Sako: Përfundoi rikonstruksioni i shtëpisë së Aleksandër Moisiut, tashmë pritet muzealizimi

16 Korrik 2025, 17:16Kulturë TEMA
Sako: Përfundoi rikonstruksioni i shtëpisë së

Shtëpia e aktorit shqiptar Aleksandër Moisiu është rikontruktuar plotësisht, shkruan atsh.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, vizitoi mjediset e shtëpisë së Aleksandër Moisiut (Muzeu Etnografik i Durrësit). Kjo ndërtesë iu nënshtrua ndërhyrjeve të restaurimit si pjesë e programit EU4Culture që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kryebashkiakja e Durrësit bëri të ditur se, tashmë që rikonstruksioni infrastrukturor ka përfunduar do të vijojë puna për procesin e muzealizimit në mënyrë që ky muze të jetë sa më shpejt gati për të hapur dyert për vizitorët vendas e të huaj.

Shtëpia-muze e Aleksandër Moisiut është nga të paktat shtëpi karakteristike qytetare durrsake të shekullit të XIX, pak metra larg Amfiteatrit Antik, në rrugicën në krah të mureve bizantine dhe xhamisë “Fatih”.  Në të ndodhet Muzeu Etnografik i Durrësit. E shpallur monument kulture, kjo shtëpi e vendosur në zemër të qytetit të vjetër, ka ç’të tregojë për turistët e shumtë të huaj e vendas.

Aleksandër Moisiu u angazhua në teatrot e Evropës ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera edhe të Amerikës Veriore.

Lini një Përgjigje