Në tetor të vitit 2019, pata shkruar për listat dhe ideologjinë e përjashtimit e të përfshirjes duke iu referuar një op-ed-i në “Panorama”, ku autori (F.Z.) qortonte kryeministrin Rama për mangësitë në formimin e tij të përgjithshëm, duke vërejtur, ndër të tjera, se retorika e kryeministrit është e mbushur me batuta nga filmat e socrealizmit të Kinostudios dhe se, nëpërmjet këtyre, ai njeh edhe historinë e Shqipërisë. Shkruhej në atë editorial:
Ai [Rama] nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga librat, nuk e njeh nga punimet e profesor Ferit Dukës, prof. Nevila Nikës, prof. Dritan Egros, prof. Muharrem Dezhgiut, prof. Kasem Biçokut, prof. Afrim Karagjozit etj. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga punimet e Marin Sirdanit, Branko Merxhanit, Tajar Zavalanit, Vangjel Koçës etj.
Nëpërmjet këtij pasazhi, F.Z. sillte dy lista historianësh të cilët ai i gjykon si të rekomandueshëm, në mos si lexim të detyruar, për formimin historiografik të një qytetari, burri shteti dhe intelektuali – nga të cilat e para përmban emra studiuesish relativisht bashkëkohorë dhe gjithsesi nga Shqipëria, ndërsa e dyta emra studiuesish të cilët kanë qenë përjashtuar ose shpërfillur nga historiografia totalitare.
Këto lista janë të paplota – në këtë fushë është praktikisht e pamundur të sjellësh lista shteruese; më shumë ia vlen të pyesësh se çfarë përfaqësojnë.
Kanë thënë, për shumerët, se krejt dijen e tyre e përcillnin nëpërmjet listave – jo propozitave (p.sh. historia e familjeve mbretërore nëpërmjet gjenealogjive, etj.). Sot e kësaj dite, në shumë kultura, përfshi edhe tonën, listat janë mjet i preferuar për të fiksuar dhe përcjellë hierarkitë, kanonet dhe autoritetet përkatëse. Lista Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha ka kuptim dhe domethënie tjetër nga lista Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama. Të organizuara sipas kundërvënieve të thjeshta, të tipit prani/mungesë (1:0), dhe sipas sistemesh elementare të renditjes njëpërmasore (kahu nga e majta në të djathtë ose nga lart poshtë), listat shprehin me efektshmëri të madhe raportet të pushtetit (autoritetit) dhe të suksesionit, në kontekste specifike dhe, jo rrallë, edhe performative.
E tillë më duket edhe lista e Zekthit, e cila – në heshtje (tacitly) – e revolucionon kanonin historiografik shqiptar. Edhe pse studiues si Ferit Duka, Nevila Nika, Dritan Egro, Muharrem Dezhgiu, Kasem Biçoku, Afrim Karagjozi; ose të mëhershëm si Marin Sirdani, Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Vangjel Koça spikatin a kanë spikatur në fushat e tyre dhe kanë dhënë kontribute të vyera, dyshoj fort nëse janë pikërisht këta autorët e kanonit, ose ata që duhen lexuar me përparësi – nga Edi Rama dhe kushdo tjetër me ambicie intelektuale qytetare – për të formuar nocione të shëndosha në lëmin historiografik.
Më e pakta që mund të thuhet, është se dy listat e F.Z. janë alternative; meqë atje spikatin sidomos emrat që janë lënë jashtë. Meqë nuk po dua të filloj edhe unë me listat e mia, mjaftohem të vërej se asnjë nga këta autorë nuk mund të konsiderohet si parësor për historiografinë shqiptare; madje ata vetë, jam i bindur, do ta gjenin një cilësim të tillë të ekzagjeruar (çfarë do ta zhvlerësonte edhe më paraqitjen e tyre si të kanonit). Punimet e tyre, të respektueshme dhe kompetente, nuk mjaftojnë “për të njohur historinë e Shqipërisë” – madje as edhe do të bëheshin të mundura, pa kontributin e atyre historianëve, shqiptarë dhe të huaj, që u kanë paraprirë dhe që kanë vënë themelet e historiografisë shqiptare dhe që F.Z. i ka lënë – besoj jo nga padija – jashtë listës.
Prandaj listat në fjalë revizionojnë; dhe e bëjnë këtë pa bujë. Nuk i rrëzon autorët e kanonit historiografik nga piedestalet, por thjesht i mbulon me hije, duke ua hequr projektorët dhe duke i zëvendësuar me të tjerë. Unë e kuptoj që kanoni mund të të zërë ndonjëherë frymën; dhe që historiografia shqiptare jo rrallë është ndikuar nga ideologji ekstreme, si enverizmi ose edhe nacionalizmi; por edhe lista e re e Zekthit e sjell një kanon, sado alternativ, me vete; i cili njëlloj mund të sjellë me vete autoritetin e vet dhe të imponohet.
Nuk di çfarë i bashkon pikërisht emrat që ka sjellë autori i shkrimit te “Panorama”, edhe pse kam përshtypjen që të gjithë këta e kanë sfiduar kanonin e tanishëm akademik, secili në mënyrën e vet. Historiografia shqiptare ka nevojë për ajrim, sikurse ka nevojë edhe për pluralizëm. Por, dhe prandaj, Ferid Duka dhe Kasem Biçoku nuk mund të shtyjnë jashtë kanonit Kristo Frashërin, Pëllumb Xhufin dhe Aurel Plasarin, sa për të mbetur në kategori. Nëse kjo ka lidhje me shijet dhe prirjet ideologjike të F.Z., sërish nuk e di. Nga historianët e tjerë që përmenden, Tajar Zavalani ka shkruar gjëra kompetente, por vështirë se mund ta meritojë listën para, bie fjala, një Bernd Fischer-i, një Alain Ducellier-je ose një Oliver Jens Schmitt-i (ky i fundit, madje edhe pa veprën e tij kontroversiale për Skënderbeun).
Do të thoja që zëvendësimi i një liste me një tjetër – ose i një bashkësie të zgjedhurish me një tjetër – ka për efekt tronditjen e statu quo-së, nëpërmjet sa injorimit të saj, aq edhe sugjerimin e një platforme të re të autoritetit në fushën përkatëse. Edhe vetëm ky akt do të kërkonte mbështetjen të një autoritet a të paktën parim autoritar të përzgjedhjes, i cili – në rastin konkret – mund të ishte përkatësia politike e historianëve të sugjeruar ose statusi i tyre në raport me kanonin historiografik të – të themi – Aleks Budës. Autori F.Z. është në të drejtën e tij që të zgjedhë të përmendë ata studiues që i vlerëson (do të kish qenë qesharake për mua, sikur t’i sugjeroja se cilët historianë të përmendte); por më duket e debatueshme që lista e historianëve të preferuar (subjektivisht) nga F.Z. të rekomandohet si kanon për formimin historiografik të një burri shteti – të kryeministrit.
Prandaj përftesën retorike të autorit të op-ed-it unë do ta shihja më shumë si një orvatje për të futur – jo nga dera por nga dritarja – një kanon historiografik alternativ në ligjërimin publik; ose në trajtën e premisës së një argumenti të ndryshëm nga ai i përzgjedhjes së elitave historiografike në Shqipëri. Që një vegël e organizimit të ligjërimit, si lista, e mundëson këtë lloj diversioni, më konfirmon jo vetëm fuqinë e saj, por edhe që kjo fuqi shpesh e merr energjinë nga aftësia e listës për t’u marrë si diçka e mirëqenë dhe natyrale.
(c) 2019-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Kjo ese është ripunim i një eseje të vitit 2019, të cilën edhe e kam përditësuar, për ta përfshirë në diskutimin e tanishëm që është hapur për listat në Peizazhe të fjalës. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Sa fjalëshumë është ky njeri, Dhe gjerave te thjeshta u jep hije filozofike e doktorale,thua sa i thelle qenka. S'di ç'i pëlqen Merua,që vetë eshte konçiz,i qartë e i drejtperdrejtë...
Sa fjalëshumë është ky njeri, Dhe gjerave te thjeshta u jep hije filozofike e doktorale,thua sa i thelle qenka. S'di ç'i pëlqen Merua,që vetë eshte konçiz,i qartë e i drejtperdrejtë...