A e formëson gjuha mënyrën se si e shohim botën? Apo është realiteti ai që i jep formë gjuhës? Dhe deri në çfarë pike ndikojnë këto dy procese te njëra-tjetra?
Carrie Ann Morgan është antropologe gjuhësore amerikane, edhe pse nga mënyra si e zotëron shqipen – jo vetëm përmes fjalëve, por veçanërisht si një përvojë trupore, në ritëm, intonacion dhe gjestikulacion – vështirë se mund të dallohet që nuk ka jetuar këtu qysh nga fëmijëria. Ajo jeton dhe punon në Shqipëri prej vitit 2009 dhe është e angazhuar në disa fusha njëkohësisht: si studiuese e gjuhës dhe shoqërisë, mësuese e jogas dhe aktiviste politike.
Këto janë disa nga temat që shtrohen në episodin më të ri të Apostrof Podcast, ku Morgan ndalet te relativiteti gjuhësor dhe shpjegon se si gjuha mund të ndikojë mënyrën si e ndajmë dhe e kuptojmë botën, pa na kufizuar plotësisht brenda saj. Por çfarë tregon kjo për identitetin dhe mënyrën si e perceptojmë veten dhe tjetrin? Dhe si lidhen këto procese me pushtetin dhe strukturat shoqërore?
Në episod diskutohen gjithashtu përvoja e saj në Shqipëri, studimet mbi dialektet dhe perceptimet kulturore, si dhe ndërthurja mes praktikave shpirtërore dhe angazhimit politik.
Episodi i plotë do të publikohet në YouTube këtë të diel në orën 17:00.
Gjuha, identiteti dhe pushteti: Një antropologe amerikane në Shqipëri
Lini një Përgjigje