Promovohet libri i Artan Lames “Shqipni e harrume”, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta

21 Maj 2026, 17:51Kulturë TEMA

Promovohet libri i Artan Lames “Shqipni e harrume”, në


Familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë u mblodhën sot për të përkujtuar një nga figurat më të njohura të jetës publike shqiptare, Artan Lamen, në një ceremoni ku u promovua edhe libri i tij “Shqipni e harrume”, një vepër që pasqyron pasionin e tij të pandalshëm për historinë dhe kujtesën shqiptare.

Aktiviteti u zhvillua në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta. 

Të pranishmit theksuan boshllëkun e madh që ai la pas, jo vetëm tek njerëzit që e njohën nga afër, por edhe në jetën publike dhe kulturore të vendit.

Në ceremoninë përkujtimore foli edhe vajza e tij, Lisia Lame, e cila është rikthyer në Shqipëri për të çuar përpara projektet dhe amanetet që la i ati.

Lisia u ndal edhe te projekti “Muzeu i Gardës”, i cili nuk arriti të përfundohej në kohë, pavarësisht mbështetjes së miqve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të Artan Lames. 

Megjithatë, sipas saj, u bë e mundur realizimi i një tjetër amaneti të tij, botimi i librit “Shqipni e harrume”.

Ndërkohë, miku i tij i ngushtë, Artan Shkreli, foli për rrugëtimin e përbashkët dhe mënyrën unike me të cilën Lame i qasej historisë shqiptare.

Ai vlerësoi se libri krijon një kronikë personazhesh dhe atmosferash që, megjithëse duken të largëta nga realiteti i sotëm, ndihmojnë për të kuptuar më mirë ngjarjet aktuale.

Sipas Shkrelit, “Libri i Lames shpërbën rrëfimin tradicional dhe shpesh heroik të historisë shqiptare, duke ofruar një kundërhistori ku theksi vihet mbi kontradiktat, mitet dhe zonat gri të së kaluarës”.

Në thelb, Shkreli e cilësoi “Shqipni e harrume – Një aventurë shqiptare përmes fotografive” si një reflektim kritik mbi mënyrën se si ndërtohen historitë kombëtare dhe sa e brishtë mbetet e vërteta historike përballë ideologjisë, identitetit dhe pushtetit.

Artan Lame u nda nga jeta më 22 maj 2025, në moshën 58-vjeçare. Ai ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një nga zërat më aktivë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të vendit.

Lini një Përgjigje