Një ndodhi e rëndësishme kulturore është në prag të realizimit me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Dirigjenti i njohur zviceran, Facundo Agudin, së bashku me tenorin Remy Burnens, kanë dhënë detaje për koncertin e së premtes, i cili i kushtohet ciklit të veprave të Ludwig van Beethoven.
Të ftuar në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, Agudin dhe Burnens shprehën entuziazmin e tyre për bashkëpunimin me orkestrën shqiptare. Ato folën në emision për ambiciet e ndryshme që kanë për këtë koncert si dhe për vizonin e së ardhmes për të ndërtuar një orkestër sa më ambicioze që të mund të konkurrojë me orkestrat e mëdha europiane për nga cilësia.
Për dirigjentin Agudin, ky është bashkëpunimi i parë me Orkestrën e RTSH-së. Ai u shpreh se ndjehet i relaksuar dhe “si në shtëpi” në Tiranë, duke vlerësuar standardin e lartë të përkushtimit të muzikantëve.
“Muzikantët e orkestrës së RTSH-së duken të përkushtuar gjatë provave. Ata flasin me dashuri të madhe për muzikën. Dua që brenda 3 viteve ta bëj orkestrën e RTSH-së më të mirën në rajon,” deklaroi Agudin.
Dirigjenti theksoi se është thelbësore që një orkestër profesionale si kjo e RTSH-së të interpretojë repertorin e Beethovenit, duke premtuar se publiku i Tiranës do të ketë qasje të drejtpërdrejtë ndaj veprave të kompozitorit të madh. Ai shtoi se ka “kimi” në punën e tij me orkestrën.
Ludvig Van Bethoven është një prej kompozitorëve më të mëdhenj që ka njohur historia e njerëzimit, ai njihet për motivet e tij orkestrale si dhe për operat e tij. Ludvig Van Bethoven u shurdhua për shkak të pasionit të tij për muzikën por kjo nuk e ndaloi të shkruante dhe të kompozonte derisa vdiq.
Kjo do të jetë një eksperiencë unike dhe për tenorin Remy Burnens, i cili ka interpretuar edhe më parë këtë repertor, e cilësoi vizitën dhe performancën e ardhshme si “fantastike” dhe “diçka shumë të veçantë”.
“E kam bërë edhe më parë këtë performancë, por çdo sfidë është e re. Është një eksperiencë e veçantë dhe unike,” u shpreh Burnens.
Koncerti i të premtes pritet të jetë një pikë kulmore për skenën muzikore të Tiranës, duke sjellë standarde të larta interpretative me veprat e një prej gjenive më të mëdhenj të muzikës klasike. Publiku kryeqytetas do të ketë mundësi të shijojë muzikën legjendare të një kompozitori të madh që vjen vetëm për të. A.K./TemA
Lini një Përgjigje