QKK nënshkruan marrëveshjen me Bashkinë e Matit

5 Prill 2026, 09:27Kulturë TEMA
QKK nënshkruan marrëveshjen me Bashkinë e Matit

Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji dhe kryetari i bashkisë Mat, Altin Bojni, në praninë e zëvendëskryeministres Albana Koçiu dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për rijetëzimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike.

Marrëveshja synon modernizimin e këtyre hapësirave dhe zhvillimin e një programi të rregullt filmik e kulturor për komunitetin, duke vendosur në qendër bashkëpunimin institucional dhe angazhimin për rritjen e aksesit në artin filmik.

Sipas ministrit Gonxhja, në fokus është bashkëorganizimi i shfaqjeve filmike, aktiviteteve kulturore dhe edukimit artistik, në funksion të një jete kulturore më të pasur për qytetarët.

Gonxhja theksoi se “filmi dhe kinemaja janë tashmë një dritare e re drite e kulture në sallën e saporindërtuar që inauguruam, por së shpejti, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe të QKK, Mati do të ketë edhe rindërtimin e kinemasë së vjetër të qytetit, për të cilën sot u angazhuam përpara të ftuarve, në bashkëpunim me bashkinë”.

Në kuadrin e javës së komunikimit publik mbi Integrimin Evropian u shfaq filmi me metrazh të shkurtër Sheets (Çarçafët) (2022) i regjisores Evi Gjoni me skenar të Genc Përmetit dhe Sven Dagones, realizuar me mbështetjen e QKK, që trajtonte temën e historisë së një familjeje që përpiqet të mbijetojë në një sistem totalitar distopik.

Ata gjenden papritur përballë një dileme të fortë morale: të raportojnë tek autoritetet shtypëse një familje emigrantësh që u kërkon ndihmë, apo të zgjedhin të ruajnë dinjitetin njerëzor, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e tyre. “Është një përplasje e fuqishme mes instinktit bazik të vetmbrojtjes dhe humanizmit”, shkruan ministri.

Ky film është vlerësuar me çmime dhe vlerësime, si: Trieste Film Festival: Çmimi i Publikut dhe Përmendje Speciale nga Juria; Athens Short Film Festival: Filmi më i mirë i shkurtër; Paris International Film Aëards: Regjisorja më e mirë; Florence Film Awards: Filmi më i mirë narrativ i shkurtër (Best Narrative Short); Best Shorts Competition (SHBA): Award of Excellence. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje