Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji ishte i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të EFAD (Drejtorët e Agjencive Evropiane të Filmit), e mbajtur gjatë Festivalit të Filmit në Kanë.
Në fokus të këtij takimi strategjik me drejtuesit më të lartë të fondeve evropiane të filmit dhe anëtarë të Parlamentit Evropian, ishin politikat kryesore që do të formësojnë të ardhmen e industrisë audiovizuale shqiptare.
Gjatë takimit u diskutua mbi:
Financimin publik: Miratimi i “Librit të Bardhë” mbi rëndësinë jetike të mbështetjes shtetërore për filmin.
Inteligjencën Artificiale: Sfidat, ndikimi dhe rregullat e reja të AI në prodhimet kinematografike.
Shpërndarja e Veprave (Distribucioni): Strategji të reja për të rritur qarkullimin dhe shikueshmërinë e filmave në tregun ndërkombëtar.
Politikat evropiane: Diskutime të hapura me delegacionin e Parlamentit Evropian mbi prioritetet strategjike.
QKK bëri të ditur se institucionet homologe ndërkombëtare i kushtuan një vëmendje të veçantë projektligjit të ri shqiptar të kinematografisë dhe audiovizualit. Partnerët evropianë i dhanë mbështetje të plotë kësaj reforme të rëndësishme ligjore, e cila i hap rrugën krijimit të agjencisë së re kombëtare (AKKA) dhe aplikimit të skemave nxitëse si cash rebate.
Cash rebate është një mënyrë e kthimit të parave, një nxitje financiare e ofruar nga qeveritë që i kthen një përqindje specifike të shpenzimeve të prodhimit, një kompanie prodhimi. Cash rebate funksionon si një zbritje pas prodhimit, duke ulur ndjeshëm koston e përgjithshme të xhirimit të filmit.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje