Një mjek nga Kalifornia, i akuzuar se i ka dhënë yllit të serialit “Friends”, Matthew Perry-t, akses në ketaminë në javët para vdekjes së aktorit nga mbidoza, ka pranuar të deklarohet fajtor. Lajmi u bë i ditur nga prokurorët federalë.
Dr. Salvador Plasencia do të deklarohet fajtor për katër akuza për shpërndarje të ketaminës. Ky pranim fajësie mbart një dënim maksimal prej 40 vjetësh burg, dhe mjeku pritet të bëjë vetëdeklarimin e tij në javët në vijim.
Matthew Perry, i njohur më së miri për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, u gjet i vdekur në vaskën e tij me ujë të nxehtë në Los Anxhelos në Tetor 2023. Ai ishte 54 vjeç dhe, megjithëse kishte folur hapur për problemet me depresionin dhe varësinë, vdekja e tij tronditi fansat në mbarë botën.
Sipas mesazheve me tekst të ndara me prokurorët nga Dr. Mark Chavez – një mjek i cili tashmë e ka pranuar fajësinë në këtë çështje – Dr. Plasencia e kishte cilësuar Perry-n një “idiot” dhe pyeste veten se sa do të ishte i gatshëm të paguante për ilaçet.
Dokumentet e paraqitura për marrëveshjen e pranimit të fajësisë zbulojnë se Dr. Plasencia i ka injektuar Perry-t ketaminë në shtëpinë e tij dhe madje edhe në parkingun e Akuariumit Long Beach. Më tej, Dr. Plasencia i mësoi asistentit të Perry-t – i cili është gjithashtu i pandehur – se si ta administronte ilaçin dhe u shiste atyre shishe shtesë për t’i mbajtur në shtëpi shkruan BBC.
Dr. Plasencia është një nga pesë personat e akuzuar për atë që prokurorët pretendojnë se ishte një rrjet i fshehtë trafikantësh dhe profesionistësh mjekësorë që furnizonin Perry-n me ketaminë. Aktori merrte sasi të ligjshme dhe të përshkruara të ilaçit për të trajtuar depresionin e tij, por kërkonte më shumë sesa i ishte përshkruar.
Në total, marrëveshja e pranimit të fajësisë thekson se midis 30 Shtatorit 2023 dhe 12 Tetorit 2023, Dr. Plasencia i shiti Perry-t dhe asistentit të tij njëzet shishe 5 ml (100 mg/ml) me ketaminë, si dhe një sasi tabletash ketamine dhe shiringa.
Avokatët e Dr. Plasencia nuk ishin të gatshëm për koment, tansmeton rtsh.
Lini një Përgjigje