-Me rastin e 89-vjetorit të lindjes (28 janar - 1 korrik 2024)-
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare (28 janar - 1 korrik 2024), anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka sot 89-vjetorin e lindjes.
Në këtë ditë të shënuar Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e kujton me nderim dhe përulet me respekt para trashëgimisë së jashtëzakonshme letrare dhe shkencore të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime e ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.
Kryesia e ASHSH-së e vlerëson Ismail Kadarenë si kryemjeshtrin e letërsisë shqipe, një figurë identiteti për popullin shqiptar, krahas figurave të tilla, si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza. Vepra e tij është pasuri e jashtëzakonshme e letërsisë shqipe dhe e shkencës së albanologjisë. Gjithashtu, vepra e Kadaresë është një gur i çmuar në letërsinë europiane dhe atë botërore.
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Kadareja ka qenë dhe do të mbetet emblemë e saj, krahas vendit që ai ka zënë me plot meritë në shumë akademi dhe universitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me titullin akademik “doctor honoris causa”.
Akademiku dhe shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare është fitues i çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (“International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Award”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”).
Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe gjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë, të letërsisë dhe gjuhës shqipe, të botës shqiptare, dhe është bërë pjesë cilësore në trashëgiminë e letërsisë botërore.
Për dekada me radhë vepra e Kadaresë ishte burim informacioni për Botën lidhur me realitetin shqiptar krejt të mbyllur. Sot kjo vepër shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar gjatë shekujve dhe sidomos në kohët e reja.
Njohës dhe interpretues i miteve dhe i kodeve tradicionale, njohës i vlerave europiane po aq sa dhe i kufizimeve në të kuptuarit e njeriut shqiptar, ai dekodifikoi dhe i shërbeu “lexuesit tjetër” nyjat më të ndërlikuara të së shkuarës dhe së sotmes së popullit të vet.
Shkroi në kushtet e kufizimeve të rrepta ideologjike, u bë dritare për të parë dhe program për të lexuar Perëndimin dhe për t’u njohur prej tij; u dha liri njerëzve kur nuk kishte liri; i provoi të gjitha fazat e raporteve kritike me pushtetet, prej entuziazmit e besimit futurist te dyshimi, prej dyshimit te kontestimi, prej kontestimit në refuzim e prej refuzimit në disidencë letrare, duke shkruar letërsi normale në kushte historike jonormale.
Letërsia e I. Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500.
Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re, edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur me hapjen e katedrave dhe njësive të reja, që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.
Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.
Letërsia e Kadaresë lexohet e vlerësohet në vazhdimësi, pasi mesazhet e veprës që ka krijuar, fuqia e fjalës dhe e mendimit të tij e bëjnë këtë vepër gjithnjë të kohës dhe tërheqëse për lexuesit e saj.
Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.
Gjakdhjere njerez ...sa ishte gjalle e luftonit te madhin Kadare sa nuk bente me .....tani qe nuk eshte dhe nuk mbrohet dot ...e lavderoini ....yttt arrixhinji edepzezi jevgu arabi gerrrku