Programi kombëtar për grantet e Kulturës dhe Krijimtarisë 2025

25 Korrik 2025, 13:38Kulturë TEMA
Programi kombëtar për grantet e Kulturës dhe Krijimtarisë

Programi Kombëtar për Grantet e Kulturës dhe Krijimtarisë 2025 po sjell më shumë mundësi, më shumë mbështetje dhe më shumë jetë artistike në vend. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi statistika mbi ngjarjet kulturore në vend të cilat kanë marrë mbështetjen e MEKI-t.

Këtë vit janë 933 eventet kulturore e krijuese të mbështetura nga ky institucion, të cilat janë më shumë se dyfishi i një viti më parë. Bëhet fjalë për festivale, ekspozita, koncerte, panaire artizanati, lexime letrare e shfaqje që kanë pasuruar kalendarin kulturor, shkruan atsh.

Gjatë këtij viti rezultojnë 275 projekte fituese, 37% më shumë se në vitin 2024, në katër skema mbështetjeje, gjë të cilën ministri Gonxhja e cilëson si viti i rekordit.

Llogaritet që ngjarje kulturore & krijuese të jenë 129 projekte; programet kulturore të organizatave janë 45 projekte, nga Fondi i Krijimtarisë rezultojnë 54 projekte dhe nga Fondi i Artizanëve, 47 projekte.

Gjatë këtij viti u është dhënë më shumë hapësirë të rinjve, mes të cilëve 51% janë përfitues për herë të parë. Ndërkohë mbështetja financiare u rrit me +141% krahasuar me 2024, duke arritur në vlerën 300 milionë lekë.

Të punësuar e të angazhuar në këto aktivitete kulturore kanë qenë 1,566 artistë, artizanë, menaxherë, teknikë dhe profesionistë kulture.

Ministri Gonxhja premtoi se në vitin 2026, MEKI do të angazhohet edhe më shumë për të mbështetur artistët, qendrat kulturore dhe institucionet e artit. 

Lini një Përgjigje