Vepra e Kadaresë në artet pamore/ UET Press promovon albumin e dytë për shkrimtarin

29 Janar 2026, 11:35Kulturë TEMA
Vepra e Kadaresë në artet pamore/ UET Press promovon albumin e

“Kadare në Artet Figurative - 100 imazhe” është albumi i dytë që UET Press i kushton figurës dhe veprës së Ismail Kadaresë. Ai vjen si dëshmi e dimensioneve që mbartte emri i tij, por dhe si një studim i mirëfilltë i ndikimit të letërsisë kadareane në fushën e arteve pamore shqiptare.

Jo përmes fjalëve, por përmes imazhit dhe punës së dhjetëra artistëve. Shtëpia botuese UET Press kujtoi shkrimtarin e madh Ismail Kadare me një album dhe një ekspozitë me piktura, organizuar në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

Duke i mëshuar ndikimit shumëplanësh të veprës së Kadaresë në artin pamor shqiptar, aktiviteti bashkoi letërsinë, pikturën dhe reflektimin kulturor në një dialog të përbashkët, me rastin e 90 vjetorit të lindjes shkrimtarit. Të pranishëm ishin përfaqësuesit më zë të pikturës, autorë, studiues, drejtues të institucioneve kulturore dhe krijues të rinj, të cilët përmes veprave dhe rrëfimeve risollën në vëmendje kontributin e pazëvendësueshëm të Kadaresë, në shërbim të gjuhës, kulturës, identitetit dhe kombit shqiptar.

“Kadare në Artet Figurative – 100 imazhe” është albumi i dytë i botuar në kuadër të projektit “Kadare në Artet Figurative”, realizuar nga UET Press, me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, Institutit Liberal Pashko dhe Akademisë së Studimeve Shqiptare. Ky botim fokusohet te pikturat, skulpturat dhe veprat grafike të frymëzuara nga  universi letrar i Kadaresë, ndryshe nga albumi i parë “100 Portrete”, promovuar  vitin e kaluar në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, i cili pasqyronte vetëm portretet e shkrimtarit.

Prof. Abaz Hado, kurator i albumit, kujtoi fillimet e këtij projekti, kur shkrimtari ishte ende në jetë, mes dyshimit për ekzistencën e 100 veprave në artin figurativ. Kërkimet rezultuan befasuese dhe tejkaluan pritshmëritë, duke nxjerrë në pah një fakt domethënës: Shkrimtari Kadare është sot figura publike më e trajtuar në artin pamor shqiptar pas Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Po hyjmë në një proces që e kanë bërë universitetet më te rëndësishme të botës, që merren me botime të karakterit jo vetëm shkencor, por publik dhe artistik. Ne po e bëjmë këtë në mënyrë shumë të guximshme, shumë të vendosur dhe besimplotë për impaktin e tij”, theksoi prof. Hado.

Një moment reflektimi mbi ndikimin e Kadaresë te bashkëkohësit e vetë, artistë të shumë gjeneratave, e cilësoi albumin studiuesi i letërsisë, Ermir Nika, autor i parathënies së këtij botimi. “Janë krijime të personave të ndryshëm, që dë se ashmon se arti komunikon. Vetë Kadare ka skicuar profilet e shumë shkrimtarëve, si Camaj, Migjeni, Reshpja, Poradeci. Ata që kanë folur janë vetë shkrimtarët, ashtu si në këtë rast janë vetë artistët që komunikojnë me gjuhën e artit”, theksoi Nika, duke shtuar se mjaft mbresëlënëse ishte përfshirja e piktorëve dhe artistëve të rinj, vepra dhe arti i të cilëve solli meditimin ndaj një kohe tjetër, të jetuar përmes narrativës historike dhe kulturore.

Drejtuesja e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu, nënvizoi ndikimin që kishte letërsia e Kadaresë, tej botës letrare, duke krijuar bindjen për ekzistencën e një realiteti ndryshe përtej shtetrrethimit dhe realitetit ideologjik të komunizmit shqiptar,

“Letërsia e Kadaresë ndikoi në shoqëri, në ndërgjegjen kolektive, aty ku miti, individi, pushteti, historia u gërshetuam, dhe përtej estetikës, sollën një guxim për t’u shprehur, të cilin e shohim mjaft qartë në këtë botim.”

Pikturat dhe skicat e këtij albumi janë të frymëzuara kryesisht nga veprat më të njohura të Kadaresë, si “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Ura me tre harqe”, “Pallati i ëndrrave” apo “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Janë, po ashtu, dhjetëra artistë shqiptarë dhe të huaj, mes tyre Anastas Kostandini, Arben Kristani, Ardian, Bashkim Ahmeti (Izano), Gazmend Leka, Gjelosh Gjokaj, Guri Madhi, Helidon Haliti, Myrteza Fushekati, Nasuf Myftari, Natasha Bega, Pëllumb Bylyku, Sali Shijaku, si dhe shumë autorë të rinj, që kanë përkthyer në gjuhë vizuale përmes skenave, metaforave dhe atmosferës, tragjeditë, mitet dhe dilemat universale të shkrimtarit. 

Duke folur për pikturën “Kostandini dhe Doruntina”, e përzgjedhur për t’u ekspozuar në këtë aktivitet, Pandi Madhi, djali i piktorit të njohur Guri Madhi, kujtoi se ajo është realizuar në disa versione për të mbërritur pastaj në atë që njihet zyrtarisht. Kjo vepër është përdorur për të ilustruar shumë botime në revista dhe katalogje jashtë Shqipërisë. Po ashtu, ai kujtoi dashurinë e madhe që i ati kishte për librin dhe letërsinë, të cilën ua la trashëgimi, ndërsa ruante një konsideratë të veçantë për shkrimtarin Kadare. “Në shumë momente ai e ka vlerësuar jashtëzakonisht, madje edhe në intervistën e fundit para ndarjes nga jeta, e cilësonte si një nga përfaqësuesit më të shkëlqyer të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Pandi Madhi.

Piktori i njohur, Helidon Haliti, nën kujdesin e të cilit kryeqyteti ka sot një murale me portretin e shkrimtarit, rrëfeu njohjen e hershme me shkrimtarin, fillimisht nëpërmjet të atit, pastaj përmes leximeve dhe më vonë nga takimet dhe bisedat e gjata me shkrimtarin, në kafen e tij të preferuar, prania e të cilit sot u përjetësua me vendosjen e një busti. Haliti tha se është mjaft e rëndësishme të flitet dhe të nxitet debati për Kadarenë, pasi në këtë mënyrë vepra e tij do të njihet nuk do të harrohet nga brezi i ri.

“Im atë para se të largohej nga jeta më la postulatin “nxito ngadalë”, që do te thotë se ndoshta duhet që veprën e Ismailit ta bëjmë në mënyrë më meditative, të mos ndalim përpjekjet për ta risjellë krijimtarinë e tij përmes botimeve apo ekspozitave të mëdha.”

Nën dritën e një disidenti e shfaqi Kadarenë me kujtimet e tij ish-diplomati dhe studiuesi, Irakli Koçollari. Ai risolli bisedat me shkrimtarin në Greqi, gjatë një vizite shëndetësore, i cili pasi kishte parë në makinën e Koçcollarit librin e Enver Hoxhës për ish-liderin sovjetik, ishte shprehur: “Akoma me Stalinin merret ky derdemeni? ...Regjimin s’po e mbajnë dot gjeorgjianët e rusët e jo më ta mbajë ky”.

Pas këtij albumi, cikli do të vijojë me botimin “100 Fotografitë e Kadaresë”, ku do të përfshihen imazhe të shkrimtarit të realizuara nga fotografë të shquar vendas dhe botërorë. 

Ndikimi i Kadaresë në arte është konceptuar si një projekt pesëvjeçar, që do të shtrihet në studime dhe botime mbi ndikimin e Ismail Kadaresë në fusha të tjera të krijimtarisë artistike, si teatri, kinemaja, muzika dhe format e tjera të shprehjes kulturore, me synimin për të ndërtuar një panoramë të plotë të pranisë së tij shumëdimensionale në artin shqiptar dhe më gjerë. /MAPO/

Lini një Përgjigje