Është kënaqësi e jashtëzakonshme t'i hysh një pune dhe të kuptosh që ka kaq vepra për një shqiptar. Kupton se situata ka qenë ndryshe dhe jo si e imagjinonim ne. Njerëzit dhe artistët e kanë dashur Kadarenë. Më vjen mirë që e kanë pikturuar figurat më kryesore të pikturës shqiptare, Kilica, Dilo, Madhi, dhe shumë të tjerë, të një brezi më të ri si Helidoni. Këta piktorë e kanë parë Kadarenë me atë pamundësinë e tyre për të çarë botën, për të kaluar përtej rrethimit. Ata e shihnin shkrimtatin si pjesë e realizimit të ëndrrës së tyre.
Në fillim menduam se do të ishte e vështirë të gjenim 100 vepra, por na dolën aq shumë saqë e kishim të vështirë t’i mblidhnim. E morëm me qetësi dhe thamë do bëjmë një gjë më të madhe, ashtu siç e kishim idenë në fillestare. Edhe pas këtij albumi na vijnë sërish vepra, madje sot më sollën një tjetër. Nëpërmjet profesor Feridit zbuluam një vepër të Kodrës për Kadarenë.
Dua të vlerësoj Universitetin Europian të Tiranës për mbështetjen. Ne po hyjmë në një proces që e kanë bërë universitetet më te rëndësishme të botës, të cilët merren me botime të karakterit jo vetëm shkencor por edhe publik e artistik. Ne po e bëjmë këtë në mënyrë shumë të guximshme, shumë të vendosur, pa u lëkundur. Përveç një albumi të tretë me fotografi, po përgatisim edhe një ekspozitë të madhe me veprat për Kadarenë. Sot kemi ekspozuar shumë pak prej tyre për ta bërë më të ngrohtë prezantimin e albumit. Sollëm pikturat e mjeshtrave Guri Madhi, Pëllumb Bylyku dhe Arbek Kristani.
Kemi edhe një ide tjetër. E kemi në diskutim dhe besoj që do jetë një gjë fantastike për Shqipërinë, për turizmin dhe veprën e Kadaresë. Ne si krijues të artit pamor duhet t'i bëjmë respektin e duhur Kadaresë sepse është një figurë e cila vërtet duhet respektuar maksimalisht. Është i vetmi që arriti ta çojë Shqipërinë në ato maja të cilat ne ëndërrojmë. E bëri në atë kohë kur izolimi ishte shume i fortë, kur diktatura ishte shumë egër dhe me talent, aftësi, zotësi, arriti të na çojë atje ku ne ëndërronim.
E kam thënë edhe më parë që ne studentët e Liceut e shihnin me kënaqësi Kadarenë, kur me atë pardesynë e mbërthyer ecte në qetësinë e tij. Shpesh herë ecte vetëm, por edhe i shoqëruar. Ne e shikonim si atë gjeniun që kishte krijuar botën e tij kadareane, e cila vërtet ishte shembull dhe frymëzim. Jo me kot artistët e kanë parë këtë që në vitet ’60-të, ndër të parët Vilson Kilica e Ksenofon Dilo.
Kjo më ka bërë përshtypje dhe më ka lënë mbresa. Ne na dukej sikur bota e Kadaresë ishte në një anë dhe bota jonë në anën tjetër. Në fakt, kemi qenë bashkë dhe nuk e kemi zbuluar, nuk e kemi ditur. E kanë ditur ata që e kishin pranë. Unë isha shumë i vogël për ta pasur mik, por të tjerë kanë pasur fatin të ishin miq të tij. Ne kemi lexuar dhe dëgjuar histori për të. Ai ka mbledhur me dhjetëra materiale për të bërë një poemë dhe kjo është madhështi.
Nuk është thjesht elementi i një gjeniu të letërsisë, është gjenialiteti e një njeriu, i cili me atë ftohtësinë në dukje, kishte ngrohtësinë e një njeriu të madh. Nndonjëherë nuk i kuptojmë mirë njerëzit e mëdhenj, i keqpërdorim ose i keqkuptojmë, por realisht duhet t'i vlerësojmë, edhe piktorët, edhe qytetarin e thjeshtë, edhe profesorin, të gjithë që japin kontribut. Aq më tepër kur ky kontribut vjen nga artistët, është diçka fisnike.
*Fjala e plotë e kuratorit të albumeve "Kadare në Artet Figurative" botim i UET Press, dedikuar ndikimit të veprës dhe krijimtarisë së Ismail Kadarsë në artin figurativ shqiptar. Botimi vjen me rastin e 90 vjetorit të lindjes së shkrimtarit. /mapo/
Lini një Përgjigje