Në ditën e librit Zenit riboton "KUVENDIMET" e Rumiut

23 Prill 2025, 19:04Kulturë TEMA
Në ditën e librit Zenit riboton "KUVENDIMET" e Rumiut

Mevlana Xhelaledin RUMI
Përktheu: Ervin Lani
Zenit editions
Mos ia thoni askujt, veç të urtit...
do të ishte e mundur të shkruhej te shumë thënie të tij. Po, madje edhe më tepër se kaq, ai thotë se fjala e urtë i vjen deridiku në masën e aftësisë përthithëse të dëgjuesve të tij.

...Kur Mevlana flet për këtë botën tonë, ai e thotë shpesh (gjë që e bën rrallë në poezinë e tij) se kjo botë është e ndërtuar mbi shpërfillje dhe harresë. Natyrisht që këtu mbështetet në një hadīth, sipas të cilit bota do të rrënohej, po të mos ishin budallenjtë, sepse janë pikërisht këta që merren me kënaqësi e me punë tokësore dhe që kujdesen për të mos u shpopulluar kjo botë – sikur të gjithë të përmalloheshin për Zotin, askush nuk do të merakosej për këtë botë. Sikurse thotë ai: bota është si shkumë në oqeanin e pafundmë të Zotit, ndërkohë që ka disa njerëz, që e shtyjnë kohën për ta mbajtur në rregull këtë shkumë. Pra, siç e shohim, Rumi është pragmatist. Bota është këtu, ngaqë Zoti e ka krijuar si vend për shpërfaqjen e Tij, dhe Ai do që ajo të vazhdojë të ekzistojë.

...Po ku qëndron njeriu në këtë botë të krijuar nga Zoti? Mevlana e ka karakterizuar atë me shumë humor si dikush tek i cili krahët e engjëllit i kanë lidhur me bishtin e gomarit (Kap. 26) – ai qëndron mes instinkteve kafshërore dhe dëlirësisë engjëllore, as shpirt i kulluar si engjëlli, as instinkt i kulluar si kafsha, por vazhdimisht në luftë kundër cilësive të tij të ulëta, teksa, si engjëlli ashtu edhe djalli shpresojnë që ta tërheqin nga vetja.

Hadīthi: “Kjo botë është arë për jetën e përtejme” i jep Mevlanës shkas për të përfytyruar metaforën e shpërblimit dhe ndëshkimit të veprave njerëzore. Mos vallë do të korret elb, nëse është mbjellë grurë, apo anasjelltas? Varet prej njeriut që ta punojë mirë arën e tij në këtë botë me synimin që të marrë të korrura të bollshme në jetën e përtejme. ...Për sa kohë që rrënja të jetë në rregull dhe të ujitet, ajo do të japë frute të mira, ama trungu duhet të jetë i patundur – vetëm frutat mund të lëvizin në majat e degëve, që janë afër diellit dhe erës, atje ku, duke u trandur si njerëzit e përshpirtshëm, përjetojnë procesin e pjekjes, duke kaluar nga idhtësia në ëmbëlsi (thua se po nxiton duke vrapuar në atë drejtim, thotë njëherë Rumi për rrushin e papjekur që kërkon të piqet e të bëhet i zi sa më shpejt që të jetë e mundur). Nëse fruti është pjekur dhe është bërë i ëmbël, atëherë nuk ka më kthim mbrapa: synimi është arritur, ai synim për hir të të cilit ekziston e gjithë pema.

Domethënë, njerëzit do të kënaqen në mënyrën e tyre pa e ditur se me gjithçka që bëjnë ndjekin edhe një qëllim të fshehtë të Zotit. Në lojrat e dashurisë ata mendojnë për kënaqësinë e tyre vetjake dhe jo aq shumë për fëmijën që do të lindë prej tyre, por që është i domosdoshëm për ekzistencën e mëtejme të botës; ata shkruajnë libra për të treguar diturinë e tyre, dhe kësisoj i bëjnë të njohura të vërtetat e Zotit. Çfarëdo që bëjnë, si të themi, duke luajtur, e bëjnë për të përmbushur vullnetin e Zotit dhe për të vazhduar ekzistencën e kësaj bote. Kështu, në njëfarë kuptimi, si shpërfillja ashtu edhe harresa janë një bekim hyjnor. E çfarë u duhet njerëzve të tillë tejvështrimi shpirtëror? Tamam ashtu si disa kafshë të vogla nëntokësore që ia dalin më së miri duke mos pasur sy, edhe disa njerëzve të kësaj bote nuk u nevojiten mjete për soditje të brendshme, sepse për të njohur vlera shpirtërore, duhet të kemi dell po shpirtëror:
Syri dritë të mos kishte,
Dielli kurrë s’do ta njihte ...
Këto fjalë të Goethes do të kishte mundur t’i thoshte edhe Mevlana.
nga parathënie e Annemarie Schimmel

Lini një Përgjigje