Shqipëri o nëna ime/ Josif Gjipali merr pjesë në koncertin e veçantë kushtuar atdheut

8 Nëntor 2025, 18:03Kulturë TEMA
Shqipëri o nëna ime/ Josif Gjipali merr pjesë në koncertin e

Një koncert që bashkon zërat e mëdhenj të skenës shqiptare në një himn për atdheun vjen më 8 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit për të gjithë dashamirësit e muzikës së mirë.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore sjell premierën “Shqipëri, O Nëna ime”, një produksion i cili i kushtohet dashurisë për vendin, traditën dhe rrënjët tona dhe të të parëve tanë

Kjo shfaqje sjell një frymë të re bashkimi mes brezave e zërave të mëdhenj të skenës shqiptare. Përkrah solistëve të njohur të Ansamblit Aranit Hoxha, Malvina Likaj dhe Denisa Gjezo publiku do të ketë kënaqësinë të mirëpresë për herë të parë tenorin me famë ndërkombëtare Josif Gjipali, si dhe Artistin e Madh, Kastriot Tusha, dhe baritonin e talentuar Artur Vera.

“Për mua nuk është surprizë, por për të madhin Josif Gjipali që do ta kemi në mesin tonë e do të këndojmë këngët tona me rastin e festave të 28-29 Nëntorit. Reportori është shumë i bukur, ka një adrenalinë të mrekullueshme. Shpresoj që publiku ta pëlqejë”, u shpreh Kastriot Tusha, tenor.

Nga ana tjetër, Gjipali e cilëson pjesëmarrjen e tij si një përvojë të re dhe emocionuese për një shqiptar aq të famshëm larg trojeve të veta.

“Për mua është hera e parë që marr pjesë në një koncert të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Do të thoja se është një eksperiencë e re. Jam i bindur që do të jetë një eksperiencë e bukur dhe e këndshme”, tha Josif Gjipali, tenor.

Në këtë koncert do të marrin pjesë edhe solistët valltarë, të cilët do të sjellin në skenë pasionin, energjinë dhe shpirtin e traditës shqiptare. Një natë ku kënga dhe vallja shkrihen mrekullisht për të na kujtuar se arti është gjuha më e bukur e dashurisë për atdheun. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje