Në kujtim të Pashko Gjeçit, që paska patur ditën e lindjes, po shkëpus këtë pjesë nga parathënia e botimit shqip të ‘Uliksit’. Vepër që nuk është përkthyer prej tij, por, meqë përmban mjaft pasazhe nga të tjera kryevepra, ky fragment rri në esenë e plotë në kontekstin e mirënjohjes që kam dashur të shpreh ndaj përkthyesve të tyre dhe mundit të përkthimit si i tillë.
...Pashko Gjeçi, prej të cilit kumbojnë shqip vargjet e hyjshme dhe dilema Hamleti, Fausti, por dhe Andromaka Racini, Atalia Chatobriandt e vargje Leopardi në pritje botimi, përkthyesi kimerik që e kemi gjallë por s’po ja dimë pahanë, një ditë tani vonë rrëfeu sesi ishte ndjerë kur posa përfundoi Komedinë Hyjnore. Të parat vargje, nga Kënga e Tetë nëmos gaboj, i kishte nisur si lojë, një mbrëmje... kur qe veç dymbëdhjetë vjeç. ...Nuk i ka prekur më ato vargje qysh nga koha e Liceut! Ashtu si i kemi edhe sot. Ndërsa, në fund të të fundmit varg të përkthyer, iu bë sikur at’çast, dikur ndaj të gdhirë, Poeti doli nga deriçka e strehës së përkthyesit, me tërë vitet që i rrinte mjeshtrit model, teksa ky e kthente dhe përkthente:
M’u duk se Dante doli fill prej porte... dhe më la fillikat!
Pasi e patën gjykuar e burgosur kot për plot pesë vjet, një ditë kur gjykuan se u lypsej ‘ferri’ i Komedisë në shqip, e kthyen përkthyesin në kryeqytet. Autoritetet i dhanë një autorizim strehimi, drejt vendodhjes së të cilës u avit përgjëruar për një tavolinë pune dhe ca dritë. Mandej, ndesh një portë që kësaj rradhe po hapej, por për çudi shtëpia brenda kishte njeri! Përballë iu shfaq idhulli, mësuesi i gjimnazit në Shkodër. Ai që i pat mëkuar gjuhë antike e letërsi, atij dhe mjaft letrarëve e përkthyesve të ardhshëm, tek u linte heshtas nga një libër poshtë bankës, zgjedhur sipas prirjeve të secilit dhe blerë nga xhepi i tij.
Mësuesi plak, gjendur gabimisht në shtëpinë e re - që në një copë letre me adresë i përkiste Pashko Gjeçit-, quhej Pashko Geci... Dhe, ja, ngatërrimi prej një shkronje që i shtohej gjithë ngatërresës lesh e li e kolerë aneqark. Plaku i urtë bënte të merrte plaçkat, për t’u shkulur e shkuar aty ku i qe caktuar, ndërsa nxënësi e kish qafuar dhe s’e linte të bënte çap. Pastaj ndërruan fletushkat e paqarta e të ndotura të autorizimeve. Si trille xhojsiane keqkuptimi, të cilin ky na e quajti motor historie, apo si një lojë e thjeshtë fjalësh, të llojit ‘Uncle Lear’ me ‘unclear’, siç luante lojën e fjalëve një lexues në letrën qëndisur Xhojsit dikur, duke e qesëndisur me emrin Germ’s Choice.
Përkthyesi i Dantes, shkuar të nëntëdhjetat, vijon qysh asokohe jetën e qindit, mes mureve të dy dhomave aneks të vogla fare. I aneksuari i madh i qytetarisë mu këtu mes qytetit, pas dritares përballë, penxheres ndë ‘Shallvare’. Matanë Lanës dhe të zezave ujëra si prej gjirizi dantesk. Komedinë Hyjnore e kujton dhe reciton vetëm në origjinal. Së këndejmi, zgjedhim mbrëmjeve ndonjë varg shqip. Falë tij dhe ferrit të tij, prej vargjeve Parajsë.
K. Zejno
nga parathënia e botimit shqip të ‘Uliksit’ (Zenit, 2003)
Mos kemi te bejme me nje artikull te shkruar para shume vjetesh, sepse Pashko Gjeci prej vitesh eshte ndare nga jeta