Piktori elbasanas, Gazmend Xhaferri ka sjellë më lart një shtëpi karakteristike të qytetit të tij, e punuar me ngrohtësi dhe plot nostalgji.
Aty çfarë vërehet është borri i gjelbëruar, i mbushur me pemë agrumesh, shumë prej tyre të lulëzuara, duke shtuar ngjyra të verdha e portokalli. Gurët e oborrit dhe rrugicat e vogla ndihen si të kaluar mbi to, duke të dhënë përshtypjen e një shtepie të banuar, të dashur dhe të kujdesur.
Vëmendja të shkon tjetër te verandat tradicionale me shtylla druri, të cilat shtrihen përgjatë fasadës së shtëpisë. Karriget e vendosura nën hije të kujtojnë pushimet e gjata të verës, bisedat familjare dhe mikpritjen tipike elbasanase.Vetë shtëpia është e lyera me të bardhë, me çati prej dërrase të errët, duke përfaqësuar arkitekturën tradicionale të zonës.
Në tërësi, kjo pikturë është një hommage për trashëgiminë elbasanase: një kombinim i dritës, ngjyrave të ngrohta dhe peizazhit të kultivuar, që sjell ndër mend fëmijërinë, traditat dhe aromën e portokalleve që karakterizon shumë oborre të Shqipërisë së Mesme.
“Shumë ndërtesa historike janë shembur dhe nuk kanë më atë kënaqësinë që të jepnin dikur. Edhe në Elbasan shumë prej tyre e kanë humbur pamjen e tyre të dikurshme,” - shprehet në një intervistë piktori i mirënjohur elbasanas.
Me këtë krijim, Gazmend Xhaferri forcon edhe një herë rolin e tij si artist që thjesht nuk pikturon, por kujton dhe gjallëron historinë e qytetit në çdo penelatë. /MAPO/
Lini një Përgjigje