larg kontrollit të publikut, mediave dhe gjithë subjekteve të interesuara.

Këtu jo vetëm që nuk specifikohet më se kush do ta përmirësojë infrastrukturën, por vetë përmirësimi i infrastrukturës përdoret si kryefjalë për foljen synoj; e cila merr pastaj si kundrinë një tjetër emër prejfoljor – shtimin. Edhe folja tjetër në fjali, duhet të sigurojnë, ka një kryefjalë të çuditshme: godinat e gjykatave, të cilat jo vetëm duhet të sigurojnë ambientet e nevojshme për gjykimet publike, por edhe t’i japin fund zhvillimit të gjykimeve në zyra të mbyllura.

Marrëdhënieve midis emërzimit dhe shkëputjes së kryefjalëve nga kallzuesit do t’i kthehem, megjithatë, përsëri.

© 2008-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

2 Komente

  1. S
    Shkerdhatokracia malokare 7501

    I nderuar z. Vehbiu ju kini shkruar per shtremberimin e gjuhes sone nga njerez te pa ndergjegjshem dhe te pa afte duke e percjelle brezit te ri ne kete menyre te shemtuar , mjeshter nga ju kerkoj te shkruani vetem fjale shqipe sepse ndikoni dhe ju per keq , verejtjet tuaja ne kete shkrim me huazime fjalesh me kujton ate barcaleten per patriotin tend qe thoshte jo dish por dysh more qip . Me respekt nga nje mergimtar .

    Përgjigjjuni
    1. E
      Epirioti II

      Ka njerëz që ende luftojnë ta shpëtojnë gjuhën shqipe nga vulgarizimi dhe varfërimi. RESPEKTE !!!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje