Kumbaro: Zbulime nga antikiteti i vonë në kalanë e Gjirokastrës

1 Gusht 2025, 13:00Kulturë TEMA
Kumbaro: Zbulime nga antikiteti i vonë në kalanë e

Në kalanë e Argjirosë në Gjirokastër po vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se zbulimet dëshmojnë për fazat më të hershme të ndërtimit dhe funksionit të kalasë së Gjirokastrës.

“Punimet gjithashtu kanë nxjerrë në dritë skeletin e një kali dhe të një luftëtari pranë tij, teksa janë zbuluar objekte arkeologjike të periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të vonë”, shtoi ajo.

Gjatë fazës përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës, janë identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi.

Sipas arkeologëve struktura ku është kryer zbulimi i përket një faze më të hershme fortifikimi ndoshta e shek VI e.s , e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.

Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ , ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës.

Gjetjet e këtij sezoni pritet të kontribuojnë në ndriçimin e kësaj periudhe të historisë, shkruan atsh.

 

Lini një Përgjigje