
Një histori kombëtare e shkruar kryesisht nga burrat për burrat dhe e kaluar përmes filtrave të pushtetit i ka lënë në skaje shumë jetë intelektuale. Njëra prej tyre është edhe Ollga Plumbi, publiciste, aktiviste dhe një nga zërat e parë që ka artikuluar çështjen e emancipimit të gruas në Shqipëri.
Episodi kësaj jave i Apostrof Podcast e risjell atë në vëmendje përmes një bashkëbisedimi me Ariela Zeneli dhe Klodi Leka, të cilët kanë përgatitur në formë libri një përmbledhje të shkrimeve të saj. Por, diskutimi shkon përtej rizbulimit dhe risjelljes në kujtesë të figurës së Ollga Plumbit, për të analizuar se si disa figura jo vetëm janë lënë në harresë, por janë fshirë strukturalisht nga kujtesa jonë e përbashkët.
Leka e përshkruan procesin e rindërtimit të jetës së Ollga Plumbit si një gjueti fantazmash, ndërsa shton se para përballjes me “fantazmën,” nevojitet fillimisht të analizohet “shtëpia” që i prodhon këto fantasma: vetë historiografía shqiptare. Ai thekson se pikërisht kjo “shtëpi” është ndërtuar nëpërmjet një lenteje tepër të ngushtë – politike, patriarkale dhe selektive – ku gratë shfaqen thjesht si figura simbolike ose, në të shumtën e rasteve, zhduken plotësisht.
Pikërisht në një mjedis të tillë, shfaqja e Ollga Plumbit në vitet ’30-të përbën edhe një lloj shkëputjeje në kohë. Ajo zhvilloi një formë të feminizmit që distancohej nga shqetësimet e elitës së kohë, duke i patur rrënjët tek pabarazitë strukturore. Ajo shkruante për varfërinë, grutë rurale që ishin të përjashtuara edhe nga vetëdija rreth të drejtave të tyre ligjore, por edhe për punën e papaguar të gruas në shtëpi, që vazhdon të formësojë jetët e shumë grave sot.
Nga ana tjetër, jeta e saj shpaloset gati-gati si një version i ngjeshur i vetë historisë së Shqipërisë. E lindur në fund të shekullit të 19-të, Ollga Plumbi përjetoi Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore, Revolucionin e Qershorti dhe shtypjen e tij, monarkinë e Mbretit Zog, pushtimin nazi-fashist të vendit dhe diktaturën e pasluftës. Pikërisht në këtë moment, trajektorja e saj politike duket se arrin edhe kulmin, kur në zgjedhjet e vitit 1945 ajo zgjidhet si një nga anëtaret më të votuara të Parlamentit të kohës.
E megjithatë, ky kulmim rezultoi jetëshkurtër, pasi pak kohjë më pas, Plumbi u mënjanua gradualisht nga jeta politike sepse nuk ishte anëtare e Partisë Komuniste. Ndonëse nuk u burgos dhe nuk u internua, ajo u bë viktimë e një “vdekjeje civile.” E mënjanuar nga çdo pozitë me influencë, e ndaluar të shkruante apo të reflektonte në publik, Ollga Plumbi e kaloi pjesën tjetër të jetës duke punuar në heshtje.
Në këtë kuptim, rekuperimi i figurës së Ollga Plumbit ngre pyetjen nëse zëri i saj i përket një të shkuare të lënë mënjanë, apo një të ardhmeje që do të duhet ende shumë kohë që të mbërrijë plotësisht.