Mbërrita në adresën që më kishin dhënë dhe i rashë borisë. Pasi prita disa minuta, i rashë sërish. Meqë ishte rruga e fundit për atë ditë, mendova të largohesha, por si përfundim parkova dhe më pas shkova te dera e trokita.
"Një minutë", u përgjigj një zë i moshuar. Dëgjova diçka të zvarritej mbi dysheme.
Pas një pauze të gjatë, dera u hap. Një grua e imët rreth të 90-ve qëndronte para meje. Ajo kishte veshur një fustan me lule dhe një kapelë me tyl, si një personazh i filmave të viteve 1940.
Pranë saj ishte një valixhe e vogël najloni. Apartamenti dukej sikur askush nuk kishte banuar në të prej vitesh. Të gjitha mobiljet ishin të mbuluara me çarçafë.
Nuk kishte orë në mure, as sende apo enë mbi banakë. Në një cep ndodhej një kuti kartoni e mbushur me foto dhe enë qelqi.
Ajo tha: "A mund ta çoni bagazhin tim në makinë?" E çova valixhen në makinë dhe më pas u ktheva për të ndihmuar gruan.
Ajo më kapi nga krahu dhe ne ecëm ngadalë drejt trotuarit.
Vazhdoi të më falënderonte për mirësinë time. "S’ka përse, i thashë, thjesht përpiqem t'i trajtoj pasagjerët ashtu siç do doja të trajtohej nëna ime."
"Oh, jeni një djalë i shkëlqyer" tha ajo. Kur hipëm në makinë, më dha një adresë dhe më pyeti: "A mund të kalosh me makinë nëpër qendër të qytetit?"
"Nuk është andej rruga më e shkurtër", iu përgjigja.
"Nuk më prish punë. S’e kam me ngut. Po shkoj në qendrën e kujdesit paliativ."
Pashë në pasqyrën e kabinës. Sytë e saj vezullonin. "Nuk kam familje", rifilloi ajo me një zë të butë. "Doktori thotë se nuk e kam të gjatë". E ndala taksimetrin pa i rënë në sy.
"Cilën rrugë dëshironi të marr?", e pyeta unë.
Përgjatë dy orëve ecëm me makinë nëpër qytet. Ajo më tregoi ndërtesën ku kishte punuar si punonjëse ashensori.
Kaluam nëpër lagjen ku ajo dhe i shoqi kishin jetuar të porsamartuar. Më tha që të ndaloja përpara një dyqani mobiljesh që dikur kishte qenë sallë vallëzimi e ku ajo, vajzë e re, shkonte për të kërcyer.
Herë pas here më kërkonte të ngadalësoja shpejtësinë përpara një ndërtese të caktuar ose një qosheje dhe e hidhte vështrimin e përhumbur në errësirë, pa thënë asnjë fjalë.
Kur dielli filloi të kapte horizontin, ajo papritmas tha: "Ndihem e lodhur, do doja që të shkonim tani".
Ecëm me makinë në heshtje drejt adresës që më kishte dhënë. Ishte një ndërtesë e vogël, si një shtëpi e vogël pushimesh, me një portik që të çonte në një rrugicë.
Dy infermierë dolën dhe u drejtuan për nga taksia. Ishin shumë të përzemërt dhe ndiqnin me vëmendje të gjitha lëvizjet e zonjës së moshuar. Me sa dukej ata e prisnin ardhjen e saj.
Hapa bagazhin dhe e çova valixhen e vogël deri te dera. Gruaja ishte ulur tashmë në një karrige me rrota.
"Sa ju detyrohem?" më pyeti, duke hapur çantën.
"Asgjë" i thashë.
"Po do jetoni edhe ju" tha ajo.
"Do ketë pasagjerë të tjerë", iu përgjigja.
Pothuajse pa u menduar, u përkula dhe e përqafova. Ajo më përqafoi fort.
"Ju sot i dhuruat një zonje të moshuar disa çaste gëzimi, tha ajo. Falemnderit."
I shtrëngova dorën dhe u ktheva. Pas meje u mbyll një derë. Ishte zhurma e një jete që po mbaronte.
Në kthim nuk mora asnjë pasagjer. I jepja makinës kuturu, i humbur në mendime.
Pothuajse nuk fola pjesën tjetër të mbrëmjes. Ç’do kish ndodhur sikur ajo grua të kish rënë në një shofer të zemëruar, ose në dikë të paduruar e të nxituar? Po sikur të mos i kisha rënë disa herë borisë e pastaj të kisha ikur pa e pritur?
Kur e mendoj, them se nuk kam bërë asgjë tjetër më të rëndësishme në jetë.
Jemi të kushtëzuar të mendojmë se jeta jonë sillet rreth momentesh të mëdha. Por momentet e mëdha janë shpesh çaste të vogla, të cilave nuk u kushtojmë vëmendjen e duhur.
U ndjeva i mbushur me ndjenjë e drithërimë, kur e përfundova së lexuari. Shumë njerëzore. Shumë qytetari. Shumë sinjifikative. Faleminderit për këtë dhuratë për mua, do ta cilësoja. Rrofsh.
Na duhen edhe neve qe te lexojme here pas here shkrime si ky, ne qe lexojme mbi aktualitetin, kryesisht ate politik, ku kjo e fundit (ndjes per gjuhen, me sa duket e justifikuar) na çan trapin nga mengjesi deri ne darke!
Ylli Demneri! Jeni njeri i ralle me shpirt te madh,Ndihem njeri i vecante, qe jam bashkeatdhetari juaj.Ti ben, qe te jete me se e prekeshme dhe e gjalle dashuria per njeriun dhe per atdheun.