PIKTUTA E DITËS nga Mapo: “Shkëmbi i Kavajës” tabloja e mjeshtrit Buron Kaceli në dialog me traditën

11 Prill 2026, 15:16Kulturë TEMA
PIKTUTA E DITËS nga Mapo: “Shkëmbi i Kavajës” tabloja

* Shkëmbi i Kavajës, e piktorit Buron Kaceli, nga Kodra e Kuajve (70 x 80 cm) 

Nëse tabloja “Shkëmbi i Kavajës, nga Kodra e Kuajve” e piktorit mjeshtër Buron Kaceli lexohet në një plan më të gjerë historik e estetik, ajo nuk mbetet vetëm një krijim i izoluar, por hyn natyrshëm në dialog me disa nga kulmet e pikturës së avancuar europiane dhe botërore. Pikërisht në këtë ndërveprim ndërtekstual, vepra fiton një dimension të dytë: atë të një vazhdimësie krijuese, ku tradita dhe individualiteti bashkëjetojnë. Në rrafshin e trajtimit të dritës dhe atmosferës, qasja e Kacelit mund të afrohet me ndjeshmërinë e J. M. W. Turner, ku peizazhi nuk është më një formë e fiksuar, por një proces në lëvizje. Si te Turner, edhe këtu deti dhe toka nuk ndahen prerë, por treten në njëri-tjetrin përmes një mjegullimi poetik. Megjithatë, ndryshe nga dramatizmi i Turnerit, Kaceli ruan një qetësi meditative, një balancë që i jep veprës një karakter më introspektiv.

Nga ana tjetër, raporti organik midis natyrës dhe strukturës kompozicionale sjell ndër mend kërkimet e Paul Cézanne, sidomos në mënyrën se si peizazhi ndërtohet përmes planeve të ndërthurura. Edhe në këtë tablo, “Shkëmbi i Kavajës” nuk është një objekt i vetëm, por një sistem marrëdhëniesh ku çdo element, bari, guri, deti, funksionon si pjesë e një arkitekture të brendshme. Kjo e afron veprën me një logjikë strukturaliste të pikturës, ku forma lind nga organizimi i brendshëm dhe jo thjesht nga imitimi i natyrës.

Në dimensionin kromatik, përdorimi i jeshiles së errët, të zbehtë dhe nuancave të tokës, të ndërthurura me të kuqen diskursive, krijon një tension të kontrolluar që mund të krahasohet me ndjeshmërinë ekspresive të Claude Monet në fazat e tij të vona. Por, ndërsa Monet shpërbën formën në dritë, Kaceli e ruan formën duke e poetizuar atë. Pra, kemi një ndërmjetësi mes impresionizmit dhe një realizmi të rafinuar poetik.
Një tjetër pikë referimi e rëndësishme është edhe qasja ndaj simbolikës së natyrës, e cila mund të lidhet me botën e Gustav Klimt, jo në aspektin dekorativ, por në atë të ngarkesës semantike. Hyrja e detit në tokë, me një ndjesi gati erotike, nuk është thjesht një zgjidhje kompozicionale, por një metaforë e bashkimit, e pjellorisë dhe e energjisë krijuese. Kjo e vendos veprën në një territor ku piktura komunikon me filozofinë e natyrës dhe me simbolikën e saj të thellë.

"Shkëmbi i Kavajës" tabloja e Buron Kacelit, nën përshkrimin e Fatmir Terziut

1 Komente

  1. B
    Brucco

    PIKTUTA apo Piktura? Korigjojeni se late nam?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje