E ndryshuar, e tërhequr, e degdisur. Ashtu siç ishte paramenduar nga drejtuesit e kohës, “Mbledhja e Moskës” e piktorit Guri Madhi, pati ndikimin e saj të padiskutueshëm. Sot, përtej vlerave artistike, ajo është dëshmi e historisë dhe mënyrës se si ai sistem funksiononte.
Në 1973-shin Guri Madhi dukej se po jetonte në ditët e tij të qeta. Kishte lënë pas jetën e Gjirokastrës, përjashtimin nga partia në 1967-ën, papunësinë dhe punën me mjetet didaktike në një ndërmarrje në Tiranë. I ishte rikthyer pikturës dhe vijonte angazhimin me disa projekte madhore. Sapo kishte përmbyllur me sukses tablonë “Ndarja e tapive”, e vendosur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, kur në vjeshtën e atij viti mori propozimin e ri. Iu kërkua të realizonte “Mbledhja e Moskës”, pikturë që pasqyronte mbledhjen e 1960-ës, ku delegacioni i Partisë Komuniste të Shqipërisë, nën drejtimin e Enver Hoxhës, tashmë orientuar nga Kina, kritikoi qëndrimin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe drejtuesit e saj.
Duhej ta përfundonte brenda nëntorit të 1974-ës, muaj në të cilin vepra do të ekspozohej në ekspozitën përuruese të Galerisë Kombëtare të Arteve, që përkonte gjithashtu me festimet për 30-vjetorin e çlirimit. Iu desh të realizonte rreth pesë variante të mëdha në karbon dhe me dhjetëra skica, para se të miratohej varianti përfundimtar nga Komisioni i Arteve.
Atëherë 15-vjeç, Pandi Madhi kujton se përfaqësuesit e këtij komisioni, madje vetë sekretari i Komitetit Qendror, Ramiz Alia, i shoqëruar nga Dritëro Agolli, Jakup Mato e të tjerë, vizituan disa herë studion e të atit për t’i dhënë atij më në fund dritën jeshile për tablonë finale. Duke qenë se paraqiste një çështje të ndjeshme, siç ishte orientimi ideologjik i partisë komuniste, dhe drejtuesit më të lartë të kohës, vepra pati kontestime.
“Kompozimi një ditë hiqej dhe një ditë vihej në murin e Galerisë. Dy ditë para hapjes së ekspozitës, komisioni vendosi që piktura të pranohej, por me kusht që të ndryshohej portreti i Enver Hoxhës”, tregon Pandi Madhi. Ai sqaron, se piktori Guri Madhi nuk e kishte pjesë të stilit vizatimin e qartë të portreteve, sepse përqendrohej te paraqitja e karaktereve. Ishte një zgjedhje që ai ka bërë pothuajse në të gjitha pikturat me kompozime, përveç rasteve të pikturave portret.
Autori i tablosë “Mbledhja e Moskës”, refuzoi ta ndryshonte duke thënë se nuk mund të bënte më shumë se aq. Komisioni vendosi që në portretin e Hoxhës të ndërhynte Zef Shoshi, gjë që u pranua prej tij, pavarësisht se më vonë në rrëfimet e rij shprehu pendesën për këtë veprim.
Pandi Madhi kujton se ky ishte një rast i paprecedentë dhe një fyerje për piktorin, babin e tij, por në rrethanat e kohës ai nuk mund të bënte asgjë. “Mbaj mend se ato ditë para hapjes së ekspozitës të gjithë ishim të shqetësuar. Piktori një ditë ishte me Skënder Kamberin, një ditë me Robert Ballaurin, ditën tjetër me Thanas Papën. Rrinin para shtëpisë me orë të tëra duke diskutuar. Nuk e di për çfarë.”
Me lejen e Ramiz Alisë, piktura u ekspozua. Pandi Madhi kujton se ajo u ekspozua në katin e dytë të Galerisë dhe me njerëzit rrinin me minuta të tëra para saj. Atëherë arti kishte tjetër vëmendje dhe në një ngjarje të përmasave të tilla vinin njerëz nga gjithë Shqipëria për ta vizituar. Për shkak të ndërhyrjes që iu bë nga një piktor i dytë, ajo u hoq nga konkurrimi për çmimin e atij viti, duke u konsideruar si vepër me bashkautorë.
Kjo nuk do të ishte ndërhyrja e vetme. Historia e ndryshimit do ta shoqërojë gjatë këtë pikturë, duke ecur paralel me zhvillimet politike brenda dhe jashtë shtetit komunist. Në 1978-ën, kur u prishën marrëdhëniet me Kinën, piktorit iu kërkua që të ndërhynte sërish në pikturën dhe të hiqte delegacionin kinez. Ai pranoi dhe sfumoi portretet e personazheve. Kërkesa e radhës do të vinte sërish tre vite më vonë, pas vdekjes së kryeministrit Mehmet Shehu në 1981-shin, duke i kërkuar që ta hiqte nga piktura. Autori refuzoi duke argumentuar se kjo ndërhyrje do të shkatërronte të gjithë kompozimin. Mospranimi i tij solli tërheqjen e pikturës nga ekspozimi, e cila i mbeti pastaj Galerisë Kombëtare, për t’iu rikthyer sërish ekspozitave disa vite pas rënies së komunizmit, fillimisht në Itali në 1998-ën dhe më vonë në Barcelonë.
“Në atë pikturë përmblidhet historia e Shqipërisë së asaj periudhe: marrëdhënia me sovjetikët, me kinezët dhe në fund marrëdhëniet e brendshme”, thekson Pandi Madhi.
Ai tregon se “Mbledhja e Moskës” është bërë një pikturë mjaft e njohur jashtë kufijve shqiptarë dhe është botuar në shumë vepra, studime dhe artikuj, në media dhe botime të njohura në Evropë. “Nga pikëpamja kompozicionale ajo pikturë është shumë moderne. Mbledhja nuk ka qenë ashtu. Planin e dytë piktori e nxori më të madh se të parin, theu rregullat e perspektivës që ishin atëherë të realizmi socialist. Aty është gjithë mjeshtëria e tij”, thotë më tej Madhi, duke shtuar se sot ajo gjendet në njërën nga vilat qeveritare, ndoshta në atë të Mehmet Shehut.
Ringritja e të përjashtuarit
Jeta e piktorit Guri Madhi përshkroi një trajektore të çuditshme, e shoqëruar me paradokse dhe të papritura. Fillimisht nën ndikimin e Spiro Xegës e më tej të Vangjush Mios, si ndihmësi i tij në teatrin e Korçës, ai u nxit me këmbëngulje të vijonte karrierën në pikturë. Gjatë viteve ’50-’56 mbylli me rezultate të shkëlqyera studimet në Akademinë e Arteve në Leningrad (Shën Petersburg). Me rikthimin në Shqipëri, punoi si pedagog në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Në 1961-shin u bë një nga tre themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve Figurative, sot Akademia e Arteve.
Kjo rrugë e shtruar hap pas hapi, do të devijohej në 1966-ën, kur u dërgua në Gjirokastër, në kuadër të luftës kundër burokratizmit. Një vit më vonë u përjashtua nga PPSH-ja, i anëtarësuar prej 1948-ës. “U përjashtua për disa motive që cilësoheshin të rënda, një ndër cilat ishte edhe mospjesëmarrja në mbledhjet e organizatës së partisë, por edhe të tjera arsye”, tregon Pandi Madhi, të cilit i bën edhe sot habi fakti që i ati, menjëherë pas përjashtimit, hapi një ekspozitë në qytet dhe pas dy muajsh ekspozitën e radhës në Tiranë.
Pas një viti i papunë në kryeqytet, Madhi u caktua nga drejtuesit e artit të asaj kohe në një ndërmarrje të dedikuar për mjetet mësimore në shkollat 8-vjeçare. Ndoshta vitet më pas janë akoma edhe më të çuditshmit.
“Në plenumin IV të 1973-shit, kur të gjithë po dënoheshin, Enver Hoxha përmend tre artistë: Odise Paskalin, Kristaq Rama dhe Guri Madhin, dy skulptorë dhe një piktor”, kujton Pandi Madhi. Ishte kjo përmendje një kartë jeshile për vijimësinë e artistit, i cili 3 vite më vonë mori titullin Artisti i Popullit, pa kaluar më parë gradën Artisti i Merituar, siç ishin rregullat e kohës.
“Është i pari artist i gjallë që i jepej ky titull i lartë. Është rast unikal në historinë e sistemit të kaluar që nderohet një i përjashtuar”, shton Madhi. Pavarësisht sulmeve dhe kritikave ndaj veprës, jeta e piktorit kishte hyrë në një periudhë më të qetë. I mbyllur në studio, do të vijonte punën në atë që e cilësonte piktura për vete duke eksploruar në rrymat e preferuara, abstraksionizëm dhe ekspresionizëm.
*Shkrimi është pjesë e rubrikës "100 piktura të çmuara"- IMAGO përgatitur për Revistën MAPO
SHBA kur pushtuan gjermaninë veprat e artit të nazistëve si filmi, libri, piktura etj ja ndaluan popullit gjerman që ti shikonte e ti admironte ( ata amerikanët e etiketuan gjermanët popull budalla dhe si të tillë duhet ti kontrollohet edukimi i tyre nëpërmjet artit) shqiptarët që dallohet për injorancë vazhdojnë të admirojnë nazistët e tyre (enverizmin) megjithse pretendojnë se janë populli më amerikan në botë!!!