Cherchez la Chine

23 Mars 2026, 19:41Kulturë Ardian Vehbiu

Më vuri në mendime një pasazh te libri Mosmarrëveshja, ku një autor imi i preferuar, Kadareja, kapet me një autor tjetër timin të preferuar, Roland Barthes-in.

Kadarenë e ka shqetësuar, edhe në kontekste të tjera, teoria – nëse mund ta quaj kështu – e vdekjes së autorit; e cila ndoshta e ka zanafillën te Foucault-i, por që i është bashkëlidhur Barthes-it për shkak të esesë “La mort de l’auteur” (e cila mund të lexohet këtu). Yni kish parë, dhe ndoshta me të drejtë, një lidhje në mos filiacioni të paktën konvergjence, midis kësaj teze të (post)strukturalizmit frëng dhe një teze të përfolur të ngjashme për heqjen e emrave të autorëve nga librat, të lindur në kuadrin e revolucionit kulturor kinez.

Edhe te pasazhi i tanishëm, Kadareja përmend “vdekjen e autorit”, pastaj për të vazhduar kështu:

Kjo [teori] u përhap me shumë zell nga semiologu Roland Barthes, i cili në pjesën kryesore të jetës së vet, përveç konferencave dhe leksioneve për “vdekjen e autorit” në dobi të tekstit, u shqua për dy gjëra: një roman, për të cilin u përpoq gati pesëmbëdhjetë vjet dhe arriti të shkruante më pak se dhjetë faqe, dhe një udhëtim në Kinë, më 1974, në kulmin e Revolucionit kulturor. Sipas detraktorëve të tij, Barthes, ithtar gjysmë nazik i maoizmit, mundi të shihte në Kinë atë për të cilën aq zellshëm kishte folur, e ndoshta turbullt edhe e kishte ëndërruar, vdekjen e autorit. Veç këtë herë vdekja s’ishte aspak në kuptimin metaforik, por tepër të rrokshëm të saj. Më e madhja hekatombë e shkrimtarëve në historinë e botës, dënimi, masakrimi, vrasja, poshtërimi, zvarritja nëpër orizore e dhjetëra-mijëra shkrimtarëve kinezë ndodhnin pikërisht në atë kohë, në sytë e maoistëve perëndimorë, të cilët haptas ose disi tinëzisht, si Barthes, e brohoritën.[1]

Për fat të keq, shumica e këtyre që thotë Kadareja për Barthes-i janë të paktën të debatueshme, me përjashtim të faktit që ky e bëri vërtet një udhëtim në Kinë (jam kurioz cilët detraktorë e kanë lidhur e përqasur la mort de l’auteur të kritikut frëng me trajtimin e intelektualëve në Kinë gjatë Revolucionit Kulturor). Por Barthes-i është një nga figurat kryesore të kulturës franceze madje europiane të Pasluftës, i cili ka lënë ndikim të pashlyeshëm në teorinë dhe praktikën e kritikës letrare dhe analizës së tekstit anembanë botës; prandaj të thuash për të se “u shqua për dy gjëra: një roman, për të cilin u përpoq gati pesëmbëdhjetë vjet dhe arriti të shkruante më pak se dhjetë faqe, dhe një udhëtim në Kinë, më 1974, në kulmin e Revolucionit kulturor” është si të thuash për Kadarenë se u shqua si shkrimtar me romanin “Dasma”; sa kohë që vepra e Barthes-it dhe idetë e teoritë e tij studiohen sot e kësaj dite kudo në universitetet. Romani i tij i papërfunduar mbetet një fusnotë, një aksident, një gjë minore, një kuriozitet për kompletistët; ndërsa vizita në Kinë një budallallëk në vetvete, por pa ndonjë lidhje organike me pjesën tjetër të veprimtarisë dhe sidomos të veprës së tij. Për më tepër, viti 1974 nuk shënjonte gjë “kulmin e revolucionit kulturor”, por fazën e tij përmbyllëse, ose periudhën pasi Maoja kish goditur Lin Biaon dhe grupin e tij “armiqësor” ndërkohë i kish shërbyer si mikpritës deri edhe Nixon-it; përkundrazi, të tjerë e patën vizituar Kinën në “kulmin e revolucionit kulturor”, mes tyre madje Kadareja vetë. Ky i fundit mund të citojë vërtet “detraktorët e Barthes-it”, që paskan spekuluar se mos ky ndoshta pati rast të shihte në Kinë “atë për të cilën aq zellshëm kishte folur, e ndoshta turbullt edhe e kishte ëndërruar, vdekjen e autorit” – dhe gjetja është me efekt; por nuk më duket se Barthes-i e meriton këtë, dhe as më rezulton të ketë shprehur gjëkundi, në shënimet e tij të udhëtimit, ndonjë simpati politike për Kinën e Maos.

Përkundrazi, kritikët e shumtë e ndoshta edhe detraktorët, qëndrimin e Barthes-it gjatë kësaj vizite dhe më pas, të shprehur në një artikull të tij të botuar në Le Monde menjëherë pas kthimit në Paris (“Alors, la Chine?”) dhe më tej, në shënimet e udhëtimit, të pabotuara në të gjallë të autorit, dhe që tani vonë ia kanë nxjerrë në trajtë libri, e kanë përçmuar atë autor për mendjelehtësinë filistine, pandjeshmërinë në mos indiferencën dhe obsesionin me “sipërfaqet” që tregoi gjatë asaj vizite.

Për shembull, Michael Sayeau në New Statesman, në një recension që ua bën këtyre shënimeve postume të udhëtimit në Kinë, shkruan:

Travels in China paraqet dramën e semiologut majtist, në një botë ku nuk duket të ketë mbetur më gjë për t’u interpretuar.

E megjithatë, edhe ai e citon Barthes-in kur ky vëren, te këto shënime, se:

Personalisht, unë nuk do të jetoja dot në këtë radikalizëm, në këtë monologjizëm fanatik, në këtë diskurs obsesiv, monomaniakal… Do të më duhej ta paguaja revolucionin me gjithçka që unë e kam të shtrenjtë: ligjërimin “e lirë”, të çliruar nga çdo lloj përsëritjeje; dhe imoralitetin.

Edhe unë besoj se çfarë e bashkonte Barthes-in me Kinën nuk ishte ndonjë lloj afiniteti ideologjik ose admirimi për totalitarizmin, por më shumë deliri për t’iu kundërvënë radikalisht, deri në paradoks, kanunit kulturor Perëndimor ose euro-centrik, ose eksperimentimi politik dhe social ekstrem.

Sipas studiuesit François Hourmant (Le désenchantement des clercs, Figures de l’intellectuel dans l’après-Mai 68, 1. La Chine ou le crépuscule du mythe révolutionnaire), interesi i disa intelektualëve të elitës në Francë për Kinën komuniste dhe maoizmin duhet parë edhe si reagim ndaj politikave tradicionale të së majtës franceze, e cila e mbante kokën të kthyer nga Bashkimi Sovjetik; teksa “shfaqja e specialistëve dhe vleftësimi i ekspertizës shkoi dorë për dore me një lloj zbehjeje të figurës së intelektualit klasik sartre-ian dhe daljen në skenë të një varianti më fort të orientuar drejt mediave” dhe po lindte një dinamikë e re e pushtetit mes shkrimtarëve, artistëve dhe gazetarëve.

Nga ana e vet, një njohës i mirë i Kinës dhe i maoizmit si Simon Leys, vë në dukje edhe ai tra-la-la-të e Barthes-it, përballë dramës që ndonjëherë i shpalosej mu përtej horizontit të tij vizual, ose fushëpamjes që ia lejonin shoqëruesit, vizitat e programuara dhe fshatrat Potjomkin. Vallë është e mundur, shkruan ai, që “spektakli i këtij vendi gjigand, të terrorizuar dhe të trullosur nga rinoceriti maoist, t’ia ketë anestetizuar Barthes-it krejt aftësitë për t’u indinjuar?”[2]. Leys citon pastaj Orwell-in, për të ilustruar se çfarë mendon për shënimet e udhëtimit të Barthes-it:

Duhet të jesh intelektual, që t’i besosh këto: asnjë njeri i zakonshëm nuk mund të jetë kaq hajvan.

Në fakt, i vetmi pasazh i librit, ku Barthes-i revoltohet deri në atë pikë sa është gati të shkruajë një letër proteste, është kur i shërbejnë ushqim të keq në avionin e Air France…

Këtë farë obtuziteti tek intelektualët majtistë të shekullit XX e ndesh pak si tepër shpesh, për t’ia faturuar dezinformimit, dritëshkurtësisë ose edhe thjesht mirëbesimit: që nga vizitorët e shquar të Bashkimit Sovjetik të viteve të terrorit Stalinist, te miqtë e dashamirët e Shqipërisë enveriste të periudhës autarkike dhe te këta të tjerët, të organizuar në taborë, që lektiseshin pas “tjetërsisë” kineze dhe gjepurave të Maos, të gjithë këta manifestojnë të njëjtin lloj patologjie, dhe pikërisht gatishmërinë për të përqafuar Tjetrin, vetëm e vetëm si alternativë ndaj filistinizmit Perëndimor.

E megjithatë, identifikimi i Barthes-it me mendjelehtësinë e tij kineze nuk do të ishte i drejtë, përkundrazi. Sikur Barthes-i i atyre viteve të kish parapëlqyer Shqipërinë ndaj Kinës dhe të ish takuar, gjatë kësaj vizite kundërfaktuale, edhe me autorin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” si përfaqësues të Realizmit Socialist në Tiranë, ndoshta Kadareja do t’ia kish kursyer tani karakteristikën e keqe. Aq më tepër që, po të nisemi nga pelegrinazhet në Kinë, këta të dy për pak sa nuk janë takuar me njëri-tjetrin; meqë edhe Kadareja e pat vizituar “Perandorinë e Mesit” aso kohe, madje pat shkruar edhe një libër me shënime udhëtimi mjaft të lexuar nga masat.

Krahasimi im çalon; dhe pikërisht sepse vizita e Kadaresë në Kinë ishte njëfarësoj e porositur dhe e komanduar nga udhëheqja shqiptare; sikurse gjërat që shkroi yni, pasi u kthye që andej, duhen lexuar në kontekstin politik të kohës dhe duke pasur parasysh pamundësinë e Kadaresë për t’u shmangur, sado pak, nga fryma e përgjithshme e marrëdhënieve vëllazërore të asaj kohe, midis Shqipërisë dhe Kinës së Maos. Aq më tepër, kur deri edhe Barthes-i, që nuk do të rrezikonte shumë, e gjithsesi nuk do të rrezikonte aq sa kolegu i tij shqiptar, po të denonconte farsën totale të fasadës së jetës së përditshme në Kinë dhe kontrollin kapilar të banalitetit, çfarë mund të prisnim nga shënimet e udhëtimit të Kadaresë, përveçse ndonjë arsye të papritur, për të pëlqyer diçka tek ai vend enigmatik, me të cilin ia kish lidhur fatet Shqipërisë sonë Hoxha? Kadareja i atyre viteve e kishte këtë efekt te lexuesi, duke ia bërë jetën më të pranueshme, duke e mësuar si të shihte dritë edhe në errësirë dhe duke e siguruar se jo gjithçka ishte e pashpresë.[3] Barthes-i, përkundrazi, iu qas Kinës dhe maoizmit nga pozitat e një majtizmi europian snob, kontrarian, anti-borgjez dhe anti-konformist, që shqetësohej më shumë për eroticizmin e kinezëve në rrugë dhe faktin që këta e këqyrnin vizitorin pa ndonjë interes seksual dhe dështimin e tij për t’ia parë penisin qoftë edhe një mashkulli të vetëm në Pekin, sesa – bie fjala – për faktin që shumë nga këta meshkuj simbolikisht të kastruar nuk kishin as për të ngrënë; dhe se shumë nga kolegët potencialë të Barthes-it, siç e vëren tani, ose nga lartësitë e së sotmes Kadareja, kishin përfunduar orizoreve.

Në analizë të fundit, ja çfarë më çudit te qasja e Kadaresë ndaj Barthes-it: pasaktësitë e njëpasnjëshme në detajet, analiza politike korrekte e miopisë së francezit ndaj padrejtësive të tmerrshme që konsumoheshin në Kinë, lënia mënjanë e faktit që ai vetë, Kadareja, ish ndodhur dikur në pozita të ngjashme me Barthes-in, sa i përket raportit paradoksal midis konformizmit dhe anti-konformizmit njëlloj konformist, pa çka se krahasimi do të kish qenë më se i mirëpritur, dhe më në fund qasja pa respekt ndaj një figure kaq të rëndësishme sa Barthes-i, prej një figure si Kadareja, i cili me plot arsye ka kërkuar dhe kërkon, nga Perëndimi, që ta trajtojnë me respekt dhe t’ia vlerësojnë veprën në tërësinë e vet artistike. Si admirues i Barthes-it kritik arti dhe semiolog, nuk mund ta gëlltit mënyrën si e trajton Kadareja; njëlloj nuk do të kisha gëlltitur, sikur një personalitet i kulturës franceze t’i ishte qasur kështu Kadaresë.

(c) 2016-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me AI. Botohet me leje te TemA.

[1] Mosmarrëveshja, botim i tretë përfundimtar, Onufri 2012, f. 235, shënimi 53.

[2] Leys, Simon: “Roland Barthes in China”, The Hall of Uselessness, f. 375-378; në frëngjisht artikulli mund të lexohet këtu.

[3] Ironikisht, teoria dhe praktika e kritikës letrare mbështetur në tezën barthiane të “vdekjes së autorit” do t’i kishin ofruar Kadaresë një mbrojtje të shkëlqyer – dhe ndoshta edhe ia kanë ofruar – ndaj kritikave që iu bënë, nën totalitarizëm, se vepra e tij mund të lexohej dhe në fakt po lexohej si alegori e regjimit enverist në Shqipëri; meqë mund të argumentohej, pa vështirësi, se një autor si person juridik dhe qenie politike nuk mund të mbajë përgjegjësi për leximet që ia bëjnë të tjerët veprës së tij; dhe as për ato karakteristika të tekstit që Eco-ja më pas do t’i quante intentio operis dhe intentio lectoris; meqë çdo lexues është i lirë që të gjejë në një vepër letrare atë që dëshiron, madje edhe ta përdorë këtë vepër pa ia vënë veshin opinioneve dhe udhëzimeve të autorit.

1 Komente

  1. K
    Kuptoni themelet

    4000 fjalë shkrim!!! Pse? Për të lexuar metafizikën e Vehbiut që ndan autorin nga lexuesi! Të shkruash kundër Kadaresë pas vdekjes së Kadaresë nuk është moral.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje