Regjisori, skenaristi dhe producenti nga Prishtina, Leart Rama, është përzgjedhur në programin prestigjioz “Berlinale Talents 2026”, duke u renditur ndër 200 krijuesit e rinj nga mbarë bota që do të marrin pjesë në edicionin e 24-të të këtij formati zhvillimor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
“Berlinale Talents” njihet si një laborator ndërkombëtar idesh, rrjetëzimi dhe formimi profesional për filmbërësit e rinj dhe prej më shumë se dy dekadash konsiderohet trampolinë për karriera ndërkombëtare në kinematografi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë emocionin për këtë përzgjedhje, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në karrierën e tij: “Jam shumë i lumtur të ndaj me ju se jam përzgjedhur të bëhem pjesë e ‘Berlinale Talents 2026’. Kjo ka qenë në mendjen time prej vitesh dhe fakti që po hyj në këtë program pikërisht para fillimit të xhirimeve të filmit tim të parë të gjatë më duket si një përkim i bukur kohor.”
Ai shton se edhe tema e këtij edicioni e bën këtë përvojë edhe më domethënëse: “Të jem pjesë e ‘Creating (and) Confusion – Cinema, Chaos and the Power of Discomfort’ ndihet si vendi i duhur për të qenë, me të gjitha pyetjet, dyshimet dhe gjërat që ende po përpiqem t’i kuptoj përmes filmit.”
Megjithëse karriera e tij është shumëdimensionale duke përfshirë regjinë, skenarin, produksionin dhe muzikën elektronike në këtë platformë Rama prezantohet si regjisor. Në profilin e tij zyrtar në “Berlinale Talents” theksohet se ai “jeton mes ekranit dhe sistemeve të zërit, nga imazhet lëvizëse te trupat që lëvizin”.
Përzgjedhja e tij mbështetet në një filmografi të konsoliduar me projekte si dokumentarët e shkurtër “Stacioni” (2017) dhe “Corona Diary” (2020), filmi “4 Pills at Night” (2021), si dhe “Life after a lifetime and endless rebirths” (2024). Rama ka qenë gjithashtu skenarist në filmin “I Have Never Been on an Airplane”, ndërsa aktualisht ndodhet në fazën e preproduksionit të filmit të tij të parë të gjatë fiksion, “Dua të shkoj sërish në det”, me producenten Valmira Hyseni. A.K./TemA
Lini një Përgjigje