
Një prej mendimtarëve më anormalë, më të çuditshëm, të Evropës, është dhe Emil Cioran, mendimtari i dëshpërimit, netëve me shi dhe vetëtimave. Ciorani është një prej të përjashtuarve të historisë së filozofisë. Ai lindi në Rumani për tu vetëvrarë më pas, duket sikur e gjithë jeta e tij ishte një flluckë sapuni.
Ciorani preferonte aforizmat, të menduarit e shpejtë dhe në këmbë, ashtu si prekursori i tij më i famshëm Friedrich Nietzsche. Ciorani është një mendimtar i absurdit dhe njëherësh, një pesimist i pakorrigjueshëm i gjendjes njerëzore.
Këtë gjendje njerëzore, ndryshe nga Kamyja që preferon ta shohë me një buzëqeshje, ai e sheh si fatale, si të ishim parazitë të zotit, sikur nuk ka asgjë metafizike te jeta njerëzore përveç bezdisë që i sjellim krijuesit.
Lufta e ndikoi shumë Cioranin, ai mendonte se vdekja ishte shërimi nga egoja e stërmadhe që e kishte kapluar njerëzimin, ai mendonte se vdekja do e shëronte njeriun e tij nga egoja.
Përpjekjet e njeriut për të përmirësuar jetën e vet përmes teknologjisë ai i shihte si të kota. Edhe artin e shihte si të kotë. Cioran ishte një njeri që kishte hequr shumë dhe ishte njëkohësisht një shpirt i vjetër, një shpirt jashtë kohës së tij.
Edhe te librat e tij të tjerë ai përpiqet të luftojë murtajën komuniste, murtajën revolucionare të të dy krahëve. Ai idolizon De Mestrin pikërisht për pikëpamjet e tij konservatore. Cioran vë bast për natyrën më të keqe të njeriut.
Cioran nuk është një idhujtar i të keqes, ai mendon se njeriu është dru i shtrembër në pemën e historisë. Cioran nuk lufton injorancën, ai do njeriun e madh, jo njeriun e ndritur. Për të terri i arsyes është një cep i këndshëm për të lexuar qoftë dhe pa zjarr.
Cioran është një poet i dëshpërimit, ashtu si Dostojevski, por nëse Dostojevski e gjen shpëtimin e shpirtit te njeriu dhe zoti, ose vetëm te zoti në disa raste, Cioran nuk beson te konceptet si shpëtimi. Cioran ngjan në disa mënyra me Cvajgun, por nga forma e mendimit të tyre divergojnë. Cvajgu ishte një shkrimtar i romanit, Cioran ishte poet. Poet i absurdit, prandaj dhe libri i tij “Pohime dhe anatema” nga “Zenit” duhet lexuar. Libri është përkthyer nga një njeri që bën punë të mira, shkrimtari dhe përkthyesi Balil Gjini.
Lini një Përgjigje