Cikli i takimeve “Biblioteka e artit” priti historianin e artit, Oltsen Gripshi, si autorin e radhës që iu bashkua këtyre takimeve të organizuara nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Takimi kishte në fokus veprën “Historia e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare”, një studim prej 400 faqesh, i cili ofron një panoramë të plotë të rrugëtimit të artit pamor shqiptar në këto dy fusha, prej fillesave e deri në ditët e sotme.
Nxënësit e pranishëm në takim u njohën me artistin bashkëkohor, Oltsen Gripshi si dhe me veprën e tij.
Vetë historiani i artit u shpreh para nxënësve se ky libër jep jo vetëm një panoramë historike të këtyre zhanreve, por edhe një reflektim mbi marrëdhënien mes artit, satirës dhe shoqërisë shqiptare ndër vite.
“Karikatura dhe novela grafike shpesh janë parë si forma periferike të artit, por në fakt ato mbartin një fuqi të jashtëzakonshme komunikimi: arrijnë të tregojnë historinë, të kritikojnë realitetin dhe të provojnë se imazhi ndonjëherë flet më fort sesa vetë fjala”, tha Gripshi.
Ndër të tjera, Gripshi u shpreh se nëpërmjet këtij studimi krijohet një urë mes brezave.
Në fund të takimit, autori i dhuroi nëndrejtoreshës së Liceut, Alma Dhamo, një kopje të librit për bibliotekën e shkollës.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje