Moby Dick

10 Tetor 2022, 11:31Kulturë TEMA

Moby Dick

Nga Avis Gjyshja

Ishte një kohë, në Palermon e rinisë time, kur netëve, unë kishja frikë të shkoja në buzë të detit…

Më trëmbnin ujërat e errëta të gjirit dhe më kishin futur frikën historitë e ca vrasjeve "creepy" që kishin ndodhur në ato brigje, ku një vrasës serial, ish efektiv i repartit xhenjer që hapte tunelin, pasi vriste shokët e tij, ju lidhte nga një gur në trup dhe i hidhte nëpër humnerat e thella të atyre buzëujrave të thepisura. E si për më keq, po në atë kohë, kishja parë në një stacion të huaj televiziv dhe një film të quajtur “Orka - Balena vrasëse”, ngjarjet horror të të cilit, fillonin në një natë të errët e në një gji deti, pothuaj njëlloj si ai i Palermos tonë të asaj kohe.

Ndërsa nga Pasha Limani më kishte ngelur në kujtesë një natë e errët vjeshte ku ca klithma të vështira e të panjohura që vinin nga deti terrorizuan gjithë të gjallët që rronin në atë fund gjiri dhe që të nesërmen doli se ishin klithma të ca lloj balenash të vogla mesdhetare, dy nga të cilat kishin ngecur në ujrat e cekta të plazhit, përballë kodërzës ku thuhej se gjëndej varri i pashait plak…

Dhe ndërsa akoma edhe sot më bëhet sikur vagëlli shoh larg mbi det siluetat e hirta të peshkarexhave tona të vogla e të drujta të asaj kohe, e ndjej se në shumë mënyra, këto pjesëza të jetës time, ndërthuren edhe me mbresat e një historie gati të pabesueshme e cila frymëzoi edhe shkrimtarin Herman Melville të shkruante novelën “Moby Dick”.

…Sipas atyre që ka shkruar vetë Melville, ai e mori shtysën nga dy ngjarje të përafërta që lidheshin me gjuetinë e balenave.

E para ishte mbytja e balenierës “Essex”, e cila ndodhi më 20 Nëntor 1820, diku larg, në Paqësorin e Jugut, pasi u sulmua dhe shkatërrua nga një balenë e bardhë monstër, e quajtur Moby Dick.

Edhe e dyta ishte po ashtu, një histori balene, e cila qe vrarë aty nga fundi i vitit 1830, në ujërat afër ishullit kilian Mocha, emri i të cilit kish bërë që atë balenë ta thërrisnin me emrin Mocha Dick. Në ato që tregohen, thuhet se të dyja këto balena, të shtytura kushedi se nga çfarë lloj instiktesh hakmarrëse e mistike, ndiqnin dhe sulmonin anijet e gjuetarëve të balenave. Mbase është edhe trillim, por thuhet se kur u vra Mocha Dick, gjuetarët u pataksën kur në trupin e saj gjetën rreth njëzet apo më shumë harpunë të ngulur aty gjatë betejave të shkuara të saj me gjuetarët e balenave.

…………

..Në korrik të vitit 1852, pak kohë pas botimit të novelës, Herman Melville, hipi në një avullore dhe shkoi për një vizitë në ishullin Nantucket, rreth 30 milje detare në jug të Kepit Cod, në ujrat përballë Bostonit, një vënd ky, historikisht i njohur për lidhjet e tij me gjuetinë e balenave dhe përpunimin e vajit të tyre. Në novelën e tij, ai e kish përshkruar këtë ishull si vëndin ku jetonte kapiteni i tmerrshëm Ahab ndërsa portin e tij si pika prej ku doli në det baleniera imagjinare “Pequod”.

Ndërsa për mua, larg nga historia e“Pequod”, ujrat rreth ishullit Nantucket, ishin si ca “të njohur të vjetër”, me të cilët ishja “prezantuar”që në Pasha Limanin e vitit 1981, ku për herë të parë, kishja lexuar një material të vogël në të cilin flitej për katastrofën e nëndetëses bërthamore amerikane “Thresher” e cila kishte ndodhur diku në lindje dhe jo shumë larg nga ky ishull.

Shumë nga shënimet e Melville kanë kohë që kanë humbur, por midis të ngelurave janë edhe ato që tregojnë se ai takoi në atë ishull dhe një njeri të vetmuar e të mbyllur në vetvehte, i cili shtynte pleqërinë duke punuar si roje nate në portin aty pranë.

Kish kohë që njerëzit pothuaj e kishin harruar se ai plak i vetmuar ishte George Pollard, ish kapiteni i balenierës “Essex”, e cila qe sulmuar dhe mbytur nga një balenë e bardhë, ngjarje kjo që do të shënonte fillimin e njërës prej historive më rrënqethëse e më të pabesueshme të tragjedive të detit.

Pollard dhe Melville nuk kishin pasur rast të takoheshin ndonjëherë më parë, por i pari, pasi kishte lexuar kujtimet e Owen Chase, ish Oficer i Parë i “Essex", të titulluara "Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale-Ship Essex”, e kishte përdorur figurën e Pollard, si modelin mbi të cilin kish ndërtuar karakterin e kapitenit Ahab, personazhit kryesor të romanit “Moby Dick”.

Melville, duke qenë i mirë informuar nga kujtimet e Owen Chase, i dinte mirë vuajtjet e pa imagjinueshme të Pollard dhe të mbijetuarëve të tjerë të balenierës “Essex” të cilat ja kalonin pafundësisht atyre të Odisesë së Homerit, por megjithatë, në librin e tij “Moby Dick”, ato nuk përmëndeshin fare. Unë nuk e di arsyen, por mëndja ma thotë se ndoshta, nga që ato ishin aq të jashtëzakonëshme, ai i mendoi ato si jo fort të besueshme për lexuesit e tij. Megjithatë sipas kujtimeve të ngelura të Melville, ne sot dimë vetëm se kur ai e pyeti Pollard për këtë pjesë delikate të vuajtjeve të tij, ky i fundit gati ju lut që të mos e shtynte të kthehej mbrapsh në atë botë kujtimesh të errta e të tmerrshme të jetës së tij.

Pas këtij takimi, Melville, do të shkruante se “ndryshe nga banorët e ishullit që mendonin se ai plak i panjohur, ishte një njeri i pavlerë, ai mendonte se Pollard ishte njeriu më mbresëlënës dhe më i thjeshti e më i përuluri, që ai kishte takuar ndonjëherë në gjithë jetën e tij”.

Ky vlerësim i tij, ruhet edhe sot i ekspozuar në Muzeumin e Gjuetisë së Balenave në Nantucket.

………………….

-Por cili ishte në të vërtetë Pollard dhe cila qe ajo histori që e tmerronte e që ai mundohej ta mbante larg kujtesës së tij?!..

..Historia, fillonte në vitin 1819, plot 33 vjet para takimit të tij me Melville, kohë kur pronarët e balenierës “Essex”, e emëruan Pollard, si kapiten të saj.

-Vetë “Essex” ishte një anije e prodhuar në vitin 1799 por që u riparua dhe u bë pothuajse e re pak para se të vihej nën komandën e Pollard. E megjithëse me tre direkë, 27 metra gjatësi, 21 veta ekuipazh, rreth 239 ton peshë, me katër varka balenash që shkonin nga 6 deri në 9 metro gjatësi, plus një të pestë rezervë poshtë kuvertës, me vela, mjete ndihmëse etj, përsëri ajo konsiderohej një anije e vogël për gjuetinë e balenave.

Sipas planit, “Essex”do të nisej për gjueti në ujrat e jugut të planetit, një lundrim ky që nga nisja deri në kthim, zgjaste zakonisht dy e gjysëm deri në tre vite kohë. Ndër anëtarët e rëndësishëm të ekuipazhit ishin edhe Owen Chase i cili bënte detyrën e Oficerit të Parë si dhe Matthew Joy në detyrën e Oficerit të Dytë. Në ekuipazh u përfshi dhe shtatëmbëdhjetë vjeçari Owen Coffin, djali i Nancy Bunker Coffin, tezes së Pollard, e cila ja besoi kujdesin dhe mbrojtjen e tij, nipit të saj, Pollardit. Megjithatë, më i riu nga të gjithë në ekuipazh, ishte Thomas Nickerson, një 14 vjeçar i cili u punësua si ”djalë kabine” siç quheshin në ato kohëra djemtë e vegjël që punësoheshin si tip shërbëtorësh të kapitenëve të anijeve e që edhe pastronin apo bënin ndonjë punë tjetër të vogël vërdallë nëpër anije.

…Më 12 Gusht 1819, baleniera doli nga porti i Nantucket dhe më 14 gusht 1819, vetëm dy ditë pas nisjes, një stuhi e beftë në Atllantik, i shkatërroi velën kryesore dhe e la anijen me vetëm tre varka për gjueti balenash. Me “Essex” të dëmtuar dhe dy varka të humbura, Pollard deklaroi se dëmi ishte i madh dhe mendoi se ata duhej të ktheheshin në Nantucket për riparime. Por Chase dhe Joy duke qenë superticiozë e konsideronin kthimin prapa të anijes si shenjë të fatit të keq dhe kështu që e bindën Pollard që të shkonte përpara drejt ishujve Azore me shpresë se atje do të mund të riparonin dëmet dhe të zëvendësonin edhe dy varkat e humbura të balenave. Megjithëse ekuipazhi i filloi kërkimet për balena që ditën e parë sa dolën në ujra të hapura, ata panë dhe vranë balenën e parë vetëm pas dy muajsh lundrim, gjë kjo që ndodhi diku në jug të Rio de Zhaneiros.

Në janar të vitit 1820, “Essex” kaloi Kepin Horn dhe hyri në Paqësorin Jugor. Për një kohë të gjatë, pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit gjuetia vazhdoi të ishte zhgënjyese gjë kjo që ndryshoi për mirë vetëm kur anija arriti në ujërat e Perusë, ku ata gjetën dhe vranë diçka më shumë se 10 balena. Kohë më parë, një kapiten spanjoll, ju kish treguar njerëzve të “Essex”, se rreth 2000 milje larg në veri - perëndim të Kepit Horn, ishte një zonë që kishte shumë balena, por spanjolli kishte thënë edhe se atje gjëndej dhe një balenë e madhe e bardhë e cila ishte shumë agresive dhe që kishte sulmuar dhe shkatërruar anijen e tij, duke vrarë edhe gjashtë njerëz nga ekuipazhi. Historia e balenës së bardhë ju duk njerëzve të “Essex”si një përrallë të cilën nuk e vlerësuan dhe me shpresën e një gjuetie më të mirë vendosën të merrnin rrugën e gjatë për në zonat e largëta të ujrave të Paqësorit. Në përgatitje për këtë lundrim, në shtator të vitit 1820, “Essex” u ndal në Atacames të Ekuadorit, ku mori furnizime dhe bëri edhe ca riparime të vogla, por ku patën edhe një ngjarje të papëlqyer, pasi një nga anëtarët e ekuipazhit i cili quhej Henry DeWitt, u arratis. Edhe pse me një njeri më pak, deshi s’deshi, anija vazhdoi rrugën dhe qëndrimi tjetër i saj ndodhi të ishte ai i ishullit Hood të Galapagos, ku riparuan një rrjedhje në kallumën e anijes si dhe kapën e morën për ushqim edhe ca breshka të mëdha tipike për atë ishull. Nga fundi i tetorit të atij viti ata arritën në ishullin Charles ku qëndruan pak dhe shtuan përsëri edhe ca breshka të tjera llojit Floreana. Prej këtu ata u detyruan të largoheshin me urgjencë për arsye të një zjarri, i cili i doli jashtë kontrollit njërit nga ekuipazhi dhe u përhap pothuaj menjëherë në gjithë ishullin. Njerëzit e “Essex” shpëtuan, por që nga larg në det, ata panë zjarrin që zgjati dhe që dogji gjithë ishullin. Shumë vite më vonë, ishulli Charles, ndryshoi emrin në Floreana, por ai ngeli përgjithmonë një djerrinë e djegur dhe shkencëtarët e sotëm besojnë se ishte ky zjarr ai që zhduku përgjithmonë breshkën Floreana dhe një zog të rrallë me emrin Floreana Mockingbird të cilët nuk ekzistojnë më asgjëkundi në botë.

Pas gjithë këtyre historive dhe pas muajsh të tërë lundrimi e gjuetie të begatë, më 20 Nëntor 1820, “Essex” u gjënd në një zonë rreth 1500 milje detare në perëndim të ishujve Galapagos. Në një moment, kur dy nga varkat e balenave e bashkë me to edhe kapiteni Pollard, ishin shkëputur si zakonisht për gjueti rutinë në zonat për rreth, në anije, ndodhi diçka e papritur e cila u bë shkak që historia e “Essex”dhe ekuipazhit të saj të mos harrohej më kurrë…

Në një moment kur oficeri i Parë Owen Chase bashkë me burrat e tjerë të ngelur në anije po bënin riparime e pastrime, Chase pa papritur një balenë të bardhë, po aq të madhe sa dhe vetë anija, e cila megjithëse pak larg, doli mbi ujë, pa drejt anijes dhe pas dy apo tre çfryrjesh, u sul drejt “Essex”..

..Përplasja ishte e tmerrshme dhe të gjithë njerëzit në bordin e anijes u rrëzuan.

Balena kaloi poshtë anijes, u çfaq përsëri në anën tjetër dhe filloi të rrotullohej rreth saj.

-Unë – do të kujtonte më vonë Chase -munda ta shihja qartë kur ajo përplaste nofullat si e tërbuar nga inati apo urrejtja.

Pastaj balena u zhduk në ujrat e thella. Nga përplasja e balenës me anijen qe hapur një vrimë e po futej ujë, kështu që njerëzit që ishin në bordin e “Essex” vrapuan të riparonin çarjen dhe të thanin ujin që po futej.

Kur papritur një nga ekuipazhi e pa përsëri dhe klithi:

- Po vjen përsëri! Ja ku është!

Chase tregon se e pa balenën, kur me kokën gjysëm mbi ujë, u nis drejt “Essex” më shpejt e më fort se herën e parë, dhe pastaj një.. “dung-bam!” - poshtë bashit, anija u shkund, njerëzit dhe gjërat e palidhura u rrëzuan dhe menjëherë pas kësaj u dëgjua gurgullima e frikshme e ujit që po futej në anije.

Uji vërshoi shpejt e në sasi të madhe dhe njerëzit e ekuipazhit, duke parë se se çarja ishte e pa riparueshme e se “Essex” po anohej dhe dukej se do të fundosej përfundimisht, ulën shpejt në det të vetmen varkë të ngelur në anije dhe filluan me nxitim ta mbushnin me mjete të nevojshme lundrimi e mbijetese si bukë, ujë dhe furnizime të tjera.

Nga larg, Pollard e pa anijen që filloi të anohej dhe i trëmbur e pa kuptuar se çfarë po ndodhte, nxitoi të afrohej.

-O perëndi…! Po çfarë ndodhi për hatër të zotit?! – pyeti Pollard me zërin që i dridhej.

-Na sulmoi një balenë -ju përgjigj Chase që po nxitonte të nxirrte gjëra nga anija e ti fuste në varkë.

Pas pak u kthye dhe varka e tretë dhe burrat e pataksur po qëndronin të heshtur e pa ditur se ç’të bënin. Disa prej tyre, mbase nuk e kishin idenë se sa dëshpëruese ishte situata në të cilën ata ndodheshin.

I pari që u shkund ishte vetë Pollard, i cili u përpoq të dilte me një plan. Ata gjëndeshin në një zonë të largët të oqeanit, rreth 1500 milje detare në perëndim të ishujve Galapagos me vetëm tre varka druri dhe pak gjëra të tjera për mbijetesë. Puna e parë që duhej të bënin ishte të shpëtonin sa më shumë gjëra nga anija që po mbytej dhe të përgatisnin varkat për rrugën e largët.

Anija po batohej ngadalë në njërën anë dhe ekuipazhi pati dy ditë kohë për të shpëtuar çfarë të mundëte nga rrënojat që po zhyteshin ngadalë. Të njëzetë marinarët e ekuipazhit, të vetëdijshëm për furnizimet e pamjaftueshme në ushqim dhe në ujë të pijshëm filluan përgatitjen për më të vështirën rrugë të jetës së tyre. Puna e parë, duke patur parasysh shoqëritë dhe aftësitë gjithseicilit, ata u ndanë në tre grupe sipas varkave të cilat u vendos të komandoheshin nga oficerët Pollard, Chase dhe Joy. Pasi ndanë në mënyrë të barabartë ushqimet dhe ujin e pijshëm, njerëzit ju kthyen varkave të cilave ju shtuan dhe ca dërrasa anash për ti mbrojtur sa të mundnin nga goditjet e dallgëve si dhe i pajisën me ca direkë të improvizuar e me vela që i morën nga “Essex”. Midis gjërave të rëndësishme që mundën të shpëtonin, ishin dhe dy palë pajisje naviguese e bashkë me to edhe dy kopje hartash detare të Pacifikut të Jugut. Këto pak materiale u ndanë midis Pollard dhe Chase ndërsa varkës së Joy do ti duhej që të ndiqte, pa i humbur nga sytë, dy varkat e tjera. Duke studiuar hartat oficerët panë se tokat më të afërta nga ajo pikë e oqeanit ku ata ndodheshin, ishin ishujt Marquesas dhe Society, ca ishuj vullkanikë që i takonin Polinezisë Franceze dhe në këto kushte Pollard propozoi që të niseshin drejt tyre. Por në një nga vendimet më të pa llogjikshme të historisë detare, Chase dhe pjesa tjetër e ekuipazhit, duke insistuar se ata ishuj ishin vënde kanibalësh, e bindën Pollard të mendonte se shansi më i mirë për mbijetesë do të ishte lundrimi drejt Amerikës së Jugut, një rrugë kjo dy herë më e gjatë se sa ajo drejt ishujve të sipër përmëndur.

Duke u përpjekur të ndiqnin drejtimin e erërave, varkave do t’ju duhej së pari të lundronin për rreth 1000 milje drejt jugut derisa të zbrisnin poshtë paralelit 30 gradë, ku mund të përfitonin nga erërat e njohura me emrin “westerlies” të cilat janë tipike për gjërësitë gjeografike midis 30 dhe 60 gradë dhe që fryjnë në mënyrë të pandryshueshme në drejtimin perëndim - lindje. Dhe pasi të arrinin në atë zonë duhej të kthenin për në lindje, gjë që kërkonte edhe rreth 3000 milje të tjera për të prekur tokën.

Kështu pra, pa asnjë zgjidhje apo ide tjetër, të trija varkat u nisën për në rrugën e gjatë të shpëtimit….

..Por shpejt natyra do tregonte se nuk e përfillte sfidën e atyre varkave të mjera. Më e vogla dhe më e para gjë që ndodhi, ishte njomja e bukës nga ujrat e kripura gjë që pruri dhe dehidratimin e njerëzve që në racionet e tyre të para të ushqimit.

Më 20 dhjetor, fiks një muaj pas sulmit të balenës, mbaroi dhe uji i pijshëm. Pë fat, vetëm pak orë para se ekuipazhi të fillonte të vdiste nga etja, varkat panë në horizont ishullin e pabanuar Henderson, një ishull i vogël koralor i cili gjëndet brenda territorit të sotëm britanik të ishujve Pitcairn dhe të cilin ata e morën gabimisht për ishullin Ducie që ishte një tjetër ishull shkëmbor i ngjashëm me ishullin Henderson, por gati 220 milje më në lindje.

Ashtu si në Palermon e rinisë time, kur ne, duke ndjekur pëllumbat e egër, zbuluam një burim uji të pishëm, i cili zbulohej pjesërisht vetëm gjatë zbaticave, edhe ekuipazhi i “Essex” duke ndjekur zogjtë gjeti poshtë nivelit të baticës, një burim të vogël me ujë të ëmbël. Për vetëm një javë, ekuipazhi i uritur i “Essex” vrau dhe hëngri të gjithë zogjtë endemikë që mundën të kapin, të gjitha gaforret e vezët që gjetën dhe ca barishte të rralla që mundën të mblidhnin nëpër shkretëtirën për rreth, duke i dhënë kështu fund njëherë e mirë të gjitha burimeve ushqimore të ishullit. Më 26 dhjetor, duke parë se në ishull nuk kishte ngelur më asgjë për të ngrënë, ata u mblodhën, diskutuan dhe arritën në përfundimin se nëse do të qëndronin më gjatë aty, do të vdisnin nga uria. Ndërsa shumica e ekuipazhit filloi të përgatitej të hipte përsëri nëpër varka, tre burra nga ekuipazhi, përkatësisht William Wright, Seth Weeks dhe Thomas Chapple, të lodhur për vdekje nga lundrimi i deri atëhershëm, zgjodhën të qëndronin e të vdisnin në atë ishull…

Ndarja qe e vështirë, por askush nuk mund ti ndalonte ata të zgjidhnin vdekjen që donin...

Duke kuptuar se do tu duhej të lëviznin, pjesa e mbetur e ekuipazhit u kthye përsëri tek dy hartat e tyre të lundrimit dhe përcaktoi se gjëndeshin rreth 3000 milje larg Kilit dhe rreth 1000 milje larg nga ishulli i Pashkëve. Më 27 dhjetor, të shtatëmbëdhjetë anëtarët e mbetur të ekuipazhit të “Essex”, të riorganizuar në të trija varkat, rifilluan lundrimin, këtë radhë me synim për të arritur në ishullin e Pashkëve. Megjithë rracionimin e rreptë, problemi i ushqimit u ndje menjëherë kur pas tre ditësh mbaroi gjithçka që ata kishin mundur të grumbullonin në ishullin Henderson. I gjithë ushqimi i ngelur ishte vetëm një rezervë e vogël buke nga ajo që kishin marrë që më parë nga “Essex”. Për akoma më keq, më 4 janar 1821, ata kuptuan se erërat dhe rrymat detare i kishin shtytur shumë më në jug të ishullit të Pashkëve dhe në një plan të ri atyre ju desh të vendosnin që të përpiqeshin për të shkuar në ishullin Mas a Tierra, i njohur ndryshe edhe si ishulli i Robinson Crusoe.

Por pas aq shumë javësh në det, forcat po i linin, varkat kishin filluar të merrnin ujë dhe ndërkohë edhe disa balena vrasëse kishin filluar të ndiqnin varkat. Rracionet e pakta ushqimore dhe rezervat e ujit të pijshëm po mbaronin dhe ky ishte dhe momenti kur uria e tmerrshme filloi të jepte efektet e saj. Kjo ishte dhe koha kur burrat filluan të vdisnin një e nga një...

Gjendja shëndetësore e Oficerit të Dytë, Matthew Joy, i cili kishte qenë i dobët që para se “Essex” të nisej nga Nantucket, po përkeqësohej vazhdimisht. Më 10 janar, Joy vdiq, duke u bërë kështu anëtari i parë i ekuipazhit që vdiste në varkë. Në bazë të traditës, trupin e tij e hodhën në det, ndërsa Hendricks mori drejtimin e varkës.

Të nesërmen, varka e Chase, në të cilën gjëndeshin Richard Peterson, Isaac Cole, Benjamin Lawrence dhe Thomas Nickerson, u nda nga të tjerat gjatë një stuhie të papritur. Shpejt pas kësaj, më 18 janar vdiq Peterson, i cili ishte dhe anëtari më i vjetër i ekuipazhit. Ashtu si edhe Joy, edhe trupi i Peterson u hodh në det.

Ndërsa më 8 shkurt, vdiq Isaac Cole...

Vdekja e Isaac ishte dhe momenti për të cilin Chase në kujtimet e tij të mëvonëshme “Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale-Ship Essex”, do të shkruante se “njerëzimi duhet të dridhet nga ajo që erdhi më pas”....

“-Ndamë gjymtyrët nga trupi – shkruan Chase - ndamë gjithë mishin nga kockat, pastaj i hapëm gjoksin, i nxorëm zemrën dhe pasi e mbyllën përsëri ashtu si mundëm – pjesën e ngelur, e hodhëm në det.”

Burrat e ngelur gjallë vendosën të hanë shokun e tyre të vdekur. Ata hëngrën mëlçinë dhe veshkat e tij, por patën ca vështirësi kur hëngrën mishin e muskujve.

Furnizimet në varkën e Hendricks mbaruan më 14 janar. Në atë varkë përveç Hendricks ishin edhe William Bond, Lawson Thomas, Charles Shorter, Isaiah Sheppard dhe Joseph West. Pollard afroi bujarisht të ndante me ta ato pak furnizime të mbetura në varkën e tij, por kjo ndihmoi vetëm për dy apo tre ditë. Thomas vdiq më 20 janar dhe shokët që nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër vendosën që ta hanin edhe trupin e tij.

Ndërsa në varkën e Pollard, gjëndeshin Samuel Reed, Owen Coffin, Barzillai Ray dhe Charles Ramsdell. Ushqimi i tyre zgjati diçka më shumë. Ndërkohë vdekjet po shpeshtoheshin. Më 23 janar vdiq Shorter, më 27 Sheppard dhe më 28 Reed.

Të vdekurit nuk po hidheshin më. Të mbeturit gjallë hanin shokët e tyre të vdekur.

Racionet e mishit të të vdekurve nuk zgjatën shumë dhe të mbijetuarit, sa më shumë që hanin, aq më shumë ndiheshin të uritur. Në të dyja varkat, burrat qenë dobësuar aq shumë sa nuk mund as të flisnin më. Ishte e qartë se pa ushqim së shpejti do të vdisnin të gjithë.

Më 6 shkurt 1821, nëntë javë pas mbytjes së “Essex”, Charles Ramsdell, një adoleshent që ishte në varkën e Pollard, propozoi që të hidhnin short për të përcaktuar se kush do të hahej më pas.

Në mungesë të çdo mundësie tjetër, burrat në barkën e Pollard-it e pranuan idenë e Charles Ramsdell dhe hodhën short. Shorti për tu ngrënë, i ra Owen Coffin, djalit të tezes të kapitenit Pollard, i cili i kishte premtuar nënës së tij se do të kujdesej për të duke dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tij .

-Oh mos djali im! -klithi kapiteni - Nëse nuk ju pëlqen fati juaj, unë do të qëlloj të parin njeri që do t’ju prekë.

Por edhe kur Pollard propozoi që të hanin atë vetë në vënd të tij, Owen nuk pranoi të këmbehej.

-Nuk ankohem – tha Cofin me zë të ulët. -Më ra shorti mua si ç’mund ti binte edhe të tjerëve- dhe u kthye nga krahu tjetër duke pritur se kujt do ti binte shorti për ta qëlluar.

Ramsdell hodhi përsëri shortin dhe këtë radhë i ra atij vetë që të vriste shokun e tij të ngushtë. Ai vari kokën dhe ngriu për një kohë të gjatë, derisa pa Coffin që mbështeti kokën në anë të varkës duke pritur vdekjen dhe atëhere drejtoi armën dhe tërhoqi këmbëzën.

..Si të tjerët edhe trupi i Coffin u hëngër dhe shpejt nuk ngeli më asgjë.

……..

Më 18 shkurt, pas 89 ditësh në det, tre burrat e mbetur në varkën e Chase, panë një velë në distancë. Ishte anija angleze “Indian” që u afrua dhe i mori në bord. Të mbijetuarit e kësaj varke ishin Chase, Benjamin Lawrence dhe i riu Thomas Nickerson.

Një javë pas gjetjes së varkës së Chase, më 23 shkurt, njerëzit e anijes amerikane “Dauphin” vunë re në sipërfaqe të detit, varkën e Pollard. Në atë varkë kishin ngelur gjallë vetëm Pollard dhe Ramsdell, të cilët pas vdekjes së Barzillai Ray dhe ngrënjes së kufomës së tij, dukeshin krejt të mjerë e të hutuar. Duket se ata nuk u gëzuan dhe as nuk kuptuan gjë për shpëtimin e tyre, por duke tmerruar njerëzit e “Dauphin” vazhdonin e merreshin në fund të varkës me eshtrat e Barzillai Ray, të cilat i thyenin dhe përpiqeshin t’ju hanin palcën.

Të pestë të shpëtuarit e gjetur u nisën për në Valparaiso të Kilit ku dhe u morën nën kujdes mjekësor intensiv për një kohë të gjatë përpara se ti nisnin për në Nantucketin e tyre të largët.

..Ndërsa varka e Hendricks nuk u pa më kurrë. Të tre burrat që gjëndeshin në të u menduan të vdekur. Shumë vite më vonë, në brigjet e ishullit Ducie u gjet një varkë me tre skelete brënda. Varka ishte një nga ato që përdoreshin për gjueti balenash dhe u mendua se skeletet brënda saj mund të ishin të Hendricks, Bond dhe West, por për arsye të pamundësive që ekzistonin në atë kohë, as varka dhe as skeletet nuk u identifikuan dot kurrë pozitivisht.

Kohë më vonë, Kapiteni Raine i anijes tregtare “Surry”, kur ngarkonte grurë në Valparaiso për në Port Jackson të Australisë, dëgjoi për tre anëtarë të ekuipazhit të balenierës “Essex”, të cilët kishin ngelur në ishullin Henderson. Si një detar i mirë, duke besuar se detarët duhet gjithmonë të ndihmojnë njëri tjetrin, ai vendosi të sakrifikonte dhe të shihte nëse ata burra ishin akoma gjallë në atë ishull të shkretë. Dhe më 9 prill 1821, anija “Surry”, duke ndjekur kursin drejt Ishullit të Pashkëve dhe Tahitit, ndaloi në ishullin Henderson, ku çuditërisht i gjeti gjallë të tre të mbijetuarit.

………………………

Nathaniel Philbrick në librin e tij “In the Heart of the Sea: The Tragedy of the Whaleship Essex”, të botuar në vitin 2000, thotë se Pollard e kishte treguar vetëm njëherë historinë e plotë të “Essex”dhe kjo kishte ndodhur para ca kapitenëve dhe një misionari të quajtur Xhorxh Benet, gjatë një darke menjëherë pas shërimit të tij. Benet, sipas Philbrick, tha, se ajo që ai kishte dëgjuar nuk ishte një përrallë por një rrëfim i një të vërtete të tmerrshme para një prifti. 92 ditë dhe netë pa gjumë, në det, në një varkë që fut ujë, pa ushqim, pa ujë, me shokët që çmënden e vdesin një nga një, pastaj kanibalizmi dhe fati i tmerrshëm i djalit të tij të tezes Owen Coffin…

-Por unë nuk mund të tregoj dot më shumë - i tha Pollard misionarit duke e ndërperë tregimin e tij të kobshëm - Më digjet koka nga tmerri dhe kujtimet.

Një nga kapitenët e pranishëm, shënimet e të cilit do ti përdorte edhe Nathaniel Philbrick më vonë, i tronditur nga tregimi i Pollard, u ngrit dhe shkroi gjithçka që dëgjoi duke e quajtur atë rrëfim, si më të tmerrëshmin që kishte dëgjuar ndonjëherë në gjithë jetën e tij.

Lajmi për kthimin e të mbijetuarëve të “Essex” në Nantucket, dhe historia e tyre u përhapën shpejt në gjithë Amerikën e asaj kohe. Kanibalizmi që kishte ndodhur, u arsyetua, dhe u gjet pothuajse i arësyeshëm në rrethanat në të cilat ishin gjëndur të mbijetuarit. Sipas kujtesave të rasteve të tjera të ngjajshme, të mbijetuar të tjerë kishin refuzuar të hanin mishin e shokëve të vdekur, por e kishin përdorur atë për të kuar grepat e për të kapur peshk. Por Philbrick me të drejtë shkruante se varkat e “Essex” lundronin në ujëra ku nuk kishte faunë detare në sipërfaqe.

Kapiteni Pollard, megjithatë, nuk u fal edhe aq lehtë dhe kjo sepse ai kishte ngrënë djalin e tezes së tij. Një studiues i më vonëshëm do ta quante këtë rast si një "inçest gastronomik", por megjithatë nëna e Owen Coffin, nuk e fali dot kurrë nipin që i kishte ngrënë djalin.

Pollard u mbyll shpejt në vetvehte. Ai ju shmangej njerëzve dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke punuar si roje nate në Nantucket. Një herë në vit, në çdo përvjetor të mbytjes së “Essex” thuhej se ai mbyllej në dhomën e tij dhe agjëronte për nder të ekuipazhit të humbur.

Ai vdiq më 7 Janar 1870, dhe varri i tij gjëndet sot në varrezat Prospect Hill të Nantucket. Historia e jashtëzakonëshme e mbijetesës së tij në Oqeanin Paqësor, por dhe fakti se ai ishte dhe njeriu që shërbeu si frymëzim për Herman Melville për të krijuar figurën e kapitenit Ahab, kanë bërë që varri i tij të kthehet në një vend pelegrinazhi.

Ndërsa për Owen Chase duhet thënë, se kujtimet e asaj përvoje të tmerrshme, e vranë gradualisht shpirtin e tij. Katër muaj pas kthimit në Nantucket, ai shkroi kujtimet e tij të titulluara “Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale-Ship Essex”. Pas kësaj, me kalimin e viteve, ai filloi gradualisht të vuante nga dhimbje të tmerrshme koke dhe ankthe të pafund. Më vonë, Chase filloi të kishte iluzionin e të qënit në varkë dhe filloi të merrte e të fshihte ushqime në papafingon e shtëpisë së tij deri sa përfundimisht u izolua dhe u mbajt për 8 vjet në një spital të çmëndurish.

Ai vdiq më 7 mars 1869, dhe sot, në Varrezat e Veriut, në ishullin Nantucket të Massachusetts, duket edhe një gur pak i shtrëmbër e i nxirë nga koha, në të cilin lexohet emri i tij.

Midis atyre që shkruan kujtimet e tyre lidhur me këtë histori, qe edhe djaloshi Nickerson, i cili e bëri këtë gati 50 vjet më vonë, në një përmbledje që e titulloi “The Loss of the Ship Essex Sunk by a Whale and the Ordeal of the Crew in Open Boats”.

Vlen të theksohet se kujtimet e të gjithë të mbijetuarëve përputheshin saktësisht me njëri tjetrin gjë kjo që merret edhe si një provë vërtetësie e rrëfimeve të tyre.

……………….

Sot, në Shtetet e Bashkuara, ka rrugë, sheshe e biznese që mbajnë emrat e Meleville dhe të personazheve kryesore të novelës “Moby Dick”. Ndërsa emrat e njerëzve të historisë reale që frymëzoi atë novelë shumë pak i dinë. Megjithatë në New Bedford të Massachusetts, në përkujtim të historive të gjuetisë së balenave, gjëndet dhe një muze ku midis të tjerave flitet edhe për ta..….

1 Komente

  1. n
    na ja , Bukur ...!

    s'e di pse kisha nji ide , ndryshe sekur Moby Dick ta kishte shkruajtur nji X shkrimtare Angleze qe emigroj ne rinine e tij ne Amerike . Por nejse ,e kaluara ,kujtimet e saj sduhet te shikohen me sy deshperues ,sepse ... ja kushedi ka tipa qe jetojn ne te kaluaren e tyre edhe pse duhet then se ; vet sapo mbusha 102-vjec dhe jetoj ala ne te kaluaren e ndihem mjaft mir ,nderkohe qe e sotmjaaaa ?????? pfff , s'me thot sgje .

    Lini një Përgjigje