Një satirë politike në formën e kabaresë, shfaqja “24 orë nga jeta e një votuesi” është mirëpritur nga publiku, që kishte mbushur sallën e teatrit Andon Zako Çajupi në Korçë.
Shfaqja ndërthur komedinë, muzikën dhe satirën, ku në qendër të saj është jeta e një votuesi shqiptar në 24 orë, ndërsa pas kësaj dite të vetme fshihen shumë vite paradoksesh dhe absurditetesh të realitetit tonë shoqëror.
Për realizimin e shfaqjes, regjisorja Driada Dervishi është nxitur nga krijimtaria e Naun Shundit dhe Teodor Kekos.
“Mendoj se në shfaqje flitet dhe vihet në pikëpyetje një institucion shumë i rëndësishëm, siç është vota, zhvlerësimi i saj dhe, me keqardhje, mungesa e alternativave”, tha Dervishi.
Në rolet kryesore interpretojnë Arben Derhemi, në rolin e një burri në moshë të mesme, i cili prej 35 vitesh heziton të votojë, duke ngritur pikëpyetje mbi pjesëmarrjen qytetare dhe përgjegjësinë individuale, si dhe Zamira Kita, me një karakter të krijuar posaçërisht për të, e quajtur “Revolucionare”, në rolin e nënës së protagonistit.
“Jam shumë e kënaqur nga ky bashkëpunim dhe nga kjo tematikë. Ajo që është qershia mbi tortë është mesazhi i fortë: votoni, votoni, sepse jemi ne që përcaktojmë fatet tona”, tha Kita.
“Është bukur të vish dhe të japësh shfaqje në Korçë”, tha Derhemi.
Pjesë e kastit janë edhe Xhuliano Brisku dhe Ermir Hoxhaj, të cilët sjellin në skenë personazhe të shumëfishta, në stilin e arlekinëve modernë shqiptarë. Shfaqja ka sjellë shumë humor për publikun por edhe mesazhe të forta.
Skenografia paraqet një ndërtesë në ndërtim e sipër, simbol i tranzicionit të tejzgjatur shqiptar, ndërsa kostumet dhe realizimi skenik mbajnë firmën e Desantila Likës. Muzika e shfaqjes, është kompozuar nga Aulon Naçi, ndërsa interpretimi muzikor realizohet nga Gent Rushi Band, një trio muzikantësh që shoqërojnë të gjithë rrëfimin skenik. A.K./TemA
Lini një Përgjigje