Ai u angazhua që fëmijët shqiptarë ta ruanin gjuhën amtare në Zvicër. Ndërtoi shkolla në veri të Shqipërisë. Këshilloi Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Përktheu në gjermanisht shkrimtarët Fatos Kongoli e Arif Demolli. I dha zë kulturës shqiptare në hapësirën gjermanishtfolëse. Dhe kishte ende shumë plane, të cilat ia këputi papritmas vdekja. Profesori Basil Schader ishte një personalitet krejt origjinal. Shqiptarët i detyrohen atij mirënjohje të përhershme.
Njëherë e zateta profesorin Basil Schader te restoranti “Pishat” në Prishtinë. Po shijonte një çorbë, të cilën e nxirrte nga vegshi që po vlonte dhe - pastaj - shikonte nëpërmjet xhamit pikat e shiut që binin mbi rrugët e zymta të Prishtinës. Pyetjes sime se sa do rrinte në Kosovë, ai iu përgjigj me humor: “Si nuk ke dëgjuar se jam bërë vendali në Prishtinë?” Basil Schader punonte atëbotë si këshilltar në Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Kishte ardhur nga Zürichu në kryeqytetin e Kosovës për të shkruar, përpiluar e formuluar plane e programe se si të organizohej mësimi plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë.
Asnjë zviceran nuk ishte më shqiptar se Basil Schader. Dhe asnjë shqiptar nuk do të arrinte ta mësonte aq shpejt gjermanishten sa e mësoi Basil Schader gjuhën shqipe. Më 2005 ai madje doktoroi në Universitetin e Tiranës. Në moshën 54-vjeçare! Ky nuk ishte, natyrisht, kualifikimi i tij i vetëm.
Profesori Basil Schader ishte një personalitet krejt origjinal, kureshtar dhe me prirje për humor sarkastik. Ai ishte pedagog, specialist i didaktikës, gjermanist, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht, shkrimtar, autor i publikimeve shkencore dhe doracakëve mësimorë.
Me gjasë interesimi i tij i gjithanshëm buronte edhe nga rrethi i tij familjar: i ati i tij ishte arkitekti Jacques Schader (1917-2007), ndër më të njohurit në Zvicër në këtë fushë në shekullin e 20-të dhe autor i “Akropolisit të Zürichut”, siç quhet kompleksi shkollor Freudenberg në lagjen Enge të Zürichut. Pas maturës Basil Schader, i lindur më 1951, studioi filologji klasike në Zürich dhe Tübingen (Gjermani), mandej u kualifikua si mësues filloreje dhe më 1979 filloi studimet kësaj radhe për gjermanistikë, pedagogji dhe kritikë letrare në Universitetin e Zürichut, të cilat i përfundoi në vitin 1985 me një disertacion mbi didaktin e gjuhës Johann Jakob Redinger (1619–1688). Në fund të viteve 1980-të Basil Schader thelloi dijen e tij me studime plotësuese në folkloristikë dhe etnologji evropiane. Paralelisht ai u angazhua në funksione të ndryshme - deri në profesor - në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zürich.
Me rritjen e numit të shqiptarëve në Zvicër si pasojë e represionit të Serbisë në Kosovë në vitet 1990-të, u zgjua edhe interesimi i Basil Schader për shqiptarët. Më 1999 ai filloi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 2005 me një doktoratë.
U miqësua me shumë shqiptarë. I përkrahu ata dhe i dha zë kulturës shqiptare duke përkthyer në gjermanisht romanin e Fatos Konglit “Bolero në shtëpinë e pleqve” (“Bolero im Haus der zwei Alten”), romanin e Arif Demollit “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” (“Es war ein Dorf in Kosova. Die Lebenden und die Toten meiner Kindheit”), romanin e Helena Kadaresë “Një grua nga Tirana” (“Eine Frau aus Tirana”). Dhe vepra të tjera.
Me Arif Demollin, edhe ky tashmë i ndjerë, Basil Schaderin e lidhte një miqësi e ngushtë. Dëshmi e kësaj miqësie është edhe letërkëmbimi intensiv mes tyre. Gazeta zvicerane “St. Galler Tagblatt” shkroi për librin e Demollit: “‘Kështu jetuan, dashuruan dhe vdiqën njerëzit e Murrizajës, me bindjen e patundur se fshati i tyre ishte më i miri dhe më i bukuri në tërë botën’. Jo, jo vetëm ata: kushdo që e ka lexuar këtë libër, këtë odë për një fshat, do të pajtohet me entuziazëm me ta. Arif Demolli i ka ngritur fshatit të fëmijërisë së tij një monument letrar që të prek në zemër”. Për Demollin Basil Schader organizoi edhe një lexim letrar në Zvicër.
Basil Schader ishte i palodhshëm në angazhimin e tij për shqiptarët - në Zvicër, në Kosovë, në Shqipëri. Në veri të Shqipërisë ndihmoi (me përkrahje të sponsorëve zviceranë) zgjerimin dhe renovimin e shkollave. I mbështeti ato me kompjuterë, libra, pajisje sportive. Në Zvicër themeloi shoqatën “Arsimi”, e cila ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore të hapësirë shqiptare. Më 2002 bashkë me gruan e tij Erika morën titullin “Qytetar Nderi” të komunës Balldren në Shqipëri, ndërsa në vitin 2003 u shpallën anëtarë nderi të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.
Lidhur me angazhimin në Shqipëri, Basil Schader ka lënë këtë shënim: “Projektin e Shqipërisë, Erika dhe unë e nisëm rreth vitit 1997. Me rastin e një udhëtimi në veri të Shqipërisë, pamë atje mjerimin e papërshkrueshëm që mbretëronte në një shkollë të vogël fshati, në një pjesë të komunës qendrore të Balldrenit. Ne dhamë ndihmë të menjëhershme dhe, pas kthimit në Zvicër, vendosëm të angazhohemi bashkërisht këtu. Falë sponsorëve bujarë dhe një kërkimi intensiv për mundësi financimi, ia dolëm që gjatë njëzet viteve të ardhshme të rinovojmë gjithsej pesë shkolla në rrethinën e shkollës së fshatit Torovicë, përkatësisht dy prej tyre t’i rindërtojmë tërësisht nga themeli. Përveç kësaj, mblodhëm para për t’i pajisur shkollat edhe në aspektin infrastrukturor, me libra dhe pajisje sportive. Njohuritë e mia të gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet shumëvjeçare me bashkëpunëtorët tanë lokalë dhe njerëzit e besuar, bënë që të mos përjetonim asnjë zhgënjim të vetëm. Ky angazhim i përbashkët na bashkoi edhe më shumë dhe na vuri në kontakt me njerëz të admirueshëm, të cilët meritonin gjithë respektin tonë”.
Në një bisedë me gazetën zvicerane “Der Bund” më 2019, Basil Schader dha disa mendime me vlerë mbi të ardhmen jo aq premtuese të gjuhës shqipe në Zvicër. “Shqiptarët e rinj në Zvicër”, theksonte ai, “shpesh e zotërojnë gjuhën e tyre amtare vetëm në formë gojore dhe në dialekt. Në kontrast me të kaluarën, sot më pak fëmijë dhe të rinj ndjekin mësimin e gjuhës dhe kulturës amtare”. Ky është një zhvillim negativ për të cilin në komunitetin shqiptar në Zvicër nuk flitet aq. Sipas Schader, sidomos “prindërit me nivel të ulët arsimor nuk e njohin vlerën e kësaj oferte (mësimin e gjuhës shqipe, v.j.) dhe pyesin veten: Pse duhet të flasin fëmijët e mi shqip?” Por, vazhdonte ai, këta prindër nënvlerësojnë pasurimin intelektual të një gjuhe të dytë dhe të njohurive mbi kulturën e tyre të origjinës.
Kulturën shqiptare Basil Schader e njihte mirë. Nuk e thoshte për mburrje, por vetëm si informacion për kureshtarë: kishte lexuar mbi 200 libra në gjuhën shqipe. Brenga e tij ishte se pas dy gjeneratave shqipja nuk do flitet më në mesin e mërgatës në Zvicër.
Viteve të fundit Basil Schader sprovoi veten edhe në fushën e letërsisë: shkroi cukla letrare, poezi bukolike për qengja e dele, ese mbi çuda e çmeritje zvicerane. Kishte dhe shumë plane të tjera. Këto plane tash ia këputi jeta. Ai vdiq të dielën që shkoi, më 10 maj, pas një sëmundjeje të shkurtër, siç bën me dije familja e tij. Ishte 75-vjeçar.
Shqiptarët i detyrohen Basil Schaderit mirënjohje të përhershme. Me shembullin e tij, me angazhimin e tij dhe me vetëmohimin e tij ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në marrëdhëniet mes albanosferës dhe botës helvetike. Në të gjallë të tij, institucionet e Kosovës nuk ishin të ndërgjegjshme për këtë. (Këtu nuk është vendi për të hyrë në detaje).
Kur Basil Schader doktoroi në Tiranë në vitin 2005, një koleg shkroi në gazetën “Tages Anzeiger”: “‘Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër’ titullohet punimi i doktoratës prej gati 500 faqesh, të cilën Schader e mbrojti me sukses në fund të shkurtit në Universitetin e Tiranës - dhe e mbrojti në gjuhën shqipe, ashtu siç i ka hije. Me këtë, Schader fitoi titullin e tij të dytë të doktorit, dhe me gjasë jo të fundit. Sepse Schader bën pjesë në atë grup njerëzish të apasionuar deri në marrëzi, pa të cilët mekanizmi i institucioneve publike nuk do të mund të funksiononte”.
Për doktoraturën e tij Schader anketoi 2200 fëmijë shqiptarë e zviceranë dhe u interesua se çka flasin ata mes vete, për shembull kur dalin në oborr të shkollës për pauzë mes orëve të mësimit. Mes shumë fjalëve që nxënësit zviceranë mësojnë nga mocanikët e tyre shqiptarë, janë edhe disa të pacitueshme. Basil Schader ishte i pakundshoq edhe në koleksionimin e fjalëve ofensive të kasabasë ballkanike. Po aq sa ishte i zellshëm në vjeljen e shkëndijave të gjuhës shqipe, të cilat do të shkreptijnë përgjithmonë.
Faleminderit Basel Schader! U prefsh ne paqe! Keta njerez duhen nderuar per miresite dhe nderimin qe i kane bere Shqiperise dhe shqiptareve. Vurini emrin e tij nje shkolle, nje rruge, dhe ndertojini nje bust te vogel diku ku ai ka punuar dhe ndihmuar si falenderim per gjithcka qe ka bere.
Bravo Zoti Robeli për këtë artikull kushtuar këti burri të madhë ,që pata rastin ta takoj njëherë.Ishte i dashuruar me shqipen dhe shqiptarët…Ngushëllime familjes dhe të afërmve!U preftë në amshim!
Në kujtim të Prof. Dr. Dr. Basil Schader – mikut të madh të shqiptarëve Prof. Dr. Dr. Basil Schader (19 tetor 1951 – 13 maj 2026) do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si një ndër miqtë më të mëdhenj të gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar në diasporë. Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për albanologjinë, për botën akademike dhe për të gjithë ata që patën fatin të bashkëpunojnë me të. Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Dr. Basil Schader, pedagogut, studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve. Ikja e tij e papritur, pas një sëmundjeje të rëndë në spitalin e Cyrihut, përbën një humbje të madhe jo vetëm për botën akademike shqiptare e zvicerane, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër përkushtimin, urtësinë dhe dashamirësinë e tij të pashoqe ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar. Në çaste të tilla dhimbjeje, fjala duket e pamjaftueshme për të shprehur pikëllimin që ndiejmë. Megjithatë, krahas dhimbjes së thellë, kemi edhe detyrimin moral e intelektual të kujtojmë dhe të vlerësojmë veprën e vyer të profesor Schader-it, i cili me përkushtim të rrallë iu kushtua çështjes shqiptare, veçanërisht ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë. Në mesin e studiuesve me prejardhje joshqiptare që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën dhe arsimin shqip, emri i Basil Schader-it zë një vend të veçantë. Ai jo vetëm që e mësoi dhe e zotëroi gjuhën shqipe në mënyrë shembullore, por e studioi atë me seriozitet shkencor dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të saj. Për profesor Schader-in, gjuha shqipe nuk ishte thjesht objekt studimi akademik, por një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhej ruajtur e transmetuar brez pas brezi. Mesazhi i tij shkencor dhe njerëzor drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve amtare ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: gjuha shqipe duhet folur në familje, në jetën e përditshme dhe t’u trashëgohet fëmijëve si vlera më e çmuar identitare. Ai ishte i bindur se vetëm përmes përdorimit aktiv dhe shkrimit të saj, shqipja mund të mbijetojë dhe të zhvillohet në kushtet e migrimit dhe të shumëgjuhësisë. Kontributi i tij në fushën e arsimit plotësues në diasporë ishte shumëdimensional. Në vitin 1996, në bashkëpunim me mësuesin Femzi Braha, botoi librin “Shqip”, ndërsa së bashku me Fadil Rexhepi hartoi librin shkollor “Ura e Fjalëve”, si dhe fjalorin shkollor gjermanisht-shqip. Një ndër veprat më të rëndësishme shkencore të tij mbetet studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”, me të cilin mbrojti doktoraturën e dytë në Universitetin e Tiranës, botuar në vitin 2005. Ky studim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës dhe të dygjuhësisë shqiptare në diasporë. Përveç botimeve dhe përkthimeve të shumta nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas, profesor Schader u dallua edhe për angazhimin e tij në ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë. Ai bashkëudhëhoqi seminare, konferenca dhe projekte të rëndësishme arsimore për mësuesit e shkollave shqipe në diasporë, në Kosovë dhe më gjerë, duke kontribuar në avancimin e metodologjisë së mësimdhënies dhe të didaktikës bashkëkohore. Veçanërisht i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku ai vepronte si docent, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës për hartimin dhe botimin e teksteve të mësimit plotësues në diasporë. Në kuadër të këtyre angazhimeve, profesor Schader udhëhoqi projekte ndërkombëtare për didaktikën e mësimdhënies, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në profesionalizimin e mësuesve të gjuhës shqipe jashtë atdheut. Për veprimtarinë e tij të çmuar në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër e shpalli anëtar nderi në mars të vitit 2003. Ndërsa në vitin 2017, për kontributin e tij shumëdimensional në favor të mërgatës shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ai u nderua me “Çmimin e Nderit” nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Figura e Prof. Dr. Dr. Basil Schader-it do të mbetet e paharruar në kujtesën e mësuesve, studiuesve dhe të gjithë shqiptarëve që panë tek ai një mik të sinqertë dhe një mbrojtës të palodhur të gjuhës shqipe. Ai ishte një urë lidhëse mes kulturave, një zë i fuqishëm në mbështetje të arsimit shqip në diasporë dhe një shembull i rrallë i humanizmit akademik. Lamtumira ndaj tij është e rëndë, por vepra dhe mesazhi që la pas do të jetojnë gjatë. Emri i Basil Schader-it do të mbetet i shkruar me respekt e mirënjohje në historinë e arsimit dhe të albanologjisë shqiptare. Ndërsa kujtimi për të do të mbetet frymëzim për brezat që do të vazhdojnë misionin e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar kudo në botë. Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë