Rexhep Qosja: Rëndësia e Kongresit të Manastirit

24 Nëntor 2024, 14:53Kulturë TEMA
Rexhep Qosja: Rëndësia e Kongresit të Manastirit

Euronews Albania ka siguruar një dorëshkrim të akademikut Rexhep Qosja, të bërë me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt mes datave 14 dhe 22 nëntor të vitit 1908 dhe që kulmoi me caktimin e alfabetit të Gjuhës shqipe më 22 nëntor.

Përmes dorëshkrimit të tij, Qosja na kujton përpjekjet dhe përkushtimin e delegatëve të këtij Kongresi, të cilët hodhën themelet për një identitet kulturor të qartë dhe të bashkuar.

Akademiku thekson se Kongresi i Manastirit është një ngjarje historike për kombin shqiptar, pasi i dha shqiptarëve për herë të parë një alfabet të standardizuar, si dhe ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Kjo letër që profesor Arsim Sinani nga Universiteti i Prishtinës, ia ka kërkuar akademikut Rexhep Qosja do të mbetet në Muzeun e Alfabetit.

Gati të gjitha veprat, monografitë, studimet, trajtesat dhe shkrimet për Kongresin e Manastirit, fillojnë me shprehjen e bindjes se ky Kongres është ngjarje shumë e rëndësishme e Kulturës dhe kombit shqiptar. Ka një varg arsyesh e të dhënash për një vlerësim të tillë të Kongresit të Manastirit, por megjithatë dy janë kryesoret.

E para, Kongresi i Manastirit është ngjarja historike që gjuhës shqipe, kombit shqiptar, ia solli një alfabet, alfabetin e bazuar në alfabetin latin.

E dyta, Kongresi i Manastirit është ngjarja që me alfabetin, me një alfabet dhe me qëndrimet e organizuesve të tij dhe delegatëve të zgjedhur prej viseve të ndryshme shqiptare ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës së përbashkët letrare, domethënë të Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit janë çështje të mëdha, më të mëdhatë të Gjuhës Shqipe.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit, duke qenë çështje të mëdha, më të mëdhatë e gjuhës shqipe, janë njëkohësisht çështje të Shkollës Kombëtare. Gjuha, alfabeti dhe Shkolla ishin dhe janë përbërës gjithëjetshëm e gjithëkohshëm të rëndësishëm të kulturës së çdo populli, prandaj edhe të Popullit shqiptar.

Në Kongresin e Manastirit do të merrnin pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë Atdheut.
Delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë dhe publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtare.

Në mbledhjen e pasdites së parë të Kongresit do të zgjidhej Kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, ndërsa sekretarë Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet Bej Vrioni.

Duke parë se sa e përbërë do të ishte zgjidhja e dëshiruar, e rëndësishme e gjithëjetshme e çështjes në fjalë, disa nga diskutuesit e quajtën të nevojshme të propozojnë që të krijohet një Komision, të cilit do t’i besohej vendimi për çështjen e alfabetit.

Komisioni do të përbëhej prej përfaqësuesve të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit” e të “Agimit” dhe të disa publicistëve e intelektualëve të njohur. Komisionit iu besua me vota të fshehta vendimi për një alfabet të cilin delegatët e Kongresit zotoheshin se do ta pranonin detyrimisht si alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kryetar i Komisionit u caktua Gjergj Fishta, i cili mori numrin më të madh të votave./euronews/

5 Komente

  1. R
    Real

    Ik more komunist i pjedhur, na e quan edhe mbledhjen e vitit 1972 ne Tirane nga diktatori nje arritje. Ishte ky i ashtuquajtur kongres qe beri varrimin e gegerishtes si dialekt qe e flasin me shume se gjysma e shqiptareve. Ju jeni vetem bastarde te diktatures.

    Përgjigjjuni
    1. L
      Labeati

      Profesor te lumte mendja dhe penda

      Përgjigjjuni
      1. F
        Flamur Struga

        Akademiku Rexhep Qosja,eshte kolosi ,nderi ,enciklopedia e kombit tone.C'do fjale qe e thote dhe e shkruan Akademiku,eshte nje testament ,nje gure i cmuar qe sheh driten e diellit ,nga thellesia e minieres( mendjes te shendoshe) te keti gjigandi te madh me renome boterore.Kombin tone ky kolos e nderon ,per kombin tone e tere jeta e tij eshte hedhur neper libra te cilat ,kete Rilindes te fundit te kombit tone,e ben te jetoj neper shekuj.Per kete drit dhenes ne arsim,shkence,perkulet nje komb i tere...Pac jete te gjate Profesor i nderuar ne mbare shtepiat e shqiptareve ne mbare boten.Respekt per ty njeriu gjeni i pa perseritur i kombit tone.

        Përgjigjjuni
        1. G
          Garda Pretoriane (ajo e Skenderbeut)

          Qosja eshte nje grindavec dhe percares i papermiresueshem.

          Përgjigjjuni
        2. S
          SOKRATI

          Profesor Rexhep Qose është mendimtar, historian, filozof, shkrimtar, studjues, akademik, shqiptar i klasit të lartë, një pasuri e jashtëzakonshme e kombit dhe të gjithë shqiptarëve, kudo që punojnë dhe jetojnë. Kongresi i Manastirit për nga vlerat krahasohet me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Një popull pa gjuhën e përbashkët, të shkruar dhe të unifikuar, nuk mund të ekzistojë. Delegatët e Kongresit të Manastirit, pa asnjë përjashtim, duhet të përjetësohen dhe të bëhen të njohur tek çdo shqiptar, duke filluar që nga cikli i ulët i shkollës 9 vjeçare.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje