Edval Zoto, Dr.

Në historinë shqiptare nuk kanë munguar kundërshtarët e hapur. Ata që kanë zgjedhur një flamur, një parti, një klan, një front apo një udhë politike janë njohur, janë sharë, janë dënuar, janë anatemosur, por në një mënyrë të çuditshme edhe janë pranuar si pjesë e lojës së madhe të pushtetit. Kundërshtari i hapur është më i lehtë për t’u administruar. Ai ka emër, ka kamp, ka faj të paracaktuar, ka një vend ku mund të vendoset në hartën e armiqësisë. Mund ta quash tradhtar, armik, reaksionar, komunist, ballist, zogist, fashist, renegat apo kuisling. Mund t’i mbërthesh një etiketë dhe pastaj të mos merresh më me të.
Por historia shqiptare ka pasur edhe një kategori tjetër më të vështirë, më të bezdisshme dhe më të padurueshme për çdo pushtet: të parreshtuarit. Ata që nuk i përkasin përfundimisht askujt. Ata që hyjnë në rresht vetëm për aq kohë sa rreshti u duket në shërbim të atdheut, por dalin prej tij sapo rreshti shndërrohet në klan, në interes, në nënshtrim apo në gënjeshtër. Këta njerëz janë më të rrezikshëm se kundërshtarët, sepse ata nuk e godasin pushtetin nga jashtë, por ia prishin qetësinë nga brenda. Ata janë kujtesa e pakëndshme se nuk mjafton të jesh “me tanët” për të qenë në anën e së drejtës. Xhelal Staravecka është, ndoshta më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë bashkëkohore, simboli më i fortë i kësaj mërie dhe demonizimi ndaj të parreshtuarve.
Në gjithë historinë e tij, Staravecka shfaqet si njeri jashtë klaneve, jashtë grupimeve të hapura apo të fshehta, jashtë disiplinës së verbër të palëve. Ai nuk është figurë e lehtë, as e pastër në kuptimin moralist të fjalës. Pikërisht këtu qëndron vështirësia e rastit të tij. Ai është njeri i historisë reale, me dritë dhe hije, me vendime të ashpra, me gabime, me përgjegjësi, por edhe me një vijë të fortë konsekuence ndaj mendimit të vet. Ai është kokëfortë, nacionalist, i pabindur, i rreptë, shpesh i pamëshirshëm në gjykim, por rrallëherë i pabesë ndaj bindjes së tij themelore: se Shqipëria nuk mund t’i nënshtrohet as partisë, as klanit, as krahinës, as ideologjisë, as të huajit.
Në këtë kuptim, Xhelal Staravecka i provon pothuajse të gjitha kahet. Ai hyn në kryengritje kundër monarkisë, përfshihet në lëvizjen antifashiste, bëhet komandant partizan, drejton formacione luftarake, përplaset me komunistët, kalon në raporte të vështira me nacionalistët, përballet me pushtuesit dhe me strukturat shqiptare të kohës. Por në çdo rast, kur sjellja e grupit, klanit apo rreshtimit cenon atdheun siç ai e kuptonte, ai e denoncon dhe e braktis. Kjo e bën të padurueshëm. Sepse një njeri që flet nga rreshti është i bezdisshëm për çdo palë kundërshtare; por një njeri që del nga rreshti dhe flet, që denoncon, që shkruan, që lë dëshmi, që nuk pranon të heshtë, bëhet i papranueshëm, bëhet tabelë qitjeje, sepse është ndryshe, është i pangjashëm me turmën, me rreshtin, me klanin, fisin a katundin.
Prandaj nuk është rastësi që pothuajse të gjithë kanë dashur ta eleminojnë. Zyrtarët e Mbretit e dënuan me vdekje pas kryengritjes së Fierit. Partizanët e Partisë Komuniste e panë si tradhtar kur ai nisi të shihte e të ndjente imperializmin te misionarët jugosllavë të atashuar pranë PKSH gjatë LANÇ në Shqipëri. Për më shumë kur vendosi të ndahej prej të vetëve e t’i denonconte publikisht atëherë komunistët më të thekur kërkuan ta vrasin, t’i bënin atentat!
Por edhe Balli Kombëtar dhe rrethet nacionaliste nuk e patën më të lehtë ta pranonin, sepse edhe aty ai nuk shkrihej në disiplinën e grupit – pasi nuk e vranë dot, u hoqën sikur nuk e panë. Italianët dhe gjermanët pushtues, po ashtu, nuk mund ta shihnin si element të besueshëm, sepse Staravecka nuk ishte njeri që mund të komandohej lehtë. Edhe aleatëve anglezë, shpesh, për dreq iu hipën kacabujtë me të, por ama nuk ia hoqën hakun – fotografitë e Xhelalit spikasin në Picture Post, revistës më avantgardë të asaj kohe që raportonte me pamje të drejtpërdrejta nga lufta partizane në Krahun Lindor.
Në një kuptim të rrallë, ai u bë i padëshirueshëm për të gjithë pikërisht sepse nuk i përkiste askujt plotësisht.
Kjo është arsyeja pse rasti i tij nuk duhet parë vetëm si debat për një individ. Staravecka është provë e mënyrës si shoqëria jonë trajton njeriun që nuk futet në kallëpe. Është më e lehtë të urresh kundërshtarin e hapur sesa të pranosh kritikun e brendshëm. Kundërshtari i hapur të forcon bindjen se ti je në anën e duhur. Kritiku i brendshëm të detyron të pyesësh veten nëse kampi yt ka tradhtuar parimet që shpall. Kundërshtari mund të etiketohet; kritiku duhet dëgjuar. Dhe pikërisht këtë shoqëritë e mbyllura, partitë autoritare, klanet provinciale dhe historiografitë e ngurta e kanë të pamundur ta bëjnë.
Pyetja më e vështirë është: pse Xhelal Staravecka ishte i tillë? Pse ky rebelim i përhershëm? Pse kjo pakënaqësi ndaj të gjitha palëve? Pse kjo kryeneçësi, kjo refuzim i lajkatimit, kjo paaftësi për të ulur kokën? Përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm te temperamenti i tij. Sigurisht, karakteri ka pasur rolin e vet. Staravecka duket se kishte natyrën e njeriut që nuk e duron dot komandën kur komanda i duket e padrejtë. Por ka edhe një burim tjetër më të thellë, që lidhet me formimin e tij ushtarak, sidomos me përvojën në shkollat ushtarake italiane. Një nga elementet më të forta të këtij formimi është shtysa për të menduar në mënyrë kritike. Oficeri i mirëfilltë nuk edukohet thjesht për të zbatuar dhe dhënë urdhra. Ai edukohet për të kuptuar përgjegjësinë e urdhrit, peshën morale të vendimit, raportin midis bindjes dhe ndërgjegjes. Ushtria kërkon disiplinë, por disiplina pa mendim kritik mund të kthehet në verbëri. Komandimi kërkon bindje, por bindja pa ndërgjegje mund të kthehet në bashkëfajësi. Në këtë kuptim, edukimi ushtarak serioz nuk prodhon vetëm zbatues urdhrash; prodhon njerëz që e kuptojnë se atdheu nuk është pronë e komandantit, e klanit e partisë, apo e regjimit.Në këtë pikë, Staravecka nuk është vetëm figurë e së shkuarës. Ai është një pasqyrë që na detyron të pyesim nëse edhe sot Shqipëria ka ndryshuar mjaftueshëm për t’i pranuar njerëzit që nuk rreshtohen verbërisht. Na detyron të pyesim nëse ende e kemi më të lehtë të ngjisim etiketa sesa të pranojmë të dëgjojmë ata që e mendojnë ndryshe nga ne. Na detyron të pyesim nëse shoqëria jonë di ta dallojë besnikërinë ndaj atdheut nga besnikëria ndaj palës.
Fakti që jemi në vitin 2026 dhe vetëm tani po i paraqitet publikut Xhelal Staravecka i plotë, i vërtetë siç flet vetë, por edhe i verifikuar siç e ka nxjerrë, autori i këtij libri përmes dokumenteve, është domethënës. Kjo nuk është thjesht vonesë botimi. Është vonesë shoqërore dhe morale dhe një dëshmi se sa gjatë mund të mbahet një njeri jashtë historisë kur ai nuk i shërben komoditetit të asnjërës palë. Por njëkohësisht, ky botim është edhe një akt drejtësie: jo drejtësi në kuptimin e faljes, as në kuptimin e pastrimit, por drejtësi në kuptimin më të vështirë të fjalës - secilit të vetën, siç shkruan prof. Sinani në pasthënien e këtij libri.
Prandaj historia e Xhelal Staraveckës është e rëndësishme edhe sot. Sepse na kujton se njeriu që do vendin pa ndërmjetësimin e klanit, partisë apo shefit është shpesh njeriu më i urryer nga të gjithë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, pas gati një shekulli keqkuptimi, heshtjeje dhe shpifjeje, ai meriton të lexohet jo si armik i radhës, por si një nga shembujt më të fortë të fatit shqiptar: fatit të njeriut që nuk pranon të rreshtohet kur rreshti i kërkon të tradhtojë ndërgjegjen.
Titulli: Xhelal Staravecka nw gjyqin e historisw (1912-1944); njw biografi e verifikuar me dokumente arkivore e dwshmi tw tjera

Autor: Naim Zoto
Gjinia: monografi
Redaktor: Prof. Marenglen Kasmi
Konsulent shkencor e pasthënie: Prof. Shaban Sinani
Botues: Naimi - Shtëpi botuese dhe studio letrare
www.botimenaimi.com
ISBN: 9789928818294
Copyright: Autor
Nr. i faqeve: 516
Formati: 15.5x23.5 cm.
Viti i botimit: maj 2026
Lini një Përgjigje