Portreti i Rexhep Qosjes, shkrimtari dhe akademiku i shquar i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89 vjeç, është realizuar në linoleum në vitin 1991 nga mjeshtri Abaz Hodo dhe është grafikë e shtypur me dorë pasi autori thotë se në atë kohë nuk kishte një prese
Piktori i mirënjohur dhe kritiku i shquar i arteve pamore, Abaz Hado, thotë se ideja erdhi pasi portreti i profesor Rexhep Qosjes ishte në ballë te protestave gjatë ndryshimit të sistemit. “E kam realizuar me një ndenjë frymëzuese me disa personalitete të tjerë si Anton Çeta etj, në ekspozitën e parë që kam hapur në vitin 1993 tek Piramida”, thotë Abaz Hado.
Autori i portretit kujton se për ta vizituar ekspozitën ku u ekspozua portreti i Qosjes mbërriti edhe vetë profesori me bashkëshorten. “Me sa mbaj mend shoqërohej nga Preç Zogaj dhe Besnik
Mustafaj. Ai e pëlqeu shumë dhe unë me shumë dëshirë ja dhurova. Mbaj mënd se u kënaq po aq, nderkohë që gruas së tij i dhurova një pastel. Profesori i tha gruas tij se po na bën borxhli Abazi. Unë me sa mbaj mënd i kam thënë se jam i gezuar për vizitën tuaj dhe në respekt po ju bëj dhuratë” shton më tej Abaz Hodo.
Historia e portretit nuk mbyllet me kaq. - “Më vonë kam mësuar prej Moikom Zeqos, mikut tim se grafikën e kishte në shtëpinë e tij. Ndërsa si foto e ka sjellë shkrimtari dhe miku im Ben Blushi. Portreti ndodhet te shtëpia e profesorit. Mu kujtua kur pashë kronikën dhe atë madheshti të amanetit të intekektualit me portretin e të cilit rinia shqiptare doli në shesh për liri dhe demokraci” - mbyll rrëfimin e tij piktori i mirënjohur, Abaz Hodo për portretin dedikuar shkrimtarit të madh Rexhep Qosja. /MAPO.al/