Opera & Ballet Night vihet në skenën e TKOB

19 Janar 2026, 15:26Kulturë TEMA
Opera & Ballet Night vihet në skenën e TKOB

Opera & Ballet Night, një mbrëmje kushtuar operës dhe baletit ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, disa prej zërave më të bukur të repertorit operistik dhe elegancën e balerinëve.
Dialogu artistik mes muzikës dhe kërcimit i dhuroi publikut një përvojë të veçantë emocionale.

Programi përfshinte vepra nga kompozitorë të mëdhenj të operës si Puccini, Verdi, Mozart, Donizetti, Giordano, Mascagni dhe Lehár, si edhe fragmente koreografike të baletit klasik dhe atij bashkëkohor.

Në skenë u ngjitën solistët lirikë, solistët dhe Trupa e Baletit, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOBAP.

“Opera & Ballet Night” ishte konceptuar si përvojë skenike në formën e një mozaiku artistik, ku ariet dhe duetet më të njohura të repertorit operistik botëror u ndërthurën me pjesë baleti. Koreografitë mbajnë firmën e August Bournonville, Edi Blloshmi, Enada Hoxha, Renato Zanella, Peter Quanz dhe Alvaro Dule, ndërsa orkestra u drejtua prej dirigjentit Gridi Kraja.

Një veçanti e kësaj mbrëmjeje speciale ishte fakti se në të morën pjesë edhe studentët e Universitetit të Arteve. Angazhimi i këtyre instrumentistëve tê rinj prej drejtuesve të TKOBAP, shihet si një komponent i rëndësishëm për realizimin e projekteve artistike. TKOBAP thotë se, studentët kanë qenë vazhdimisht pjesë e produksioneve të ndryshme, një eksperiencë që e vlerësojnë si thelbësore në formimin e tyre profesional dhe praktik. A.K./TemA


Lini një Përgjigje