Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig, krijoi një hapësirë të rëndësishme takimi, dialogu dhe promovimi të vlerave të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Shqipëria mori pjesë në këtë panair përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se, gjatë ditëve të panairit, stenda shqiptare mirëpriti një numër të konsiderueshëm vizitorësh, përfshirë bashkatdhetarë dhe publik ndërkombëtar, duke pasur një impakt pozitiv te lexuesit dhe duke nxitur interes në rritje për krijimtarinë shqipe.
“Autorët, botimet e përzgjedhura dhe aktivitetet e organizuara kontribuuan në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe në prezantimin dinjitoz të Shqipërisë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të librit në Evropë”, u shpreh Gonxhja.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë edicion u zhvillua nën temën “Kur historitë na lidhin”, një koncept që thekson rëndësinë e letërsisë si mjet dialogu mes kulturave dhe si urë komunikimi përmes tregimeve dhe përvojave njerëzore. Kjo moto reflekton qasjen e panairit për të nxitur bashkëbisedimin kulturor dhe për të vënë në dialog zërat letrarë nga vende të ndryshme.
Në hapësirën e përbashkët të organizuar nga Traduki, një rrjet evropian që mbështet letërsitë e Evropës Juglindore, Shqipëria prezantoi botimet e saj më të reja, duke theksuar vlerat e letërsisë shqipe dhe trashëgiminë kulturore që ajo përfaqëson. A.K./TemA
Lini një Përgjigje